Dëshira e çmendur në intervistën e fundit, Ezio Bosso: Të përqafoj miqtë dhe të qeshim që jemi gjallë
Ezio Bosso, pianist dhe kompozitor, u nda nga jeta sot, më 15 maj. Ai ishte 48 vjeç dhe vuante prej kohësh nga një sëmundje që prek neuronet motorike. Gjithsesi, megjithë vështirësitë fizike, nuk hoqi dorë nga muzika dhe pak vite më parë prekur zemrat e gjithë publikut në botë me performancën në Sanremo. Kjo është intervista e tij e fundit, e dhënë më 17 prill 2020 nga shtëpia e tij në Bolonja, ku si dëshirë të çmendur pas përfundimit të pandemisë thoshte se kishte përqafimin e miqve. Miq që nuk arriti dot t’i përqafonte më.
Prej sa ditësh nuk
shihni diellin?
Jam në shtëpi prej 24 shkurtit. Nëse do të përllogaris edhe periudhën e kurave,
nga data 9 për terapitë e zakonshme, tashmë janë bërë më shumë se 2 muaj
mbyllje.
Një gjendje që kërkon
shumë maturi.
Nëse unë nuk e nxjerr hundën jashtë, nuk është prej frikës por prej trishtimit.
Bolonja është e shkretë, ka vetëm gurë dhe nja dy njerëz me fytyra të
trishtuara… Për çfarë të dal? Ka më shumë jetë brenda shtëpisë sime.
Që ndër të tjera është
një shtëpi e madhe dhe e bukur.
Me një defekt të vetëm, që nuk hyn kurrë dielli… Por nuk ankohem. E jetoj mirë
vetminë, e bashkëndaj me shoqen time Annamaria dhe me qentë tanë, dy basset
hound dhe një dachshund. Ata janë më të lumturit. Nuk u besojnë syve që na kanë
kaq pranë ditë e natë.
Si ka ndryshuar ritmi
i jetës?
Sëmundja më ka stërvitur për të përballuar kufizime edhe më të rënda. Por këtë
herë nuk është trupi im që më mban, por diçka e jashtme, kolektive dhe
misterioze. Janë ditë të çuditshme, koha dhe hapësira janë bërë elastike, hera
herës orët duken të përjetshme, herë fluturojnë. Herë ndihesh në burg, herë
zbulon Dhomën e Dymbëdhjetë, atë që të liron. Është titulli i një albumit tim të
vjetër.
Çfarë ju ndihmon për
t’i bërë ballë kësaj situate?
Disiplina e muzikës. Netët e gjata, operat, të japin një edukojnë me një
disiplinë të brendshme. Nuk i kam ndryshuar rregullat e mia: edhe nëse nuk dal,
zgjohem herët, rruaj mjekrën, vishem. Pastaj studioj. Thellohem dhe vë në
dyshim çfarë kam bërë, përballem me partitura që ndoshta nuk do t’i dirigjoj
kurrë sepse nuk do të m’i japin. Dhe pastaj pjesëza të veçanta, procese teknike
dhe historike që janë të nevojshme… Ushtrimet që praktikoja në hapësirë, për
të më detyruar të përqëndrohesha, tani i provoj në shtëpi.
Ditët janë të njëjta?
Vetëm në dukje. Variojnë në bazë të gjendjes sonë të brendshme. Është një kohë
pa kërkime. Mua më mungon koha kur bënim muzikë, por mund të përfitojmë nga kjo
pauzë për t’u përmirësuar duke menduar mbi gabimet e bëra. Por këtë gjë nuk e vërej
shumë.
Mendoni se është kështu?
Të përmirësohesh është një zgjedhje, jo një pasojë, kërkon shumë impenjim me
veten. Të qëndrosh mbyllur në shtëpi nuk mjafton. Kjo retorikë boshe që
qarkullon është e padurueshme. Po ashtu edhe ligësia e përhapur në internet nga
komplotistët e shurdhër që duan patjetër të bëjnë dikë me faj.
Çfarë ju mungon më
shumë?
Të krijoj muzikë. Dhe të gjendem me muzikantët e Europe Philharmonic Orchestra,
ata janë vëllezërit dhe fëmijët e mi. Flasim shpesh gjatë ditëve, por nuk është
e njëjta gjë. Disa prej tyre po përjetojnë vuajtje në këtë periudhë, nuk mund të
luajnë më, nuk kanë as të ardhura.
Çfarë po dëgjoni këto ditë?
Për mua është e vështirë të dëgjoj vetëm për kënaqësi, duke qënë se dëgjoj çdo pjesë të orkestrës veçmas. Ndërsa ajo që studioj, më oshëtin në kokë me shumë fuqi. Tani po më ndodh me Mahler.
Çfarë lexoni?
Tekste të historisë antike mbi mënyrat se si dëgjohej muzikë mijëra vite më parë.
Kam fatin të kem miq të kultivuar, profesorë universitetesh me të cilët flas për
të drejtat kanunore apo historinë mesjetare.
Shihni televizor?
Sa më pak të jetë e mundur. Dhe mjaft me këtë leksik përçarës, virusi nuk është
armik, nuk po ndodh një luftë. Nuk do ta mundim, ashtu si edhe me sëmundjet e
tjera si Sida apo kanceri, do të duhet të bashkëjetojmë.
Po transmetohen
koncerte dhe opera, kurrë më parë nuk ka pasur kaq shumë muzikë në televizion.
Po transmetohet sepse e kemi krijuar, por po ezaurohen. Është një pasuri që
duhet ushqyer, muzika në televizor na bën shoqëri dhe na bën të shpresojmë se
shpejtë do ta dëgjojmë sërish në sallë. Si teatri, klasikja ka kuptim vetëm po
ta shohësh nga afër.
Dëshira juaj e
çmendur?
Të përqafoj miqtë. Si natyrë jam i ndrojtur, i rezervuar dhe me trupin kam një
qasje të veçantë. Nuk përqafoj cilindo, vetëm ata që dua. Kjo maturi e detyruar
më rëndon. Do të jetë interesante rigjetja e një raporti fizik. Ndoshta do të
ndihet paksa sikleti, ndoshta edhe frika. Do të nisim të qeshim, ose do të na
rrjedhin lotët curril. Nuk e di si do të jetë. Por sido që të jetë do të
buzëqeshim. Të lumtur që jemi gjallë.
*Ezio Bosso ishte kompozitor dhe dirigjent italian, i ndarë nga jeta në moshën 48-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë neurodegjenerative. Kjo ishte intervista e tij e fundit, e botuar në Corriere Della Sera. Përkthyer në shqip nga Erjon Uka.