Blog
Kur jeta vlen më pak se turpi

Kur jeta vlen më pak se turpi

Nga Erjon Uka/ Plaku Silvio tregon se dikur, rreth viteve ’30 të shekullit të shkuar, diku në Francën qendrore, në një qytezë të vogël por me familje të mëdha si në numër ashtu edhe në emër, ndodhi një vrasje. Dy djem e panë farë mirë se Zhanin, një mezoburrë, e shtynë në ujin e furishëm të lumit duke i marrë jetën, por megjithatë versioni zyrtar thoshte se i shkau këmba e ra nga ura. Sepse djemtë nuk folën. Nënat e tyre i këshilluan të heshtnin, të harronin ç’kishin parë. Turistët vinin e iknin në atë qytezë të Francës qendrore, shihnin kështjellat hijerëndë dhe rrugicat intriguese, por nuk dinin sekretet që ato mbartnin. Banorët i dinin të fshehtat, por nuk flisnin. Kërkonin qetësinë e rreme dhe sipërfaqen e lëmuar e gjasme tëqashtër të përditshmërisë së tyre, pa vrarë mendjen se ç’pasoja sillnin sekretet familjare.

Po në Francë, në Parisin e fillim-Luftës së Dytë Botërore, jetonte një shkrimtare e re nga Kievi me origjinë hebraike. Pasi ndoqi studimet në Sorbonne, nisi të shkruante që në moshën 18 vjeçare dhe brenda shumë pak viteve ishte ndër shkrimtaret më në zë frankofone. Në një Europë që politikisht po bënte sikur nuk kuptonte a nuk donte ta besonte përgatitjen e agresionit nazist dhe ngritjen e urrejtjes ndaj hebrenjve, shkrimtarja e re kërkoi me ngulm nënshtetësinë franceze, edhe si një mënyrë që mund t’ia shpëtonte jetën. Shumica burrave që kishin në dorë vendimin e dinin se çfarë e priste, por në vitin 1938 ia refuzuan nënshtetësinë. Në korrik të vitit 1942 ajo u arrestua si person pa shtetësi me origjinë hebraike. Një muaj më vonë vdiq në moshën 39 vjeçare.

Kjo shkrimtare ishte Irène Némirovsky. Me siguri shumë lexues shqiptarë e njohin prej librit “Suitë franceze” apo “David Golder”. Ndërsa historia e shkurtër në hyrje të këtij artikulli vjen nga romani “Afshi i gjakut”, dorëshkrimi i të cilit u gjet në arkivat e dy biografëve dhe u botua vetëm në vitin 2007. Me siguri, nëse Némirovsky do të jetonte ky do të ishte romani i saj më i mirë, pasi duket qartë që është lënë i paplotësuar. Kur e lexoja, duke ditur edhe historinë e shkrimtares, mendoja se plaku Silvio ishte vetë ajo dhe nuk e fsheh se m’u shtua adhurimi për një rrëfimtare femër që flet nga pozita e një një rrëfimtari të moshuar e çapraz, ndoshta edhe paksa lapërdhar, si plaku Silvio.

Mu ndërmend e gjitha kjo histori pak ditë më parë, jo kur u publikua rasti i një vajze 15-vjeçare të përdhunuar nga roja i shkollës, por kur u bë publik fakti se komuniteti përreth ishte në dijeni të kësaj gjëje, e askush nuk kishte reaguar, jo më të denonconte. Sigurisht që inati i shfryrë përgjatë këtyre ditëve ndaj një përdhunuesit dhe djemve që kishin shpërndarë videon është legjitim, urrejtja ndaj tyre, mllefi që të vjen natyrshëm, e normalisht asnjë presje e asnjë pikë nuk i hiqet çdo statusi Facebook-u apo artikulli të botuar për këtë ndodhi, qofshin këta pseudo-moralistë, realisht të indinjuar apo njerëz që thellohen në çështjet psiko-sociale. Në shoqëritë e post-të vërtetës tërbimi si flakë kashte pas ngjarjeve të tilla është kthyer në një gjë të pritshme e rutinë. Por fatkeqësisht është flakë kashte. Digjet shpejtë, e harrohet.

Por pavarësisht kësaj.

Pa i hequr as edhe një guriçkë shëmtisë dhe perversitetit të kësaj ngjarjeje, kam menduar se ngjarjet e tilla në vetvete dhe reagimi shoqëror ndaj të tilla ngjarjeve janë dy anët e të tërës. Dhe zjarrmia e shpërthyer në SHBA pas vrasjes së George Floyd (për të cilën mendoj se më shumë se një krim racist, ishte një shprehje primitive e supermacisë së një të forti ndaj një të dobëti, por temë tjetër kjo) dhe apatia e komunitetit që prej kohësh kishte dijeni për ngjarjen e shëmtuar të ndodhur në Shqipëri, besoj se më japin të drejtë.

Por duhet të gjejmë “pse”. Me siguri nuk është vetëm një e tillë, por janë shumë e shumë “pse” të shtresëzuara e të ndërlidhura me njëra-tjetrën që mund të shpjegojnë mosreagimin e komunitetit ndaj ngjarjeve të tilla. Komunitetet në Shqipëri, që të gjitha bashkë përbëjën shoqërinë, i ngjajnë shumë asaj qytezës në Francën qendrore të viteve ’30. Një shoqëri maskiliste, e këtu s’po them asgjë të re, që burrin e forcon dhe i jep të drejta pronësie mbi të tjerët pa teklif, që është e gatshme të bëjë shumëçka për të fashitur turpin, një shoqëri që konformohet e kaq shpesh bën sikur harron, saqë me të vërtetë po i vdesin dita-ditës nervat e memories kolektive, një sens i humbur i të mirës së përbashkët dhe një kuptim për së prapthi i lirive vetjake.

Për të qenë realistë budallallëku njerëzor dhe perversiteti, sidomos në shoqëri të tilla maskiliste e të frustruara seksualisht, është i pafund. Por është reagimi dënues dhe përçmues i vetë komuniteteve që shërben si mekanizëm për rrallimin e këtyre rasteve. Ndërkohë që të gjithë e dimë se periodikisht përballemi me lajme të tilla, të cilat në fakt janë vetëm maja dhe pjesa më e shpifur e shëmtisë që ndodh çdo ditë në komunitetet tona. Nëse do t’i dedikojmë pak kohë rikthimit të mendimit, shumë pak, me siguri mjaft prej nesh do të skuqeshin e turpëroheshin nga indiferenca dhe mendimet konformiste që na kanë shkuar qoftë edhe nëpër mend kur kemi parë një prind që rreh një fëmijë, një burrë që qëllon një grua, një fëmijë që dhunon një kafshë, një epror që ofendon një punonjëse, një të afërm që shkatërron një ambient publik. Çdo ngjarje e kobshme e ka filizin nga një ngjarje “normale” përditshmërie.

Me siguri i kemi justifikuar. Me shumë gjasa kemi bërë sikur nuk kemi parë gjë. Me siguri kemi thënë se turpin do ta hamë me bukë. Me siguri kemi thënë më mirë të dalë syri, se nami. Por ishte shumë tronditës fakti se ajo 15-vjeçare kishte tentuar të vriste veten. Sepse direkt a indirekt na thuhet se nderi vlen më shumë se jeta, se jeta vlen më pak se turpi. Uroj që përgjegjësi, ose përgjegjësit nëse do të rezultojnë se janë disa, të dënohen. Por nuk mund të mos bëhem pak cinik e të pyes, se ç’vlerë ka dënimi në një shoqëri që vuan nga sindroma e kujtesës së peshkut? A do t’ia bëjë jetën më të mirë asaj vajze? A do t’ia shqyejë kujtimet nga koka? A do t’ia fashisë krupën nga trupi?

Diku në romanin “Afshi i gjakut”, Nemirovski, e cila vdiq prej indiferencës dhe arrogancës burokratike, thoshte se nuk e dinte nëse njeriu mund t’i jepte formë jetës së tij, por ama ishte e sigurt se jeta e jetuar arrin ta shndërrojë njeriun. Dhe unë, fatkeqësisht, besoj se kishte të drejtë.   

Botuar në Tiranapost.al dhe në Gazetën Fjala.

Tags :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *