Blog
Sa të ndryshëm do të jemi pas kësaj murtaje

Sa të ndryshëm do të jemi pas kësaj murtaje

Nga Erjon Uka/ Vitin që lamë pas e mbylla me leximin e një romani të cilin do ta përkufizoja si të zymtë, por jashtëzakonisht të thellë dhe gjithëpërfshirës: Murtaja të Albert Camus. Ai tashmë është një klasik i letërsisë botërore, jo sepse ka mbi 70 vjet që është shkruar, por sepse nëse një roman arrin të tejkalojë kufijtë gjeografikë dhe ato kohorë, arrin të zbulojë qoshet e shpirtit njerëzor, të të emocionojë dhe të jetë një udhërrëfyes në çdo kohë leximi, meriton të quhet i tillë. Megjithatë nuk do të ma merrte mendja se kaq shpejt do të kishte një shpërthim shitjesh (apo murtaje?) në Francë e në Itali, ashtu sikundër nuk më shkonte ndër mend se do të shkruaja mbi të.

Në Francë “Murtaja” është bërë leximi i preferuar (besoj pak nga malli e më shumë nga halli) i momentit për lexuesit, ndërsa në Itali libri është ngjitur nga vendi i shtatëdhjetë e një në vendin e tretë për sa i përket shitjeve. Dhe është lajm i mirë që në kohë të vështira njerëzit kërkojnë përgjigje për pyetjet e tyre jo vetëm tek institucionet shtetërore, te profesionistët dhe në internet, por edhe te letërsia, te dija më e thellë: e njëjta situatë ndodhi me librat e Houellebecq  pas sulmit terrorist të vitit 2015 në Paris, apo me “Katedralen e Parisit” të Victor Hugo fill pas zjarrit të një viti më parë.

Për sociologët që studiojnë specifikisht sjelljet e histerisë kolektive, lexime të tilla i ndihmojnë njerëzit të çlirohen nga situata stresive, pasi kuptojnë se nëse diçka është parashikuar nga një mendje njerëzore apo është kaluar një herë nga paraardhësit tanë, ne kemi çdo mundësi ta përballojmë me sukses.

Por le të kthehemi te “Murtaja” e Camus, e cila ngjarjet i vendos në qytetin “e ngathët e të pluhurosur” të Oranit në vitet ’40. Një qytet bregdetar, ku jeta vazhdonte shtruar pa ndonjë gjë që t’ia vlente të përmendje, deri sa doktor Rië vë re minjtë e ngordhur që pushtojnë rrugët e qytetit. Nuk kalon shumë kohë, njerëzit fillojnë të bien të vdekur njëri pas tjetrit, deri sa qyteti kthehet në një karantinë jo vetëm për qytetarët e tij, por edhe për turistët apo gazetarët që ndodheshin përkohësisht aty: nis dhuna, nisin grabitjet, mbyllen dyert e varrezave dhe qytetin e kaplon dëshpërimi teksa një grup i vogël njerëzish të udhëhequr nga doktor Rië tentojnë të gjejnë shërimin. “Është e qartë sot se sa pak mund t’i zësh besë fqinjit, ai të ngjit murtajën pikërisht kur ti je i pavëmendshëm; pastaj mbaje me shëndet”, shkruan Taruja në rrëfim.

Konteksti historik në të cilin shkroi Camus ishte ai i fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe mposhtjes së nazizmit (murtajës). Pavarësisht kësaj fitoreje të madhe, Albert Camus mendonte se minjtë mund të rizgjohen kurdoherë, për pasojë edhe murtaja mund të rikthehet. Mbi të gjitha romani rrugëton mes viktimizimit dhe dëshpërimit që mund të sjellin kriza të tilla, mes panikut dhe ankthit. “Murtaja” është historia e epidemisë që pushton një qytet me njerëz tragjikisht individualistë, të cilët shumë shpejt përfshihen në një shkatërrim të përbashkët duke u gjunjëzuar përballë sëmundjes. Vetëm në fund, vala e epidemisë nis të tërhiqet dhe njerëzit tentojnë sërish të nisin jetën e mëparshme.

Romani mbetet një metaforë e mirë për përballimin e krizave kolektive, e sidomos të kësaj pandemie aktuale që quhet Covid-19. Murtaja mund të jetë një sistem politik, një sëmundje, një pandemi antivlerash, një elitë e korruptuar. Si në çdo krizë, si në librin e Camus ashtu edhe në realitetin me të cilin po përballemi, ka njerëz që zgjedhin të bashkëpunojnë me të keqen, të dizinformojnë, të jenë dyshues apo cinikë. Gjithçka është e pritshme, ka ndodhur e do të ndodhë.

I publikuar vetëm dy ditë më parë, statusi i gazetarit dhe publicistit francez Bernard Pivot gati sfidoi Coronavirusin për viralitetin e tij, këtë herë në rrjet. “Koronavirusi është antikapitalist (bursa ka rënë), e do arin (+8%), është ekologjik (kemi më pak aeroplanë në qiell), është mizantrop (urren njerëzit që flasin mes veti) dhe është puritan (i ndalon njerëzit të preken)”. Humori i tij, disi i zi, është i nevojshëm në një situatë të tillë për të na kujtuar, megjithëse nuk është ngushëllim, se bota ka parë shumë me keq në një kohë kur masat ishin thuajse inekzistente.

Kjo pandemi na ka bërë të kuptojmë se njeriu me ankthet dhe instiktet e tij është shumë i ngjashëm pavarësisht se ku jeton apo nga kush qeveriset. Njerëz që nuk i binden autoriteteve i pamë në Lombardi, në kafenetë e Tiranës dhe në protestën e Francës. Fshehjen e problemit e pamë fillimisht në Kinë, më pas në Kore, në Itali e Spanjë, ndërsa ironikët i ndeshim çdo ditë në rrjet a në realitet.

Njerëzit po përballen me ankth, jo me frikë. Siç shpjegonte edhe filozofi Italian Umberto Galimberti, frika është përgjigje ndaj një rreziku konkret: është ikje nga zjarri, rezistencë ndaj hajdutit, forcë përballë operacionit, pra është përgjigje konkrete ndaj problemeve konkrete. Sot njerëzit nuk po përballen me frikë, por me ankth, pasi armiku është i padukshëm dhe masat e marra na duken absurde.

Pandemia do të kalojë, si të tjerat para saj në shekullin e kaluar apo qoftë edhe AH1N1 vetëm një dekadë më parë. Por a do të largohet “murtaja” pa prekur zemrën njerëzore? A mund të tejkalohet e keqja pa u përfshirë në të? “Ndihem më pranë me të mposhturit se me shenjtorët”, thotë Rië në finale të romani, “Besoj se nuk kam prirje për heroizëm dhe shenjtëri. Të jem njeri, kjo më intereson”.

Rië është si ne.

Botuar edhe në Tiranapost.al, Leximtari.al dhe gazeta Fjala.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *