Montanelli
Konflikti mes shkencës, fesë dhe Islamit, Roger Scruton: Ka ardhur koha të rikthehemi te vlerat

Konflikti mes shkencës, fesë dhe Islamit, Roger Scruton: Ka ardhur koha të rikthehemi te vlerat

“Bëhet fjalë për një cikël leksionesh që kam mbajtur në Universitetin e Princeton ku me ftesë të Robert George, një intelektual katolik, mora pjesë në programin Madison. Ato ditë trajtova tema që janë të rëndësishme për besimtarët dhe në veçanti për të krishterët, në pikëpamjen se si ta projektonin vizionin e natyrës së tyre njerëzore në kontekstin e zbulimeve shkencore që po bëhen sot.”

Kështu e përshkruan librin e tij të fundit “Mbi natyrën njerëzore” të botuar kohët e fundit nga Princeton University Press, Roger Scruton, besimtar, anglikan dhe urryes i të majtës sepse mbështet parimet konservatore.

Ai shpjegon se vepra e tij, e përmbledhur në pesëdhjetë vëllime që variojnë nga temat e moralit te filozofia politike, “ka pasur gjithnjë si qëllim të zbulojë se çfarë e dallon njeriun nga kafshët e tjera dhe pse fakti që jemi në këtë botë është kthyer në problem për ne”.  

Intelektual i zbuar nga Çekosllovakia gjatë komunizmit, emigrant në Boston sepse nuk u vlerësua në Britani, sot mban titullin “baron” të dhënë nga Mbretëresha Elisabetë dhe tregon se “ajo ç’ka na bën unikë është koshienca, vetëdija se perspektiva për botën varet nga jeta jonë e brendshme, por edhe kapaciteti ynë për të hyrë në marrëdhënie me të tjerët si “unë” dhe “ti”. Kjo ndryshon gjithçka për qeniet njerëzore, sepse nuk mund të konsiderohemi thjesht si objekte në natyrë por duhet të jemi të lirë për të ndërvepruar në një këndvështrim transhendent”.

Në librin tuaj ju nënvizoni se besimi fetar u përgjigjet disa nevojave thelbësore për ne, ndaj është i paevitueshëm besimi në Zot. Por në të njëjtën kohë, në perëndim, kishat frekuentohen nga gjithmonë e më pak besimtarë. Pse?
Po kalojmë një periudhë në të cilën njerëzit po humbasin perspektivën e tyre fetare, ose në rastin më të mirë është më pak e rëndësishme në jetën e tyre. Por nuk është hera e parë që një gjë e tillë ndodh në historinë e njerëzimit. Periudha e fundit e Perandorisë Romake u karakterizua nga ndjenja shumë të dobëta fetare, deri sa erdhi krishtërimi dhe besimi u kthye në diçka fort të rëndësishme. Kemi nevojë për besimin fetar, por është diçka që për ta arritur kërkon mundim nga ana jonë.

Për një të krishterë si ju është e trishtueshme të shohësh se si numri i besimtarëve që shkojnë në kishë zvogëlohet vazhdimisht?
Është e trishtueshme, por gjërat do të ndryshojnë. Problemi është se jeta jonë duket kaq e sigurt, kaq mbushur me rehati dhe kaq e lehtë saqë nuk e kuptojmë varësinë që kemi me Zotin. Por sapo ndodhemi në një situatë emergjente kuptojmë brishtësinë tonë dhe kthehemi në kishë. Nëse nuk do ta mbrojmë besimin tonë, Islami do të dominojë. Megjithatë mos të harrojmë se ekziston një diferencë shumë e madhe mes krishtërimit dhe islamit. Krishtërimi diti të përshtatet me botën moderne dhe të pranojë teoritë shkencore, ndërsa islami ndodhet në një gjendje të hapur konflikti me modernitetin. Në këtë pikëpamje krishtërimi ka më shumë mundësi për të mbijetuar nëse besimtarët do t’i përkushtohen.

Në librin tuaj ju flisni për divergjencat mes fesë dhe shkencës, që janë më të dukshme në Britaninë e Madhe në sektorin e bioetikës ku po prodhohen embrionë me tre prindër duke eliminuar fëmijët down. Askush nuk reflekton se si qenie njerëzore duhet të pranojmë edhe limitet tona, edhe nëse kjo do të thotë të mos kemi fëmijë apo të vuajmë nga disa sëmundje.
Jam krejtësisht kundër ndërhyrjes në procesin e riprodhimit. Nuk e dimë se ç’po bëjmë dhe as se në çfarë drejtimi po shkojmë, ndaj preferoj që kjo gjë të mos ndodhë. Por nga ana tjetër nuk mund të ndalosh kuriozitetin njerëzor. Ka ligje që rregullojnë këtë sektor por askush nuk e di se në ç’baza etike është bazuar legjislacioni sepse nuk ekziston më asnjë besim fetar ku mund të rrënjosen.

Mungon një debat mbi këto teknika të reja, por a nuk është e vërtetë se ankthi për të kuruar disa sëmundje bëhet prioriteti i vetëm?
Po, është shumë e vërtetë. Çdo veprim justifikohet në bazë të avantazheve që sjell pa marrë në konsideratë kostot. Është një sjellje potencialisht e rrezikshme.

Në librin tuaj flisni për konceptet e ndotjes dhe përdhosjes së trupit si themelore për ndërtimin e një morali seksual dhe shmangien e krimeve si dhuna seksuale. A janë ndjenja që na përkasin dhe si mund t’u japim vlerë e t’i mbrojmë ato?
Kemi nevojë për konceptet e pastërtisë dhe ndotjes për t’i dhënë kuptim seksit duke e përjetuar me gëzim. Në natyrën njerëzore ekziston një nostalgji e thellë jo vetëm për misterin seksual por edhe për raportet seksuale autentike që kërkojnë angazhim. Kjo është pjesë e jona dhe edukimi seksual, i shekullarizuar dhe i zhveshur nga sistemi i vlerave, e tradhton këtë dimension human që gjendet brenda nesh.

Pse sot shqetësohemi aq shumë që të rinjtë të marrin edukatën seksuale?
Me mediat sociale ndodhemi në një situatë të re, në një periudhë të vështirë tranzicioni. Duam t’i mbrojmë të rinjtë nga pornografia por nuk dimë se si ta bëjmë këtë duke nxitur kureshtjen e fëmijëve. Për fat të keq nuk ka një përgjigje të thjeshtë e të shpejtë për këtë problem. Rrjetet sociale kanë revolucionarizuar mënyrën tonë të të menduarit dhe të të jetuarit./ Roger Scruton ishte filozof anglez, i njohur për punimet e tij në fushën e estetikës, etikës dhe filozofisë politike. Ishte konservator i djathtë, që mbështeste rolin e traditës dhe familjes në zhvillimin e shoqërive. Ka dhënë mësim në Universitetin e Londrës, atë të Bostonit dhe St Andrews, ndërsa ka qenë kontribues edhe në shumë media të rëndësishme, ndër të cilat The Times, The Spectator dhe New Statesman. Në shqip janë përkthyer dy librat e tij, “Si të jesh i djathtë” dhe “Filozofia moderne”. Intervista ribotohet në këtë blog në ditën e ndarjes së tij nga jeta më 12.01.2020. Përkthyer nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *