Blog
Gra shqiptare kaq të ndryshme dhe ne kaq të njëjtë

Gra shqiptare kaq të ndryshme dhe ne kaq të njëjtë

Nga Erjon Uka/ Kryekronika e javës së kaluar ishte ndarja nga jeta e Nexhmije Hoxhës, e ndjekur benda disa orësh nga ajo e Vito Kapos, dy prej grave më të fuqishme të diktaturës në Shqipëri. E pas mllefit, mirëkuptimit, sulmit, mbrojtjes, nekrologjive dhe bilanceve të bëra me një frymë në artikuj portalesh dhe në rrjetet sociale, ndoshta është koha për një vështrim ndryshe jo më te personat, por te fenomenet. Te një pjesë e vogël e fenomenit “grua”.

Rastësia e desh që Nexhmije Hoxha të ndërronte jetë në të njëjtën ditë me Sabiha Kasimatin, e pushkatuar në vitin 1951. Kush e di historinë e saj, mund ta tejkalojë këtë paragraf, e kush nuk ka lexuar ende për jetën e saj mund të mësojë shkurtimisht se ishte kolege klase me Enver Hoxhën, që më pas me bursë shtetërore studioi në Universitetin e Torinos ku u diplomua me “trenta e lode”. Punoi në Institutin e Shkencave e madje bashkëpunoi me Eqrem Çabejn për hartimin e fjalorit të parë shkencor shqiptar. U akuzua si pjesëmarrëse në grupin terrorist përgjegjës për bombën në ambasadën sovjetike. U arrestua më 20 shkurt 1951 dhe u pushkatua mesnatën e 26 shkurtit. “Jam kundër pushtetit popullor sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Nuk kam qenë kurrë e mendimit se me akte revolucionare të arrihej në socializëm. Dhuna nuk çon në socializëm dhe aq më pak në demokraci, por vetëm dhe direkt në shkatërrim!”, ka thënë në hetuesi.

Ajo ishte shkencëtarja e parë shqiptare. Shkencëtarja që iu kundërvu diktatorit.

Vite më vonë, më 13 gusht 1983, e varfër, e sëmurë, e nëpërkëmbur dhe me siguri me pengun se nuk arriti t’i vërë në jetë idetë e saj, ndërroi jetë Musine Kokalari. E diplomuar në Universitetin e Romës, ajo themeloi në vitin 1943 Partinë Socialdemokrate dhe gazetën “Zëri i lirisë”. Siç pritej, pas vendosjes së regjimit komunist, u dënua me burg në Burrel e më pas shtyu vitet e fundit të jetës si fshesare në Rrëshen. Mes saj dhe Enver Hoxhës ka pasur një marrëdhënie të çuditshme e të ndërlikuar, ku fillimisht bazuar në letërkëmbimin e viteve ’30, ai i shprehte vlerësim për publicistikën e saj. Thuhet se edhe i ka propozuar për martesë, që Musine Kokalari e ka refuzuar, ndërsa sipas biografisë së Blendi Fevziut, kur në vitin 1960 PEN Club International kërkoi lirimin e saj si një prej 30 shkrimtarëve të burgosur nga diktaturat në botë, përgjigja e tij ka qenë thjesht: “Ende gjallë është rrospia?”. Në gjyq nuk pranoi të kërkonte falje, duke thënë ndër të tjera se: “Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!”.

Musine Kokalari ishte shkrimtarja e parë shqiptare. Ajo ishte kundërshtarja e parë e Enver Hoxhës.

Modelet e grave të përmendura deri më tani, janë dy modele të ndryshme të gruas: të gruas që konformohet dhe të gruas që ngre krye, të gruas që mbështet burrin e fuqishëm dhe të gruas që kërkon të vetërealizohet, të gruas që pranon realitetin dhe të gruas që tenton ta ndryshojë atë me gjithë forcë deri në vetëflijim, të gruas që vret gruan dhe të gruas që mbështet suksesin e grave të tjera.

Nexhmija, Vito, Sabihaja dhe Musineja janë gra, janë gra shqiptare por kaq të ndryshme nga njëra-tjetra. Jo i vogël është problemi se sot shoqëria shqiptare ka ende Nexhmije dhe Vito, të cilat me siguri kishin në dorë të luanin pjesën e tyre, qoftë edhe modeste, për të mos i përkeqësuar gjërat, por që nuk e bënë.

Siç ishin edhe shumë prej komenteve që justifikonin sjelljen e tyre nën diktaturë. “Nuk kishte ç’t’i bënte burrit”, “Ashtu ishte koha”, “E ja foli, ç’do ndryshonte” ishin disa nga mendimet që deri diku legjitimonin sjelljen e tyre. Është e vërtetë se sistemi duket më i fortë se çdo individ, po aq sa është e vërtetë se bashkësia e individëve formojnë dhe mbajnë gjallë sistemin. Ka njerëz për të cilët heshtja është krim, indiferentizmi është vrasës dhe dobësia është krizë intelektuale. Është ky rasti edhe i grave në krah të burrave të fortë.

Megjithëse disa prej koncepteve të sjella prej saj janë tejkaluar, francezja Simone de Beauvoir mbetet ende etaloni i lëvizjes feministe. Ajo thoshte se së pari gratë duhet të arrijnë lirinë, mbi të gjitha lirinë e brendshme duke i ikur kafazit mendor ku shumë jetojnë të mbyllura në mënyrë të pavetëdijshme. Por kjo nuk është një vijë mbërritjeje, por mbetet proces i vazhdueshëm, që si de Beuvoir kërkonte të ngjallte gruan shkrimtare, gruan filozofe, gruan e angazhuar politikisht, feministe por edhe gruan e dashuruar, gjithkush duhet ta kërkojë.

Vdekja e grave të udhëheqësve të diktaturës është mundësi për të hapur sërish një debat emancipues për rolin e grave në shoqërinë tonë dhe përgjegjësitë që çdo veprim a mosveprim ka. Nuk është e lehtë të kapërdish legjitimimin e veprimeve a mosveprimeve të njerëzve që kishin në dorë të ndryshonin diçka, ashtu sikundër nuk mundet që në të njëjtën kohë të justifikosh Nexhmijen dhe të adhurosh Sabihanë, të falësh Viton dhe të duash Musinenë. Ato tashmë janë fenomene: njëri është model që duhet flakur, tjetri që duhet ndjekur. Dhe jo patjetër me vepra të mëdha dhe heroizma, por çdo ditë, nga pak, mbi të gjitha në mentalitet.

Botuar edhe në Tiranapost.al

Tags :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *