Mjaft me përralla, ekonomia duhet të ecë në dy shina: Bujqësi dhe turizëm
Nga Erjon Uka/ Që nga i famshmi “çek i bardhë”, te Piramidat apo te “Shqipëria fuqi energjetike”, të gjitha premtimet për zhvillim ekonomik kanë dështuar, pasi janë fokusuar drejt thithjes së fondeve nga jashtë apo projekteve utopike, pa menduar kurrë për ta orientuar zhvillimin drejt prodhimit vendës. Prandaj dy janë shtyllat kryesore mbi të cilat duhet zhvilluar ekonomia shqiptare, për të dhënë rezultat si në mirëqenie ekonomike reale ashtu edhe në punësim: Bujqësi dhe turizëm.
Gjatë tranzicionit, fermerët shqiptarë janë parë gjithnjë si rezervuarë votash. Premtimet e partive fokusohen në lëmosha për bujqit shqiptarë, duke filluar nga akciza e naftës e deri te subvencionet, por siç është parë edhe këto premtime minimale vështirë se mbahen. Ndaj, vendimi për të zhvilluar bujqësinë, më shumë se një vendim ekonomik, është vendim politik. Duhet të vendoset një herë e mirë që fermerët të dalin nga statusi i bujkrobit, të bëhen pjesë e ekonomisë së tregut me “koston” që nuk do të mbeten më peng i partive politike. Tre shifra, të nxjerra nga Creative Business Solution dhe Agroweb, tregojnë më së miri peshën që bujqësia, edhe pse e gjymtuar, ka në punësim dhe ekonomi. 50% e shqiptarëve janë të punësuar ose të vetëpunësuar në bujqësi, 18% e Prodhimit të Brendshëm Bruto vjen nga bujqësia, ndërkohë që financohet vetëm me 4% nga buxheti i shtetit. Megjithëse janë harxhuar shumë para për skemën e subvencioneve në bujqësi, fondet u orientuan drejt mbulimit të kostove dhe jo rritjes së zinxhirit të vlerës. Zero me xhufkë ka rezultuar edhe nisma absurde se fermat me 100 hektarë do të marrin 1 milion dollarë grant nga qeveria, pasi dihet se ligji 7501 ka fragmentarizuar tokën dhe mesatarisht femrat nuk i kalojnë 1,2 hektarë, e jo më të ketë ferma me 100 hektarë. Në qeverinë e re bujqësia duhet trajtuar si dikaster prioritar dhe të merret vendimi politik për të nxjerrë fermerët nga bujkrobëria dhe produktet shqiptare të certifikohen sipas standardeve të BE për t’i hapur rrugë eksporteve.
Turizmi është shina tjetër ku mund të ecet efektivisht. Tri vitet e fundit është parë rritje e turistëve të huaj dhe rritje e të ardhurave nga turizmi, por nëse nuk ecet me plan zhvillimor e gjitha do të kthehet në bumerang dhe jo vetëm që nuk do të ketë turizëm elitar, por nuk do të vijnë as turistët me biçikleta dhe çanta kampingu mbi shpinë. Vendimi i parë dhe emergjent është nëse turizmi do të orientohet drejt resorteve të mëdha sipas modelit turk, apo resorteve të vogla sipas modelit grek. Gjendja aktuale e Shqipërisë imponon opsionin e dytë, por strategjia duhet të nisë me ndërthurjen e turizmit bregdetar, turizmit malor, turizmit kulturor me agroturizmin. Raportet e fundit flasin se të paktën gjatë sezonit të plazhit, një në katër shqiptarë janë të punësuar në turizëm, por duhet venitur iluzioni se turizmi limitohet në reklama revistash dhe ushqim të lirë. Turizmi është kulturë dhe si i tillë duhet zhvilluar duke pasur vëmendje që në rritjen e numrit të shkollave që ofrojnë specializim real në hoteleri-turizëm, në trajnime me pronarët e resorteve, hoteleve apo bujtinave, në ndërtimin e një sistemi licencimi për të gjithë ata që duan të jenë prezent në fushën e turizmit dhe në kontrollin periodik dhe jo me fushata të cilësisë së shërbimit.
Anglia nuk mund të prodhojë vaj ulliri, Egjipti nuk mund të eksportojë peshk salmon dhe Suedia nuk mund të përpunojë kafenë. Klima është përcaktuesi parësor i modelit ekonomik dhe fatkeq jemi ne që nuk e kuptojmë ende se na ka favorizuar në shumë aspekte. Zhvillimi duhet të ecë drejt sektorëve që realisht gjenerojnë të ardhura dhe shtojnë punësimin. Investimet në infrastrukturë të bëra jashtë kontekstit dhe stadit ekonomik, janë heqje e parave nga tregu dhe groposje në beton pa asnjë vlerë të shtuar. Prandaj siç thonë shkodranët, nuk duhet “me pa andrra n’beze” por duhet marrë vendimi i madh strategjik: Zhvillim i sektorëve me potencial si bujqësia dhe turizmi dhe futja e tyre në logjikën e ekonomisë së lirë të tregut./Botuar në qershor 2017, në Tiranapost.al dhe Mapo.al