Borges
Njerëzimi ekziston, por për shumicën është telash i madh

Njerëzimi ekziston, por për shumicën është telash i madh

Nga Martín Caparrós/ Themi se momentet më të fuqishme në histori janë ato në të cilat nuk ekziston asnjë mënyrë për të mohuar se fati i njerëzve nuk është individual, por i përbashkët. Ndodh rrallë herë, e për këtë arsye zakonisht i quajmë “ngjarje historike”.

Në pjesën tjetër të kohës, shumica e njerëzve këmbëngulin se ajo që u ndodh varet nga vetë ata: thonë se janë më të fortë se rrethanat në jetët e tyre. Varet, sigurisht, por varet më shumë nga bota në të cilën jetojnë, nga shtresa shoqërore, nga familja.

Kjo pandemi na ka bërë të qartë, me një qartësi thuajse të tepërt, se ajo që i ndodh secilit prej nesh varet nga ajo që ndodh me gjithë të tjerët. Ose mund ta them edhe ndryshe: infektimi mund të vijë nga çdo gjë, nga kushdo, nga kushëriri, nga bashkëshorti apo nga një shpërndarës picash. Nëse ai njeri që ju dorëzon picën është i infektuar, mund të jeni edhe ju. Për të shpëtuar, duhet ta shpëtoni. Është një shenjë shumë e dukshme se fatet tona janë të lidhura, janë të përbashkëta.

Vetëm e zakonshmja tani përfshin gjithnjë e më shumë njerëz. Kjo krizë vuri në praktikë diçka që e dinim, të paktën në teori: që globalizimi nga thjesht një ide, e bën njerëzimin një realitet.

Ideja e njerëzimit ekziston qyshkurse njerëzimi nuk ekzistonte. Që kur kishte bashkësi të vogla, ku fati i njërës nënkuptonte në një farë mënyrë fatin e të tjerëve. Ose, le të themi, ku ishte e lehtë të shihej se fati i secilit nënkuptonte atë të të tjerëve dhe më pas njerëzit kujdeseshin për veten.

Kam dëshirë të besoj se momenti kulmor i kësaj ideje ishte në Athinë, kur qytetarët zbuluan se në luftime vareshin nga njëri-tjetri sepse kishin shpikur formacioni hoplit, ku çdo burrë kishte të njëjtën vlerë si të tjerët, pasi mjaftonte që njëri të dështonte për të shkatërruar formacionin duke sjellë vdekjen e të gjithëve.

Kështu krijuan atë që e quanin demokraci, ku vota e secilit vlente njësoj me atë të fqinjit, për sa kohë që ai burrë ishte qytetar dhe arrinte ta siguronte jetesën nga puna e skllevërve dhe emigrantëve. Demokracia e ktheu atë ide të njerëzimit në një formë politike. Me pak fjalë, njerëzimi ishte një hapësirë ku të gjithë njerëzit kanë rëndësi dhe në një farë mënyrë janë ekuivalentë. Është e lehtë të shihet se ata që kanë rëndësi janë Abeli, peshkatari i asaj shtëpie, Mabeli, vajza e kovaçit, Jazabeli, zeshkania me gjinj të mëdhenj: pra fqinjët.

Krishtërimi deshi (vërtetë deshi?) ta zhvendoste këtë nocion të lagjes në një shkallë më të gjerë si ide universale të kishës që njeriu duhet ta trajtojë fqinjin – çdo fqinj – si veten e tij. Një ligjërim vërtetë tërheqës, por që nuk u praktikua. Dhe më vonë, në shekullin e tetëmbëdhjetë ideja e njerëzimit u përdor kundër të njëjtës fe dhe u përforëcua një shekull më pas kur Marksi lexoi Terencin dhe përsëriti se asgjë njerëzore nuk ishte e huaj për të. Por sapo gjetën mundësinë, marksistët filluan të flisnin për socializëm në një vend ku të tjerët kalbeshin në Siberi dhe në gulakë.

Gjithçka në emër të njerëzimit: ideja se të gjithë jemi pjesë e së njëjtës gjë dhe se e mira e një personi ka nevojë për të mirën e të gjithëve, e pikërisht për këtë arsye duhet të kujdesemi për njëri-tjetrin. Nuk ka asnjë ide që ka rezistuar më fort. Sjelljet gjithmonë e kanë kundërshtuar këtë ide, por këto sjellje trajtohen dhe kuptohen si gabime, si devijime. Idetë më të mira, ato më të fuqishmet, nuk zbatohen kurrë dhe është pikërisht mungesa e realizimit të tyre që i ruan dhe i përforcon.

Njerëzimi është një prej tyre. Është e lehtë, në përgjithësi, të shohësh jorealitetin e saj: thjesht shko në çdo qytet në Indi apo në periferi të vendlindjes time. Vetëm tani, në këto ditë, realiteti sulmoi hapur: kundër viruseve, të cilët janë aq të trashë sa nuk duhen diskriminuar, ekziston njerëzimi, dhe për shumë njerëz, ky është goxha telash. Do të vijnë sërish kohët për ta harruar, nuk na kushton asgjë.

*Martín Caparrós është shkrimtar dhe gazetar argjentinas. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka. Botuar edhe në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *