Borges
Human, po ti a di të dëgjosh?

Human, po ti a di të dëgjosh?

Nga Roberto Saviano/ Ajo që qeniet njerëzore kanë nevojë më shumë se çdo gjë, është të dëgjohen. Dikush mund të thotë: duhen ushqime, para, shtëpi, punë, dashuri, paqe, qetësi. E vërtetë, por kur gjithçka mungon, si i bëhet që t’ia themi të tjerëve dhe të ndryshojmë rrjedhën e gjërave nëse askush nuk na dëgjon? Paradoksi është se sot mund të komunikojmë në çdo moment, por nuk jemi të qartë nëse nga ana tjetër është vërtet dikush i gatshëm të dëgjojë atë që kemi për të thënë, qoftë një shfryrje, një tregim, një kërkesë për ndihmë. Përtej një përgjigjeje të shpejtë në rrjetet sociale, një retweet apo një like, ekziston koha, ajo kohë e vërtetë, ajo që vështirë se jemi të predispozuar ta japim.

Që koha është e çmuar, unë e di mirë. Ja përse sa herë këshilloj leximin e një libri apo shikimin e një filmi, bëj gjithmonë apel për kohën, kërkoj gjithmonë që t’i jepet kohë, bëj çdo gjë që është e mundur për të kërkuar kohë për t’iu dedikuar diçkaje që ndoshta më ka prekur. Përpjekja që duhet është e madhe, e madhe si në termat e kohës ashtu edhe në përfshirjen emocionale. Është e madhe sepse duhet të veçoheni mënjanë, por më pas do të shihni se do të përfshiheni me çdo qelizë tuajën dhe të dëgjoni atë që njerëzit e tjerë kanë për të thënë. Për t’jua thënë jo vetëm juve, por krejt botës në të cilën bëjmë pjesë.

“Human” është një dokumentar i Yann Arthus-Bertrand dhe i financuar nga Bettencourt Schueller Foundation dhe GoodPlanet. “Human” zgjat shumë sepse u jep zë shumë njerëzve nga çdo cep i botës. Është një dëshmi, është një dokument. Një dokument që na përket edhe ne. Në çdo zë shfaqet zëri ynë, në çdo eksperiencë është edhe eksperienca jonë, në çdo lot apo buzëqeshje janë edhe dhimbjet e gëzimet tona, edhe pse rrëfimi është ai i një fëmije sirian, të cilit i kanë vrarë babanë dhe që tashmë nuk ka më frikë të hidhet në erë me shpërthimin e një bombe. Jemi ne brenda fjalëve të gruas që prostituohet për të ndihmuar prindërit e saj, për t’i dhënë vajzës një jetë më dinjitoze nga ajo që ka pasur vetë. Jemi ne në fjalët e vajzës që kërkon, që i përgjërohet prindërve të mos marrin drogë. Jemi ne në ata dy prindër, një palestinez dhe një izraelit, që kanë humbur vajzat për shkak të urrejtjes së verbër që ndan dy popujt, në ata dy baballarë që kanë vendosur të shkatërrojnë rrethin e gjakut duke mos iu përgjigjur dhimbjes me hakmarrje dhe duke kuptuar se ndodhen në të njëjtën anë, në anën e atyre që duan paqen. Jemi te ai burri që po vuan dënimin sepse vrau gruan dhe djalin. Jemi përballë tij, duke e dëgjuar, që ndër lotësh thotë se gjithmonë kishte menduar se dashuria ishte të jepje dhimbje, sepse kjo ishte e vetmja gjë që kishin mësuar e me këtë mendim ishte rritur. Jemi ne që e dëgjojmë teksa na thotë se ajo që e mësoi se çfarë është dashuria ishte njeriu që duhej t’i përbetohej për urrejtje të përjetshme: mamaja dhe gjyshja e dy qenieve që vrau. Dhe jemi sërish ne duke dëgjuar ushtarin amerikan në Irak që gjendet përballë një njeriu të trembur që nuk ka mundur ta vrasë, por jemi sërish ne që dëgjojmë atë që ka vrarë një herë dhe mund të vrasë sërish.

Teksa shihja “Human” humba shumë takime sepse doja të tregoja atë që kisha parë e dëgjuar, sepse ekzistojnë dëshmi shumë të rëndësishme që nuk duhet të rrinë të heshtura. Djemtë homoseksualë që nuk arrijnë ta thonë dhe që dërgohen te mjeku për t’u “shëruar” apo edhe që dëbohen nga shtëpia. Dhe ai babai, që pasi ka dëgjuar rrëfimin e djalit homoseksual i cili kishte tentuar disa herë të vriste veten, i thotë: “Për mua je në rregull kështu siç je”. Dhe atëherë mendon: Po pse nuk ia the më parë? Pse nuk e kuptove se djali yt ishte homoseksual dhe e kishte të pamundur t’ia thoshte botës se ndihej keq? Dhe atëherë kupton se ajo pyetje e ka përgjigjen brenda. Sa jemi të gatshëm të kuptojmë gjëra edhe pa na u thënë? Sa jemi të gatshëm të dëgjojmë? Po të pranojmë? Dhe çfarë dëgjimi ofrojmë? A jemi të gatshëm të lëmë mënjanë bindjet tona, paragjykimet “e di, e di” dhe “e kam dëgjuar një mijë herë” për të dëgjuar vërtetë?

“Human” është një kor zërash, te “Human” gjendet gjithçka: dashuri, luftë, hakmarrje, dhunë, paqe, skllavëri, e vërtetë, seks, uri, pasuri, padrejtësi, sëmundje, bindje, shëndet, bukuri, egoizëm, mirënjohje. Dhe është buzëqeshja, buzëqeshja që mes shumë gjuhësh të dëgjuara, është e vetmja që të gjithë kuptojnë./Artikulli është nga rubrika e përjavshme e Roberto Savianos, “L’antitaliano”. Roberto Saviano është gazetar dhe shkrimtar italian i cili prej më shumë se dhjetë vitesh jeton nën mbrojtjen e policisë për shkak të kërcënimeve nga mafia. Përkthyer nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *