Lavdërim i paaftësisë
E gjitha kjo e ka një shpjegim psikologjik, që përmblidhet në “efektin Dunning-Kruger”. Fenomeni i përshkruar në vitin 1999 nga dy psikologët David Dunning dhe Justin Kruger ka të bëjë me një çrregullim të njohjes, për shkak se njerëz që dinë shumë pak, tentojnë të mbivlerësojnë aftësitë e tyre.
Nga Erjon Uka/ Problemi i njerëzimit është se budallenjtë janë shumë të sigurt në vetvete, ndërsa të mençurit plot me dyshime. Kjo shprehje e Bertrand Russell, një prej themeluesve të filozofisë analitike në shekullin e XX-të, është ndër më të pëlqyerat dhe më të cituarat në rrjet. Pavarësisht se Russell simbolikisht e ndan botën në “budallenj” e të “mençur”, thënia e tij merr miratimin e të gjithëve. Pse? Për një arsye shumë të thjeshtë: Është e vështirë të gjesh dikë, që pranon se nuk është mjaftueshëm i ditur!
Në shoqërinë tonë, sigurisht jo vetëm atë shqiptare por edhe globale, nxitur mbi të gjitha nga rrjetet sociale, është një ndër fenomentet që ndeshim më shpesh. Njerëz që nuk kanë njohuritë minimale bëhen ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare, të shkencave politike, të llogaritjeve astrofizike apo edhe të teorive të konspiracionit. Siç thoshte Umberto Eco, rrjetet sociale bënë që pijaneci i lagjes, të cilin më parë e dëgjonin vetëm tre a katër vetë në klubin e qytezës, të ketë mundësinë e fjalës në rrjet njësoj si një fitues i çmimit Nobel.
E gjitha kjo e ka një shpjegim psikologjik, që përmblidhet në “efektin Dunning-Kruger”. Fenomeni i përshkruar në vitin 1999 nga dy psikologët David Dunning dhe Justin Kruger ka të bëjë me një çrregullim të njohjes, për shkak se njerëz që dinë shumë pak, tentojnë të mbivlerësojnë aftësitë e tyre. Thënë ndryshe, sa më pak di, aq më shumë mendon se di. Jo vetëm kaq, por këta individë janë edhe më arrogantët në biseda, ku me fraza “mos më trego mua”, “e di unë atë”, “ti s’ja ke haberin” e asfiksojnë bisedën duke “goditur” sistematikisht personin përballë.
Por si arritën ata në këtë përfundim? Shpjeguar shkurtimisht, Dunning dhe Kruger zhvilluan një sërë eksperimentesh në të cilat u përfshinë studentë të viteve të para të “Cornell University”. Pasi ata u ndanë në dy grupe, psikologët ekzaminuan vlerësimin që studentët bënin për veten e tyre mbi bazën e tre kritereve: logjikë, gramatikë dhe sens humori. Pasi panë pikëzimin që studentët kishin bërë, Dunning dhe Kruger zbuluan se studentët e dobët kishin tendencën që vazhdimisht të mbivlerësonin aftësitë e tyre. Nga ana tjetër, studentët e mirë, i nënvlerësonin ato.
E në fakt, dyshimi është një cilësi që shoqëron gjithmonë njerëzit që i përmbahen aforizmës së Sokratit, “E vetmja gjë që di, është se nuk di asgjë.” Prandaj, jo rrallë herë ndodh që shokun e klasës në 9-vjeçare, të cilit i jepnim kopje në orën e matematikës ta shohim drejtor banke; që djemtë e bankës së fundit të cilët mezor kalonin klasën bëhen ekspertë kontabël; që shoqja në krah e cila nuk fliste kurrë, bëhet deputete.
Pikërisht ajo që po ndodh në Parlamentin e Shqipërisë mund të jetë pjesërisht pasojë e efektit Dunning-Kruger. Njerëz me CV shumë modeste, pa eksperienca pune në jetë, futen në lista për deputetë e më pas pranojnë të jenë një prej vetëm 140 përfaqësuesve të popullit. E çuditshme! Nga njëra anë kemi profesorë apo teknicienë, të cilëve kur u propozohet të jenë pjesë e politikës, dyshojnë dhe mendojnë se do të ishin më të vlefshëm në sektorin profesional ku ndodhen duke mos e parë veten në lartësinë e duhur për të qenë të zgjedhurit e popullit, e nga ana tjetër kemi njerëz që preferojnë të vendosen edhe të dyzetë e shtatët në listë, vetëm që të thonë “jam kandidat për deputet”! Më pas mendojnë se ata kanë monopolin e vendimmarrjes, e shpëtimit të vendit, e përcaktimit se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar, ku me mediokritet i bëjnë karshillëk çdo ekspertize që vjen nga jashtë, pasi ata kanë “votat e qytetarëve”. Jo më kot, është e vështirë që të paktën në këto katër legjislaturat e fundit, të gjesh profesorë që kanë ndenjur më shumë se një mandat në Kuvend. E të mendosh që Kuvendi është pjesa më evidente e këtij problemi në sistemin e promovimit që ndjek shoqëria.
Normalisht, pa paragjykuar askënd, në Parlament përveç klasës problematike të deputetëve që kemi prej disa kohësh, me ndryshimet e bëra për shkak të zhvillimeve poltike, deri më tani kemi dy deputete të reja që nuk kanë asnjë eksperiencë pune të mëparshme; kemi një deputet i cili pasi ka mbaruar shkollën e mesme teknike në vitin 1982, ka përfunduar studimet master në Administrim Biznesi në vitin 2009; kemi të paktën dy deputetë që kanë përfunduar studimet në një universitet që zyrtarisht është mbyllur nga shteti shqiptar për shkak të abuzimit me diplomat. Dhe lista do të vazhdojë…
Botuar edhe në Opinion.al dhe gazetën Mapo.