Blog
T’u harroft’ emri online

T’u harroft’ emri online

“Mijëra lajme të kronikës ku përmenden emra dhe mbiemra njerëzish, që qëndrojnë në arkivat online dhe mund të cenojnë jetën e gjithkujt. Pse e “drejta për t’u harruar”, është themelore në kohën e algoritmeve dhe motorëve të kërkimit? Një problem sa ligjor, aq edhe etik”

Nga Erjon Uka/ Ndër dënimet më mizore në të shkuarën ishte harresa e plotë. “Damnatio memoriae” quhej në latinisht dhe simbolizonte fshirjen totale të ekzistencës së një personi. Ishte mallkim dhe dënim si nga Kisha, ashtu edhe nga të ngjashmit në jetën e përditshme. Madje edhe në shqip ekziston shprehja, pra mallkimi, “t’u harroft’ emri”, si dëshirë për të të zhdukur përjetësisht kujtimin nga faqja e dheut.

Por sot diçka e tillë nuk është më mallkim, madje krejt e kundërta, është një dëshirë që arrin deri në përlutje. Në kohën e internetit, një pafundësi të dhënash mblidhen dhe ruhen në servera të mëdhenj duke i bërë të aksesueshëm nga çdo cep i globit në çdo kohë.

Natyrisht për ata që kanë një histori të suksesshme për të treguar, një arritje apo një meritë, mund të jetë gjëja e shumëpritur, momenti i duhur. Por jeta nuk përbëhet vetëm nga suksese të tilla, ajo është e mbushur me dështime të mëdha e të vogla, të cilat shpesh herë dhe fatkeqësisht përfundojnë në tituj gazetash online apo në faqe rrjetesh sociale.

Nëse dikush bën një kundravajtje a një krim, (supozoj se) dënohet, paguan gjobën ose vuan heqjen e lirisë për një kohë të caktuar. Në fund, ai e ka kryer dënimin dhe teorikisht mund të rinisë jetën normalisht. Praktikisht diçka e tillë vështirë të ndodhë. Nëse më parë gjykonin sytë e komshinjve dhe të të afërmve, e për këtë shkak njerëzit jo rrallë herë zgjidhnin të migronin në një qytet tjetër për të nisur një jetë të re, sot algoritmet e motorëve të kërkimit, të Google a të Yahoo, e bëjnë të vështirë fshirjen e kujtesës. Gjurmët e një gabimi qëndrojnë aty, në sy të botës, orar pa orar.

Pikërisht për këtë qëllim, Gjykata Europiane e Drejtësisë në Luksemburg ka vendosur para disa kohësh se çdo njeri ka të drejtë të fshijë informacionet në internet që kanë të bëjnë me të. Pra gjithkush ka të drejtën të harrohet.

Dikush mund të thotë se një problem i tillë ka ekzistuar edhe në kohën e lavdishme të gazetave të printuara. Po, është e vërtetë. Por për të gjetur një informacion në gazetën e para tetë viteve duhet të lëvrosh në arkivat e bibliotekës, ndërsa tashmë me një klikim mund të gjesh në të mijtën e sekondit çdo informacion që lidhet me fjalët kyçe të kërkimit, për filan a fistek person. Për këtë arsye, Gjykata vendosi se e drejta e privatësisë është më e rëndësishme se e drejta e publikut për të kërkuar informacione.

Natyrisht që një ligj a një nismë nuk mund ta rregullojë menjëherë të gjithë problemin. Skeptikët, me të drejtë, do të ngrinin pyetjen se ku ndahet më pas censura autoritare me të drejtën për privatësi? Krejt e vërtetë. Ama ky vendim i një organi drejtësie është shenjë se problemi ekziston. Nga ana tjetër, harresa nuk mund të jetë totale, madje një ndër detyrat e shoqërive është të kujtojnë dhe të mbajnë larg fantazmat e së shkuarës, sidomos ato që kanë kaluar momente të dhimshme e vështira. Por duhet bërë dallimi mes ngjarjeve me rëndësi madhore kolektive dhe atyre çikërrimave të jetës së përditshme.

Nëse dikush është dënuar për prishje të qetësisë publike se një natë kishte rrokëllyer ca gota më shumë se sa duhej, apo nëse dikush ka bërë një aksident me makinë prej vesës në rrugë a dalldisë së shpejtësisë, apo nëse dikush ka bërë një shtesë muri pa leje, dhe të gjithë këta e kanë shlyer dënimin, a është e drejtë që “të kujtohen” nga klikimet në Google? Kujt i shërben? Mendoj se askujt.

Dhe në median shqiptare, ku në masë publikohen pa teklif emra dhe mbiemra njerëzish në lajmet e shumëdashura të kronikës, pa verifikime dhe me të çmendurin “copy&paste” nga njëri portal në tjetrin si gurë dominoje, është mirë që e drejta për t’u harruar të zbatohet. Disa arkiva duhen zbrazur nga lajme të panevojshme për shoqërinë. Aty janë të panevojshme, të tepërta, informacione mediokre, por që individin mund ta mbajnë të njollosur përjetësisht. Është e vërtetë se jeta përbëhet nga mozaiku i çasteve, por nuk është e drejtë imponimi i një çasti të vetëm si shënjues për jetën e dikujt.

Botuar edhe në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *