Të gjitha
Për kafshët

Për kafshët

Nëse do të prisnim që të bënim përsosmërisht mirë diçka për të nisur një tjetër, thjesht nuk do të vepronim asnjëherë. Prandaj së pari duhet thënë se debati për kafshët është i nevojshëm dhe i dobishëm.

Nga Erjon Uka/ Një ndër kujtimet më të dhimbshme të viteve të fundit me kafshët lidhet me vrasjen në mënyrë barbare të një qeni në Kuçovë disa kohë më parë. E nuk ishte thjesht dhimbje për krijesën që gulçonte duke dhënë shpirt, por mbi të gjitha ishte trishtim për botën e vogël, për mizorinë, kriminalitetin gjakftohtë që ata dy adoleshentë po tregonin ndaj një qeni, ndaj një qenieje të lidhur e të pambrojtur.

Vazhdimisht vëmendja kthehet nga kafshët në debatin publik, herë me ndonjë nismë ligjore, herë për shkak të abuzimeve por edhe në shumë raste të tjera për lajme të bukura e të gëzuara. E po në kaq raste të tjerë thonë se ka plot gjëra të tjera më “serioze” për t’u marrë, e plot halle ka ky vend që u dashka të merremi edhe me problemet e kafshëve.

Nuk është kështu. Pikërisht prandaj shoqëria është diverse, institucionet janë të shumta dhe jeta publike është e gjallë, sepse mund të merret me shumë gjëra njëkohësisht për t’i dhënë paralelisht zgjidhje problemeve. Nëse do të prisnim që të bënim përsosmërisht mirë diçka për të nisur një tjetër, thjesht nuk do të vepronim asnjëherë. Prandaj së pari duhet thënë se debati për kafshët është i nevojshëm dhe i dobishëm.

Të dobëtit mund t’i shtypësh, ose mund t’u japësh dinjitet. Kafshët mund t’i vrasësh kafshërisht, ose të përpiqesh t’i trajtosh njerëzisht. Prandaj forca e një shoqërie shihet në mënyrën se si sillet me të dobëtit, njerëz apo kafshë qofshin. Se si instiktit nuk i përgjigjet me instikt, por me arsye.

Prandaj përveç indinjatës dhe revoltës (e cila vlen plotësisht) që shumë shoqata në mbrojtje të kafshëve kanë shprehur së fundmi për trajtimin që u bëhet, por edhe qytetarëve të thjeshtë të indinjuar, ndoshta vlejnë për t’u përmendur disa fakte për ata skeptikë që janë indiferentë apo përbuzës kundrejt çështjes së trajtimit të kafshëve.

E para lidhet me ndjenjat. Kafshët kanë ndjenja. Janë të shumta studimet që kanë arritur në këtë përfundim, si për shembull ai që analizonte thirrjet e dhive gjatë kohës që prisnin ushqimin, kur ato irritoheshin apo kur veçoheshin nga tufa. Nga ana tjetër, veçanërisht për adhuruesit e kuajve nuk besoj se është lajm i ri fakti se janë kafshë shumë të ndjeshme. Për shembull në Kanada hipizmi konsiderohet si sporti i tretë më i rrezikshëm pas garave me motora dhe skive, pasi gjendja emocionale e kalit është thelbësore për sigurinë e kalorësit.

Zelanda e Re i njohu ligjërisht kafshët si qenie me ndjenja në vitin 2015, në Ligjin për Mirëqenien e Kafshëve. Këtë ligj duhet ta zbatojnë të gjithë, veçanërisht në blektori, dhe sipas tij kafshët njihen si qenie të ndjeshme dhe se pronarët duhet të kujdesen dhe janë përgjegjës për mirëqenien e tyre jo vetëm fizike, por edhe emocionale.

Por përveç ndjenjave, kafshët kanë edhe vetëdije. Carl Safina e ka trajtuar këtë çështje në shumë këndvështrime në librin e tij “Përtej fjalëve: Çfarë ndjejnë dhe si ndihen kafshët” dhe në një intervistë për National Geographic thotë se i dukej e pabesueshme që ende ka një debat mbi vetëdijen e kafshëve. “Nëse vështroni gjitarët, por edhe zogjtë, do të kuptoni se si u përgjigjen botës. Ata luajnë, janë të frikësuar kur ka rrezik dhe qetësohen kur kushtet janë të mira. Më duket e palogjikshme të mendojmë se kafshët nuk kanë një përvojë mendore të të luajturit, të gjumit, të frikës apo të dashurisë.”

Në të njëjtin mendim është edhe Yuval Noah Harari, që në librin “Homo Deus” tregon mbi një eksperiment me dy minj në vitin 2010, ku njëri ishte i burgosur në një kafaz ndërsa tjetri u la i lirë që të vinte vërdallë. Minjtë lëshonin sinjale frike dhe nervozizmi me njëri-tjetrin, ndërsa miu që ishte jashtë përpiqej që ta lironte deri sa pas disa kohësh arriti të hapte derën e kafazit. Shkencëtarët e përsëritën eksperimentin, duke vendosur një çokollatë jashtë kafazit në mënyrë që të kuptonin nëse miu që ishte jashtë do të nginjej duke ngrënë çokollatën apo do të zgjidhte të shpëtonte mikun. E habitshme ishte se shumë minj zgjodhën sërish të shpëtonin shokun e tyre në kafaz, por nuk munguan rastet e minjve egoistë që hëngrën çokollatën. Egoistë. Si njerëzit!

Sot, megjithëse filozofia është joshëse, as në biseda tavolinash nuk mund të tolerohet që të përsëritet gabimi i Dekartit, i cili në shekullin XVII i shihte kafshët thjesht si ingranazhe, pa vetëdije dhe pa ndjenja. Vlera e studimeve të tilla qëndron në faktin se njerëzit duke njohur botën e brendshme të kafshëve, duhet të rregullojnë sjelljen e tyre ndaj tyre. Prandaj debati mbi mirëqenien e kafshëve, e qenieve që kanë ndjenja dhe vetëdije, nuk mund të jetë vetëm simbolik dhe i kufizuar, por është shkencor dhe ligjor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *