Blog
Shqipja, muhalebishtja dhe administrata e gërmave të harruara

Shqipja, muhalebishtja dhe administrata e gërmave të harruara

Nga Erjon Uka/ Shqetësimi i profesor Gjovalin Shkurtajt për shqipen nuk është i pabazë. Në një ndërhyrje publike pak kohë më parë, ai bëri thirrje që politikanët të vlerësohen edhe nga gjuha shqipe, e cila në vitet e fundit po i ngjan gjithmonë e më shumë një ngrehine që rrëmohet nga të gjitha anët. Madje propozimi shkoi edhe më tej, që të zgjedhurit t’i nënshtrohen edhe provimit të gjuhës shqipe, një ide kjo e propozuar nga Ismail Qemali që në vitin 1913 kur thoshte se “Të gjithë ata që dëshirojnë të qëndrojnë në Administratën Shtetërore, duhet të japin provën se dinë gjuhën shqipe.”

Nuk mbetet pas as administrata shtetërore, në fakt “administrata e gërmave të harruara”. Po bëhet thuajse normalitet që në shkresa zyrtare të mungojnë “ë” apo “ç”, aq sa edhe kur i sheh ndonjëherë të duken si fosile të një epoke tjetër që mund të jenë ringjallur vetëm nga tekstet e përdorura dhe manualët teknikë që shiten buzë Lanës. Apo sheh të ngatërrohet ashtu si në gjuhën e folur “gj” me “xh” dhe “ç” me “q”. E për të mos zënë në gojë fjalët tërësisht gabim, të pakuptimta apo jashtë kontekstit. Një shqetësim të tillë ngriti edhe Instituti i Studimeve Politike, specialistit të së cilit me siguri i kishte mbaruar rezerva e bojës së kuqe të stilolapsit duke analizuar një tekst zyrtar të Kuvendit të Shqipërisë.

Por pse është kaq e rëndësishme gjuha? Ose, a ka vërtetë rëndësi të shqetësohemi më për të? Përgjigja është e thjeshtë, dhe sipas meje, është “Po”. Mbi të gjitha sot, në kohën e rënies së barrierave dhe dalldisë së multikulturalizmit, shtetet e vogla e kanë më të vështirë të ruajnë identitetin e tyre. Dhe gjuha është themeli i identitetit të një kombi, aq sa Octavio Paz nuk hezitonte të profetizonte se “Një komb shthuret kur nis të shthuret gramatika dhe gjuha e tij”. Drithëruese apo patetike, realiste apo moraliste, kjo thënie e Octavio Paz do të ishte mirë që të fusë në mendime jo vetëm gjuhëtarët, por këdo që gjuhën e ka pjesë të përditshmërisë së tij. Pra, të gjithë.

Në këndvështrimin e gjuhës, rrezikohemi mbi të gjitha nga anglishtëzimi, keqpërdorimi dhe mbi të gjitha moslëvrimi. Mjaft të kujtojmë që fjalori i fundit i gjuhës shqipe është punuar në vitin 1984! Dhe kjo e kombinuar me trendet globale të futjes së termave teknologjikë në gjuhën e përditshme, bëhet një rrezik serioz. Për shembull, “The Economist” në revistën “Bota në vitin 2016” paralajmëronte se shumë fjalë si “më whatsapp” (për të thënë “më shkruaj në WhatsApp”), “më venmo” (për të kërkuar transfertë parash ndëpërmjet aplikacionit “Venmo”) apo “më slek” (për të thënë më shkruaj në “Slack”) po shtoheshin dita-ditës, aq sa në fund të vitit 2016, mund të dilnin jashtë mode dhe të zëvendësoheshin nga të tjera. Edhe me përpjekjen e kompanive si Adobe që nëpërmjet fushatave zyrtare kërkuan zëvendësimin e foljes “fotoshopoj” me “Përmirësoj fotografinë në Adobe Photoshop”, ky parashikim rezultoi fatkeqësisht i suksesshëm.

“Çpb”, “Asap”, “Fyi”, “Sps”, “Klm”, “Çnth” janë shkurtime, fjalë a togfjalësha të përditshme që kanë kaluar nga rrjetet sociale, në shkrimet e dërrasës së zezë në shkollë, në komunikime elektronike zyrtare e shumë shpejt do t’i shohim në shkresa. E nëse çuditemi, me siguri do të jetë faji ynë.

Ernesto Sabato thoshte se të gjithë shkrimtarët e mëdhenj shkruajnë me thjeshtësi, por në kurriz të punës së madhe. Fundja, duke lexuar një roman të gjithë mendojmë se mund të shkruajmë lehtësisht si Tolstoi apo Stendali, gjersa e provojmë diçka të tillë. Gjuha kërkon angazhim dhe nuk mund të vijë dhuratë nga hiçi.

Në fakt, beteja e ftohtë në distancë mes shkrimtarëve dhe gramatikanëve ka kohë që zhvillohet. Ndoshta vetëm Shekspiri e pati luksin që për çdo koncept të cilit nuk i gjente fjalën, ta shpikte atë, pa pasur frikën e syve të rreptë të gardianëve të gjuhës. Në total, janë 1700 fjalë të shpikura nga ai. Ketë gjë Ernesto Sabato e arsyetonte me faktin se gjuha e jetës dhe gjuha e letërsisë nuk u binden ligjeve të rrepta pasi qëllimi i tyre nuk është të thonë të vërteta, por të arrijnë fitore. Nga ana tjetër, gjuha e shkencës ka përgjegjësinë t’i qëndrojë stoike tundimeve, pasi ajo duhet të thotë vetëm të vërteta.

Problemi në këtë pikë është, ç’të bëjmë kur edhe gjuha e shkencës shastiset? Më kujtohet gjithmonë se i vogël pyesja babain, deri në bezdisje, se sa gjuhë mund të fliste. E pas herëve të para që u përgjigj seriozisht, një ditë shtoi edhe “muhalebishten”, një ide e ardhur me siguri teksa më shihte që e karashtisja pa pushim tasin e muhalebisë që po haja për mëngjes, duke i dhënë një pamje që të bënte të rrudhje fytyrën. Çështja sot është që gjuha nuk duhet kthyer në muhalebi dhe shqipja nuk duhet zëvendësuar me muhalebishten. As për shaka.

Botuar edhe në Tiranapost.al dhe në gazetën “Fjala”, versioni print.

Leave a Reply

Your email address will not be published.