Nevoja për edukimin fetar
Nga Erjon Uka/ Ka ngjarje që teksa i mëson, të lënë një shije të keqe. Një shije aq të hidhur, sa duket se të bllokon çdo mundësi për të reaguar e për të folur kur i mëson. Thjesht mpihesh. Ka ngjarje që të bëjnë të kuptosh se e paimagjinueshmja, ajo që nuk e ke parë as në ëndrrën më të keqe, jo vetëm që mund të jetë reale, por madje mund të ndodhë shumë pranë teje: në hyrjen ngjitur, në katin e pallatit, në lagje.
Të tilla ndjesi të pështjellonte lajmi i ndodhisë së Kombinatit në Tiranë, ku të paktën nga sa shkruhet deri më tani, 24 orë pas zbulimit të ngjarjes, nënë e bijë ishin flijuar pasi shpresonin te ringjallja në një jetë më të mirë, ndërsa vajza tjetër ka shpëtuar për fije. Thuhet se ishin praktikante të një sekti fetar.
E nëse kjo është e vërtetë, përpos të gjithave, ngre në mënyrë ulëritëse nevojën për të diskutuar mbi një temë disi të ndjeshme e delikate: edukimin fetar, fillimisht në shkolla e më pas gjerësisht në opinionin publik. Nuk është në detyrën e këtyre rreshtave të përshkruhet situata e religjionit në Shqipëri, ose për të folur për mitin apo realitetin e marrëdhënieve të mira mes komuniteteve ndërfetare apo idiferencën e imponuar nga vite të gjata ateizmi nën komunizëm. Çështja është se asgjë nuk mund të merret e mirëqenë në afatgjatë. Në një botë kozmopolite, në një realitet shoqëror si ky i yni me dinamika të shpejta shpesh herë negative dhe ndryshime të pakontrolluara, vlerat janë gjithmonë të rrezikuara dhe mundësitë për keqkuptime janë gjithmonë të larta.
Ky është edhe rasti i fesë dhe i marrëdhënieve fetare. Të gjithë jemi dëshmitarë se si vitet e fundit, për shkak edhe të zhvillimeve gjeopolitike por edhe të specifikave lokale, janë shtuar grupime të reja fetare, rryma ekstremiste, organizime të parregulluara që në më të shumtën e herëve tentojnë të shtrihen në mënyrë kapilare në zonat informale apo në familjet, kushtet social-kulturor-ekonomike të së cilave janë goxha të brishta.
Ndaj, për breza të rinj, që ndoshta nuk po rriten nën frymën e tolerancës apo indiferentizmit fetar, që janë të bombarduar nga informacioni i pakontrolluar dhe nga sulmi kibernetik, që janë të prirur drejt videove 15-sekondëshe në TikTok e jo në leximin e thelluar, që sipas studimeve nuk dinë të dallojnë një lajm nga një opinion, është i domosdoshëm edukimi fetar: i hapur, në mënyrë të institucionalizuar, i barabartë.
Dhe kjo nuk ka të bëjë me cenimin e laicitetit të institucioneve arsimore, por përkundrazi, lidhet me ndërtimin e antikorpeve të të rinjve ndaj rrymave fetare që krijohen papritur si mish i huaj dhe shkaktojnë drama njerëzore deri në flijime dhe vetëflijime.
Edukimi fetar do të ishte esencial në formimin e përgjithshëm kulturor dhe intelektual të të rinjve, si një pikë që bashkon vlerat morale, shpirtërore, historike, kulturore dhe sociale të Shqipërisë. Një edukim i tillë nuk ka lidhje me indoktrinimin fetar, por me dhënien e instrumenteve të nevojshme analitike për të arritur në gjykimin e kulluar kritik mbi marrëdhënien e fesë me shoqërinë, me të vërtetën, më shtetin; për të kuptuar dallimet brenda grupimeve fetare dhe më pas dallimet e grupimeve të mëdha fetare me njëra-tjetrën; për vlerën e diversitetit dhe nevojën e tolerancës; për të parë se si mund t’u jepet përgjigje nga pikëpamja fetare çështjeve shpirtërore, të moralit, të besimit dhe të marrëdhënieve me mbinjerëzoren apo mbi atë se çfarë do të thotë të jesh njeri. E më pas secili mund të marrë më të mirën e të zgjedhë kë të besojë.
Dhe nuk do mend se nuk është diçka e lehtë. Nëse do të ndodhte, do të ishte ndër iniciativat më domethënëse dhe serioze për edukimin, jo thjesht arsimimin, e të rinjve. E që të ndodhë, duhet të jetë pjesë e një plani jo për vitin e ardhshëm, as për mandatin e ardhshëm, por për dekadat e ardhshme të arsimit në Shqipëri që nuk ndërrohet thjesht me kartonat jeshil të një krahu politik. Që të ndodhë duhen studime dhe investime, thellime dhe ngritje kapacitetesh njerëzore.
Ajnshtajni thoshte se shkenca pa fenë është e çalë, ndërsa feja pa shkencë është e verbër. Nevoja është që të mos udhëhiqemi nga një shkencë çalamane dhe të mos biem pre e ndonjë feje qorre. Por për këtë duhet guxim dhe seriozitet përtej një lajmi, të dhimbshëm, të kronikës së zezë.
Botuar në Tiranapost.al