Kërcënuesi është si ne
Nga Roberto Saviano/ Kur Luca Traini, më 3 shkurt 2018 në Macerata qëlloi mbi disa qytetarë të huaj duke i plagosur, nuk e kuptoja se si mediat italiane ishin kaq të ndrojtura për ta përkufizuar ngjarjen si një atentat terrorist. Më pas mësova se atentati terrorist në Perëndim, është i tillë vetëm nëse e kryen një njeri që ne e konsiderojmë të huaj. Ka pak rëndësi nëse ka lindur dhe është rritur aty ku kemi lindur dhe jemi rritur ne. Mjafton fakti që ka prindër të huaj dhe ndoshta edhe lëkurën lehtësisht më të errët. Mjafton të shquajmë tek atentatori ndonjë element të ndryshëm nga vetja. Duhet të themi se nuk na ngjan dhe ta bëjmë pjesë të kategorive që janë të ndryshme nga “normaliteti”.
Dy vite pas ngjarjes në Macerata, pas atentatesh dhe tragjedish të ndërmarra nga racistët e bardhë, më 19 shkurt një vrasës i ekstremit të djathtë në Gjermani vrau 11 persona pasi kishte lëshuar mesazhe të ndryshme në të cilat thoshte se duheshin “shfarrosur të huajt”. Ajo që më tronditi ishin përkufizimet e dhëna për vrasësin (i çmendur, i çekuilibruar…) dhe konstatimi se në Perëndim vazhdojmë t’i druhemi fundamentalizmit islamik më shumë se ideve të ekstremit të djathtë, më shumë se mohimit të tmerreve të Holokaustit. Është sikur në atentatet islamike të perceptonim momente kthjelltësie dhe në ato veprime kriminale të ekstremit të djathtë vetëm mërzi dhe çmenduri. Është e qartë që kjo ndodh sepse në ndonjë mënyrë duhet të qetësohemi, duhet të gënjejmë veten se e kemi gjetur mollën e kalbur për ta izoluar me lehtësi më pas. Mendimi se molla e kalbur është si ne dhe e padallueshme nga ne, na tmerron.
Pas dhënies së çmimit Oscar për “Parasite”, film i regjisorit koreano jugor Bong Joon-ho, u bëra kurioz të shihja punën e tij të mëparshme, “Kujtime të një vrasësi”. Nëse “Parasite” rrëfen raportin pasuri-varfëri në mënyrën më të gjallë të mundshme (si të mos ndiejmë goditje në stomak kur çifti i Park flet për erën e keqe të shoferit Ki-taek; si të mos ndiejmë zemërim kur Da-hye e pasur sheh qiellin e pastër pas shiut të rrëmbyeshëm që shkatërroi shtëpinë e familjes Kim dhe flet për stuhinë si një bekim që ka pastruar qiellin dhe ka freskuar ajrin), në “Kujtime të një vrasësi” me një qashtërsi për t’u admiruar, Bong Joon-ho tregon ndjekjen e një vrasësi dhe përdhunuesi serial. Ngjarja është ambientuar në vitin 1986 në një komunitet të vogël rural dhe na tregon saktësisht se çfarë ndodh kur të mbërthyer nga frika, na duhet të zbulojmë fajtorin.
Së pari shihen të gjitha rastet njerëzore: djali me një vonesë të lehtë mendore që fiksohet pas vajzave të bukura, që i ndjek me besimin se nuk do ta vënë re, por që nuk do të guxonte t’u prekte një fije floku; bashkëshorti që kujdeset për gruan e sëmurë, që punon dhe merret me fëmijët dhe që gjen te masturbimi një çlirim nga përditshmëria e tij klaustrofobike; djali i kthyer në qytet pikërisht në kohën kur nisën vrasjet, adoleshent, i shkathët, i bukur dhe i prekur thellësisht nga depresioni. Mes këtyre personave policia kërkon për fajtorin, mes kësaj njerzie të dëshpëruar dhe të ndryshme, në magjinat e shoqërisë sepse nëse vrasësi nuk do të ishte mes tyre, nuk do të kishim asnjë shenjë për ta dalluar nga ne. Kush nuk e ka parë filmin, të ndalojë këtu. Kush e ka parë ose kush nuk e ka problem zbulimin e ngjarjes, le t’i lexojë edhe këto rreshta të fundit.
Vrasësi nuk gjendet dhe hetuesi Park Du-man, i shkatërruar nga dështimi, ikën nga radhët e policisë. Ka një kapërcim të ngjarjeve dhe vijmë në vitin 2003 kur Park Du-man është një sipërmarrës i vogël. Puna e bën të përshkojë të njëjtën rrugë ku në vitin 1986 gjeti kufomën e gruas së parë që u vra. Ndalon makinën, zbret dhe afrohet në kanalin ku vrasësi kishte fshehur trupin. Teksa sheh aty, kalon një vajzë. I afrohet dhe i thotë se i vinte çudi, pikërisht një ditë më parë një burrë tjetër po kalonte aty, ishte ulur si ai dhe po shihte në të njëjtin kanal duke i thënë se ai vend i kujtonte gjëra që kishte bërë fiks 17 vitë më parë. Ishte vrasësi, Park Du-man është i sigurt. Por si ishte? Çfarë fytyre kishte? Instiktivisht pyet për të. Vajza i përgjigjet kështu: kishte një pamje normale, ishte një njeri i zakonshëm, një njeri si gjithë të tjerët. Ja pra, pikërisht këtë hiqemi sikur nuk e kuptojmë. Ajo që na tremb e që na kërcënon na ngjan aq shumë sa nuk jemi të gatshëm ta pranojmë./Përkthyer në shqip nga Erjon Uka.