Mos kini iluzione, bota do jetë si më parë dhe paksa më e keqe
Nga Michel Houellebecq/ Le ta pranojmë: pjesa më e madhe e emaileve të shkëmbyera në javët e fundit kishin si qëllim fillestar verifikimin nëse bashkëbiseduesi nuk kishte vdekur, dhe që as nuk ishte pranë vdekjes. Por, sapo kryhej ky verifikim, kërkonim gjithsesi të thoshim gjëra interesante, gjë që nuk është edhe aq e lehtë, sepse kjo epidemi arrinte të shkaktonte njëkohësisht ankth dhe mërzi.
Një virus banal, që ka pak lidhje me viruset e errëta gripalë, që nga mundësitë e mbijetesës deri të karakteristikat e turbullta, herë asimptomatik e herë vdekjeprurës, madje as i transmetueshëm përmes marrëdhënieve seksuale: me pak fjalë, një virus pa kualitet. Kjo epidemi që mund të shkaktonte edhe mbi një mijë të vdekur në ditë në gjithë botën, prodhonte njëkohësisht përshtypjen kureshtare të mos qenit një ngjarje. Për më tepër, kolegët e mi të respektueshëm (disa vijojnë ende të jenë të respektueshëm) nuk folën shumë për këtë, ata preferuan të merreshin me çështjen e izolimit. Dhe këtu do të dëshiroja të shtoja kontributin tim për disa nga komentet e tyre.
Frédéric Beigbeder (nga Guéthary, Pyrénées Atlantiques). Një shkrimtar, në çdo rast, nuk ka kontakt me shumë njerëz, jeton si vetmitar me librat e tij dhe izolimi nuk ndryshon ndonjë gjë të madhe. Jam dakord Frédéric, jetës sociale nuk i ndryshon thuajse asgjë me izolimin. Vetëm se ka diçka që ti harron (pa dyshim sepse duke jetuar në fshat i përjeton më pak kufizimet): një shkrimtar ka nevojë të ecë. Kjo karantinë më duket rasti ideal për të përmbyllur një debat të vjetër Flober-Niçe. Diku, nuk mbaj mend se ku, Floberi thoshte se nuk mund të mendojmë dhe as të shkruajmë mirë duke qenë të ulur. Protesta dhe ironi vinin nga Niçe (edhe këtë nuk mbaj mend se ku e ka shkruar) i cili e quante Floberin nihilist (pra jemi në periudhën kur Niçja kishte nisur ta përdorte termin kot më kot): ai vetë i konceptoi veprat e tij duke ecur, ajo që nuk është konceptuar duke ecur nuk ka vlerë dhe në fund të fundit ka qenë gjithmonë një kërcimtar dionician etj. Me pak dyshim mbi simpatinë e ekzagjeruar të Niçes, duhet gjithsesi të pranoj se në këtë rast është ai që ka të drejtë. Të nisësh të shkruash nëse në harkun e ditës nuk ke bërë ecje me ritëm të shpejtë, është e pakëshillueshme. Tensioni nervor i akumuluar nuk arrin të shpërbëhet, mendimet dhe imazhet vazhdojnë të përkunden në mënyrë të dhimbshme në kokën e autorit, i cili shpejt irritohet, ose çmendet. Gjëja e vetme që me të vërtetë ka rëndësi është ritmi mekanik i marshimit, që nuk ka si qëllim parësor lindjen e ideve të reja (edhe pse kjo mund të ndodhë, në një moment të dytë) por të qetësojë konfliktet e shkaktuara nga tronditja e ideve të lindura në tavolinë (dhe këtu është Floberi që nuk e ka edhe aq keq). Kur na flet për konceptet e përpunuara në shpatet shkëmbore të bregdetit të Nicës, në livadhet e Engadinës etj., Niçja fillon të dalë paksa nga tema: vetëm nëse qëllimi kryesor nuk është të shkruhet një guide turistike, peizazhet e përshkruara kanë më pak rëndësi sesa peizazhi i brendshëm.
Catherine Millet (natyrisht më shumë pariziene, por që u ndodh në Pirenej kur erdhi urdhri për të mos lëvizur). Situata aktuale i kujton me dhimbje pjesën e hyrjes të një prej librave të mi, “Ishulli i mundshëm”. Aty i thashë vetes se gjithsesi, ishte mirë të kisha lexues. Nëse mendohem tani, është pikërisht ajo që kam pasur në mendje në atë kohë, në lidhje me zhdukjen e njerëzimit. Asgjë që dukej si një film spektakolar. Diçka mjaft e trishtuar. Individët që jetojnë të izoluar në kabinat e tyre, pa kontakte fizike me njerëzit e tjerë, thjesht disa shkëmbehen vetëm përmes kompjuterit, por edhe këto kontakte bëhen gjithmonë e më të rralla.
Emmanuel Carrère (Paris-Royan, duket se ka gjetur një arsye të qenësishme për t’u martuar). A do të lindin libra interesantë të frymëzuar nga kjo periudhë? Këtë pyet ai. Por këtë pyes edhe unë. E kam bërë vërtetë këtë pyetje, por thellë-thellë mendoj se jo. Mbi murtajën kemi pasur shumë për të thënë në harkun e shekujve, murtaja i ka interesuar shumë shkrimtarëve. Por në rastin tonë dyshoj. Dhe ndërkohë nuk u besoj deklaratave të tipit “asgjë nuk do të jetë më si më parë”. Përkundrazi, gjithçka do të jetë si më parë. Zhvillimi i kësaj epidemie qartësisht është diçka normale. Perëndimi nuk është përjetësisht dhe as për shkak të së drejtës hyjnore zona më e pasur dhe më e zhvilluar e botës. E gjitha kjo ka ca kohë që ka mbaruar, nuk është më një scoop. Nëse shohim me detaje, Franca po ia del disi më mirë se Spanja ose se Italia, por më keq sesa Gjermania. As këtu nuk ka asnjë surprizë. Koronavirusi, përkundrazi, duhet të ketë si rezultat fillestar përshpejtimet e disa ndryshimeve që ishin në proces. Prej disa vitesh tashmë së bashku me ndryshimet teknologjike, qofshin këto të vogla (video me kërkesë, pagesë pa kontakt fizik) ose të mëdha (puna nga platforma virtuale, blerje në internet, rrjetet sociale) kanë pasur si pasojë fillestare (apo si objektiv kryesor?) zvogëlimin e kontakteve materiale dhe mbi të gjitha njerëzore.
Epidemia e koronavirusit ofron një arsye të mrekullueshme që t’i shkojmë kësaj tendence deri në fund, një lloj adoleshence që duket se po godet marrëdhëniet njerëzore. Makinat me qira, ndarja e shtëpive: kemi gjithë utopitë që merojmë, por ta lëmë këtë muhabet. Do të ishte po aq false të pranonim se kemi rigjetur tragjiken, vdekjen, perfeksionin etj. Tendenca prej gjysmë shekulli, e përshkruar mirë nga Philippe Airès, është injorimi i vdekjes. Dhe ja, kurrë më parë vdekja nuk na është shfaqur kaq e matur sa këto javë. Njerëzit vdesin në vetmi në dhomat e spitaleve apo të azileve, varrosen menjëherë pa ftuar asnjë, në fshehtësi të plotë. Vdekje pa dëshminë më të vogël, viktimat reduktohen në njësi statistikore të vdekjeve të përditshme dhe ankthi që përhapet në popullsi që me kalimin e kohës rritet ka diçka çuditërisht abstrakte.
Një tjetër shifër mori shumë rëndësi këto javë, ajo e moshës së të sëmurëve. Deri kur duhet të kujdesemi për ta? 70, 75, 80 vjeç? Mesa duket varet nga rajoni i botës ku jetojmë. Por asnjëherë më parë nuk e kishim shprehur me paturpshmëri kaq të qetë faktin se jeta nuk ka të njëjtën vlerë për të gjithë. Që duke nisur nga një moshë e caktuar (70, 75, 80 vjeç?) zërë se jemi të vdekur. Të gjitha këto tendenca, siç e thashë, ekzistonin para koronavirusit, tani thjesht u vunë në dukje. Nuk do të zgjohemi në një botë të re pas izolimit. Do të jetë e njëjta, paksa më e keqe.
*Michel Houellebecq është ndër shkrimtarët më të lexuar francezë në botë, dhe njëkohësisht më kontrovers kryesisht për bindjet e tij që konsiderohen islamofobe, raciste dhe mizogjene. Kjo letër e tij e shkruar për radion “France Inter” u përkthye në shqip nga Erjon Uka. Botuar edhe në Tiranapost.al