Borges
Djajtë e Amos Oz

Djajtë e Amos Oz

Si idealizimi ashtu edhe demonizimi janë njëkohësisht fytyrat e një “dehumanizimi”, pasojat e të cilit Amos i njihte mirë: ose ke tundimin të pranosh atë që të huajt projektojnë te ty, ose bëhesh i burgosur i historisë tënde. Kush e njihte Amosin, e ndjente direkt përpjekjen e tij mbinjerëzore për të mbetur thjesht një njeri dhe atë përpjekje edhe më të madhe për të qenë “burrë” në kuptimin më të plotë të fjalës.

Nga David Grossman / Amos ishte për mua mësues dhe mik njëkohësisht. Pothuajse një herë në muaj nisesha herët nga shtëpia ime në Jeruzalem për ta takuar në Ramat Aviv, një lagje e Tel Avivit, ku siç thoshte vetë, më përgatiste “kafenë më të mirë të qytetit”. Pastaj nisnim të bisedonim. Nuk isha i sigurt nëse kafeja e tij ishte më e mira e qytetit, por pa asnjë dyshim shoqëria e tij ishte e tillë. Flisnim për situatën në Izrael, e cila dukej pa rrugëdalje, flisnim për librat që kishim lexuar, për kolegët tanë, për gjërat që kishim shkruar, për pengesat që ndeshin shkrimtarët, për bllokimet e krijimtarisë. Dhe natyrisht flisnim edhe për familjet tona, për nipërit, për realitetin që do t’u linim trashëgim atyre.

Besimin e tij nuk e fitova lehtë. Mendoj se eksperienca e jetës i kishte mësuar të ishte paksa dyshues, ose të paktën i kujdesshëm kundrejt të tjerëve. Gjatë vizitave të mia të para ulej në kolltukun përballë, por me trupin dhe fytyrën të kthyera anash. Dëgjonte pak dhe fliste shumë. Në fakt, bënte moral. Por pas çdo vizite që i bëja, kthehej ndonjë centimetër, moralizonte më pak dhe dëgjonte më shumë. Dhe më në fund, kur e pashë që u pozicionua ballë për ballë meje, kuptova se kisha fituar besimin e tij.

Ishte njeri shumë i thellë, fisnik edhe me kundërshtarët. Fisnikëria e tij ishte si në vitet ‘800, paksa anakronike. Por kjo nuk do të thotë se nuk kishte pasione, shkëndija të forta, ose që nuk ishte përndjekur nga djajtë “ala Dostojevski”. Dhe unë, si mik por edhe si lexues, e di se sa shumë luftonte kundër tyre. Me kalimin e viteve dhe të librave, dukej se kishte arritur një lloj ekuilibri të brendshëm, një qartësi që i lejonte të përballej me një heroizëm autentik me kompleksin dhe ngarkesën e rëndë të të qenit Amos Oz.

Për të nuk ishte e lehtë të ishte Amos Oz. Nuk e kishte të lehtë të ishte një njeri prej të cilit në të gjithë botën njerëzit duan një shikim, presin ndonjë këshillë. Një njeri që të tjerët e quajnë mjeshtër, lider e madje profet, që heshtin kur ai flet. Nuk e kishte të lehtë të ishte nje personazh i idealizuar ndaj të cilit shumë njerëz kanë pritshmëri, krijojnë shpresa dhe zhgënjime. Nuk e kishte të lehtë të ishte objekt i valëve të dashurisë dhe admirimit, që pashmangshmërisht sillnin një lloj idealizimi. Dhe sigurisht nuk e kishte të lehtë të përballonte sulmet armiqësore, vërtetë djallëzore, të atyre që mendonin se veprat e tij kishin premtuar diçka që nuk u realizua kurrë. Këto ishin sulmet e adhuruesve të zhgënjyer që u kthyen në armiq.

Gjithsesi, si idealizimi ashtu edhe demonizimi janë njëkohësisht fytyrat e një “dehumanizimi”, pasojat e të cilit Amos i njihte mirë: ose ke tundimin të pranosh atë që të huajt projektojnë te ty, ose bëhesh i burgosur i historisë tënde. E sa e vështirë është të manovrosh mes këtyre dy alternativave për të ruajtur autenticitetin tënd njerëzor! Kush e njihte Amosin, e ndjente direkt përpjekjen e tij mbinjerëzore për të mbetur thjesht një njeri dhe atë përpjekje edhe më të madhe për të qenë “burrë” në kuptimin më të plotë të fjalës.

David Grossman, Avraham B. Yehoshua dhe Amos Oz. Të tre konsiderohen shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë izraelitë.

Mbase më shumë se gjithçka tjetër, tek Amosi ishte e vështirë ringritja nga rrënojat e atij fëmije të brishtë, mamaja e të cilit humbi jetën për ta bërë njeriun, që falë mençurisë dhe personalitetit, fitoi autoritet, forcë dhe lidership në sytë e miliona njerëzve, në Izrael dhe në botë.

Mendoj për Amosin shkrimtar dhe opinionist dhe se si me shkrimet e tij arinte të prekte kaq shumë lexues, duke i emocionuar dhe turbulluar. Mendoj për personazhet e tij, por edhe për njerëzit e vërtetë që për shembull kishte takuar gjatë udhëtimeve në Izrael në vitin 1982, udhëtime prej të cilave u krijua një prej librave të tij më të mirë: Në tokën e Izraelit. Duke e lexuar, kuptojmë që atë mesazh që shpalosi për lexuesit e shumtë të “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”: praninë e një sekreti të pakapshëm, të fshehur në thelb të ekzistencës së Izraelit. Një sekret shumë i vështirë për t’u përshkruar me fjalë. Një lloj dridhje e vetëdijes, i pandërprerë, shpirtëror. Dridhje e një kujtese të lashtë, dridhje e traumave të padurueshme që as nuk janë kapërdirë dhe as janë kuptuar, dridhje të një pasigurie të thjellë ekzistenciale që është brenda nesh së bashku me një vetëadmirim të tepruar dhe vetëvlerësim të padëshiruar. Por më shumë se gjithçka besoj se bëhet fjalë për dridhjen e një ofendimi të tmerrshëm mijëvjeçar që nuk gjen ngushëllim: atë të një populli të persekutuar dhe të urryer, që thuajse u shfarros. Sa emocionuese është ta lexosh gjithë këtë në një libër. Sa e vështirë është ta jetosh.

Çdo shkrimtar, çdo individ, konform personalitetit dhe rrethanave të jetës së tij, thekson sinjalet që kërkon dhe është i destinuar t’i gjejë në realitetin që e rrethon. Në këtë kuptim, librat e Amos Oz, në veçanti “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”, janë reflektime të biografisë së tij vetjake, të impulseve, të kontradiktave apo të simpative politike dhe ideologjike – komuniste dhe revizioniste – të familjes së tij.

Këto janë forcat që i bëjnë librat dhe personazhet e Amos Oz, ata personazhe realë apo imagjinarë, kaq domethënës dhe kaq bindës. Vetëm fanatikët e dy ekstremeve politike kanë sigurinë se zotërojnë të vërtetën absolute, duke fshirë ato aspekte të realitetit që nuk përputhen me mendimet apo aspiratat e tyre. Në biografinë e Amosit, ndoshta edhe në strukturën e shpirtit të tij, ndodheshin ato ekstreme, ato kontradikta, ato anë të kundërta, por edhe gjithçka tjetër që i bashkonte. Pikërisht këto e tërhiqnin, e joshnin, e stimulonin dhe zgjonin diçka brenda tij.

Tani dua të shkruaj dy fjalë për njeriun Amos Oz, që një herë më tha: “Kur isha i ri e urreja babain tim pasi mendoja se për faj të tij, mamaja ime u vra. Pastaj urreva nënën time, si mund të ma bënte diçka të tillë? Si mundi të dilte nga shtëpia pa lënë një letër se ku po shkonte? Sa herë që ndonjëri prej nesh dilte, linte një letër poshtë vazos. Por mbi të gjitha urreva veten time”, vazhdoi ai, “Sepse fakti që mamaja ime vrau veten, do të thotë se nuk më donte mjaftueshëm. Si mund të ndodhte? Edhe mamatë e nazistëve i donin fëmijët e tyre, ndërsa e imja jo? Vetëm kur lindën fëmijët e mi, nisa të toleroja prindërit, nisa t’i doja. Vetëm atëherë arrita t’i kuptoja. Dhe kur shkrova “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”, u bëra “baba i prindërve të mi!””.

Herën e fundit që e takova, një muaj përpara se të ndërronte jetë, më kërkoi të shkoja së bashku me bashkëshorten time Michal. Ishte një takim ndryshe nga të parët. Amos ishte në formë shumë të mirë: bënte shaka, ishte i gjallë, ironik, brilant. Prezenca femërore e Michal e frymëzonte. Tregoi për rininë e tij dhe për studimet universitare. Tha: “Arkitekti i trupit tonë është gjeni, por kompania që mori përsipër ndërtimin mashtroi me materialet e ndërtimit”. Unë dhe Michal qeshëm, por Amos i cili dalloi shprehjen e fytyrës sime tha: “Mos ki mëshirë për mua. Kam pasur një jetë shumë të bukur, shumë më të bukur nga sa mund ta mendoja. Kam fëmijë të dashur, një grua, Nilli, që e adhuroj dhe kam librat e mi që lexohen në gjithë botën. Kam ma rrë më shumë nga sa mund të kërkoja”.

Një vit pa Amos Oz. Më ka lënë një boshllëk të madh dhe e ndjej mungesën e tij./David Grossman është ndër shkrimtarët më të suksesshëm izraelitë, librat e të cilit janë përkthyer në më shumë se 30 gjuhë të botës. Nuk ka shkruar vetëm romane, por edhe libra për fëmijë, poezi dhe opera. Në vitin 2017 ka fituar Man Booker International Prize dhe në vitin 2018 çmimin e Izraelit në letërsi. Artikulli u shqipërua nga Erjon Uka.

Botuar edhe në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *