Mendel
Eleganca e një romani

Eleganca e një romani

Muriel Barbery me romanin e saj “Eleganca e iriqit” na bën të reflektojmë se sa rëndësi i japim pozitës shoqërore në gjykimin që kemi për njerëzit, se si një titull përpara emrit ndikon në identitetin e gjithsecilit. Jemi të bindur se mendimet e thella apo leximi i veprave të mëdha letrare janë “pesha të rënda” për ministra e profesorë, deputetë e doktorë. Por në fakt shpesh herë në këto njerëz gjejmë mediokritetin dhe arrogancën, të mishëruar në forcën e sistemit klasor. 

Nga Erjon Uka/ Që “Eleganca e iriqit” nuk është një roman si gjithë të tjerët, këtë e kupton menjëherë, që në faqet e para ku lexon për një konsierzhë, pra një zonjë që merret me administrimin e pallatit, e cila flet për Marksin. E më pas, ky mendim të përforcohet kur në sfond dalin maçokë që quhen Kushtetuta dhe Leon, si Tolstoji, apo lexon për Palomën, një 12-vjeçare e cila ka vendosur t’i vërë flakën shtëpisë e që mendimet e saj i hedh në dy ditarë: Ditarin e lëvizjes së botës dhe ditarin e mendimeve të thella.

Është kjo panorama e një rrëfimi elegant filozofik, suksesin e të cilit as Muriel Barbery nuk e priste kur e botoi në vitin 2006: prej atëherë libri është përkthyer në 34 gjuhë, dhe shënon miliona kopje të shitura. Ngjarjet e këtij romani zhvillohen brenda një pallati dhe tregohen nga dy personazhe, në dukje krejtësisht të kundërt, por çuditërisht me dy të përbashkëta të mëdha: Etjen për dije dhe ikjen nga realiteti mbytës.

Rëneja është një konsierzhë 54-vjeçare, e ve, e cila prej rreth tre dekadash ka të njëjtën rutinë, duke u kujdesur për mbarëvajtjen e punëve të pallatit. Në aparencë një njeri i ftohtë, në kufijtë e vulgaritetit, me prejardhje fshatare dhe bij e dy prindërve bujq, por brenda lozhës së saj është një adhuruese e librave, e pikturave dhe e artit në përgjithësi.

Për shkak të një tragjedie që lidhet me motrën e saj, është e bindur se njerëzit e shtresave të ndryshme sociale nuk duhet të krijojnë marrëdhënie me njëri-tjetrin. Secili në vendin e vet, e gjithkush i lumtur me fatin që ka. Jo vetëm që nuk e njeh ambicien, por madje bën çmos që në sytë e banorëve të duket një njeri i vrazhdë dhe kokëgdhe.

Nga ana tjetër, Paloma është vajza e një ministri francez që banon në katin e pestë. Ajo është e rritur në një mjedis mondan, por ndryshe nga mamaja apo nga motra e saj Kolomba, gjëja që urren më shumë është pikërisht shtresa e lartë franceze, jeta e luksit, blerjet e shtrenjta, bisedat intelektuale dhe pedantizmi i disa njerëzve të vegjël, me poste të mëdha.

Paloma sa herë që i jepet mundësia kërkon t’i ikë realitetit, për t’u futur në zhguallin e saj të vetmisë e për të bërë reflektimet e ditarit të lëvizjes së botës dhe mendimeve të thella.

Do të duhet që në pallat të vijë një japonez sharmant, Kakyro Ozy, që Rëneja dhe Paloma të njihen me njëra-tjetrën, duke ndryshuar edhe perspektivën që kanë për vetveten e për jetën. Aty Paloma zbulon se në të vërtetë Rëneja nuk është ajo konsierzha e pagdhendur që të gjithë mendojnë, por “ka elegancën e iriqit: nga jashtë është e mbuluar me gjemba, një fortesë e vërtetë, por intuita thotë se nga brenda është po aq e rafinuar sa edhe iriqi, që është një kafshë e vogël me pamje të plogët në dukje, tmerrësisht e vetmuar dhe shumë elegante.”

Dhe i tillë është krejt romani: elegant! Një libër i rrjedhshëm filozofik, pa cituar shumë filozofë, pa krijuar shumë ndërprerje artificiale apo pauza të panevojshme, një libër ku përmes ngjarjeve të përditshmërisë dhe dy personazheve sa të veçantë në pamje por aq të zakonshëm në thelb, të bën të mendosh për tema të koklavitura që nga kuptimi i jetës, identiteti, ekzistenca e Zotit, fuqia e artit, marrëdhëniet njerëzore e deri te gjëra më të thjeshta, si rituali i çajit apo maçokët.

Muriel Barbery na bën të reflektojmë se sa rëndësi i japim pozitës shoqërore në gjykimin që kemi për njerëzit, se si një titull përpara emrit ndikon në identitetin e gjithsecilit. Jemi të bindur se mendimet e thella apo leximi i veprave të mëdha letrare janë “pesha të rënda” për ministra e profesorë, deputetë e doktorë. Por në fakt shpesh herë në këto njerëz gjejmë mediokritetin dhe arrogancën, të mishëruar në forcën e sistemit klasor. Ndërsa gjërat e bukura i gjejmë te disa njerëz pa status, te një konsierzhë e varfër dhe te një çupëlinë mendjekrisur.

Ftesa e Muriel Barbery është ta shohim botën me mendje dhe të veprojmë duke ndjerë. Sepse siç shkruan në fund të librit, “mjafton të kesh provuar vetëm një herë të vetme se mund të jesh i verbër në mes të ditës, ndërkohë që mund të arrish të shohësh në terr dhe vetvetiu të lind pyetja se ç’është shikimi? […] Syri percepton, por nuk sheh me hollësi, beson por nuk bën pyetje, pranon, por nuk kërkon…”

Ky është një nga ato rrëfime, që pasi mbyll faqen e fundit, mund të ndjesh se ke përthithur një dituri të madhe njerëzore. Jo nga ato këshillat e ftohta që të mësojnë si të jetosh, por më shumë një ndjesi plot ngjyra, për të kuptuar më shumë nga e përditshmja dhe e zakonshmja.

 

Romani “Eleganca e iriqit”, botuar në shqip nga Shtëpia Botuese “Dudaj”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *