Blog
Një tjetër shans i humbur për universitetin

Një tjetër shans i humbur për universitetin

Nga Erjon Uka/ Edhe një herë, Universiteti i Tiranës arriti të bëhet kryelajm, por jo për shkencë apo për metoda inovative të mësimdhënies, por për zgjedhje, për ndarje pushteti, për njohje a mosnjohje ligji, për lexime të ndryshme urdhrash të njëjtë a lexime të njëjtë të urdhrave të ndryshëm.

E gjithë java që lamë pas u karakterizua nga debati për zgjedhjet në universitet, në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe të mosprezencës së studentëve, vota e të cilëve përfaqëson 10% të peshës totale. Më në fund, duket se Ministria përkatëse vendosi t’i jepte kohë kohës dhe vetes, duke i vënë një gjysmë-kapaku tenxheres që shumë shpejtë do të vlojë sërish, me pezullimin e zgjedhjeve të parashikuara më 12 qershor.

Një ngërç i madh e ka zënë sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri (që në fakt së fundi është përforcuar, jo se nuk ka ekzistuar) me një reformë të lënë përgjysmë dhe një ligj me paterica, duke e detyruar universitetin që të bashkëudhëtojë më së shumti me burokracinë e të flirtojë haptazi me interesat politike, e të ketë fare pak pikëtakime me shkencën.

Që në fillim kam menduar që koronavirusi nuk duhet të paralizojë shoqërinë. Proceset duhet të vazhdojnë dhe njerëzit duhet të fitojnë përgjegjshmërinë për të pasur një bashkëjetesë të vështirë me të. Pikërisht se e shpallëm veten në “luftë” të egër donkishoteske me të padukshmen, sot e në vazhdim po vuajmë pasoja që vijnë sa natyrshëm, aq edhe nga prirja përfituese që kategori të ndryshme por dominante në shoqëri, tregojnë në kësi rastesh.

Dhe pyetja është: A ka sens që të kërkohet të mbahen zgjedhjet në universitet, aq më tepër pa praninë e studentëve, në një kohë të tillë? Mendoj se jo. Dhe në mes dhjetëra arsyesh morale, juridike, hyjnore apo zakonore, të paktën për dy arsye kryesore.

Së pari, idealisht universitetin e kam menduar, dhe kam besimin se shumë të tjerë e mendojnë të tillë, si një Everest mbi shoqërinë, ku thërrmijat ndotëse që rëndojnë në përditshmërinë tonë shkatërrohen nga urtësia, dija dhe pasioni për shkencën. Në fakt, siç u dëshmua edhe këtë herë, nuk është aspak kështu. Rastësisht një javë më parë pashë se Universiteti i Bolonjës në numrin e radhës së një prej revistave shkencore kishte botuar studime nga akademikët mbi menaxhimin e krizës pandemike. Sigurisht, duke ditur burimet e kufizuara dhe problemet me financimin e kërkimit shkencor (që është një ndër të tjera problemet që nuk u është dhënë zgjidhje), racionalisht nuk mund të kërkohet e njëjta gjë. Por të paktën nxitja e një debati mbi pasojat e koronavirusit në ekonomi, oponenca nëse paketat financiare janë të duhurat, trajtimi i rolit që kanë sistemet e informacionit, e ardhmja e punës fleksibël, përmirësimet në sistemin shëndetësor, sjellja politike gjatë krizës apo analizimi i prirjeve sociale gjatë izolimit mund të shërbenin për t’i rënduar paska hijen një institucioni të tillë. Në vend të kësaj, maksimumi që po ndodh, janë qëndrime profesionale por personale të disa ekspertëve. Dhe gjysma e së keqes që të paktën mediat, këtë herë, i dhanë më shumë hapësirë ekspertëve sesa analistëve. Prandaj, në një rast të tillë paqartësie dhe çoroditje të përgjithshme, universiteti bëri të kundërtën e asaj që pritej dhe vazhdoi i pashqetësuar në çoroditjen e tij.

Së dyti, sistemi universitar shtetëror shqiptar sapo la pas një prej protestave më të mëdha të studentëve gjatë historisë së arsimit të lartë në Shqipëri, ku në mes të shumë kërkesave, mbizotëronte ajo për më shumë përfaqësi. Pikërisht për këtë shkak, duket në rastin më të mirë e palogjikshme dhe në rastin më ekstrem krejt dashakeqëse, tentativa për të pasur zgjedhje pa praninë e studentëve. Dhe në të vërtetë, në këtë pikë nuk kemi të bëjmë më thjesht me një kërkesë të studentëve, por me një ligj që duhet zbatuar.

Sidoqoftë, e gjithë sherrnaja u la pas, mendoj përkohësisht. Procedurat burokratike dhe zgjedhjet do të vijnë sërish, sepse janë “adet” që duhet kryer. Por ky ishte një rast i humbur për institucionin më të madh të arsimit të lartë në Shqipëri dhe për vetë Ministrinë e Arsimit për t’i dhënë më shumë besueshmëri në sytë e publikut, e mbi të gjitha në sytë e studentëve. Për të treguar se në thelb arsimi dhe jo lufta për një karrige (apo për disa karrige njëkohësisht) është shqetësimi kryesor, për të dhënë një mesazh se ky sektor është “ndryshe”, për aq sa mund të jesh ndryshe në një mjedis të ndërlidhur nga çdo cep.

Por kjo nuk ndodhi. E madje pak besim kam se do të ndodhë. U tregua se orët e gjata të leximit e kërkimit shkencor, bëhen nul përpara nevojës për më shumë pushtet dhe luftës brenda llojit.

Thjesht një shans i humbur dhe një zhgënjim më shumë ndaj sistemit arsimor.

Botuar edhe në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *