Borges
Parkimi i makinave dhe pandemia

Parkimi i makinave dhe pandemia

Nga Moisés Naím/ Ç’të përbashkët kanë makinat e ndaluara në parkim me kërkimet në internet për fjalët “diarre” dhe “kollë”? Dhe nga ana tjetër, ç’lidhje ka kjo e dhënë me pandeminë që na prek të gjithëve? Shumë.

Kërkuesit e Harvard Medical School kanë vendosur të përdorin imazhet satelitore për të vëzhguar se si luhatej numri i automjeteve në parkimet e gjashtë spitaleve më të rëndësishme në Wuhan, qytetit prej 11 milionë banorësh në Kinën qendrore ku u shfaq, për t’u përhapur më pas në gjithë botën, virusi që sot e njohim si Covid-19.

Shkencëtarët kanë marrë nga një kompani kineze që tregton imazhe të shkrepura nga hapësira të parkingjeve nga janari 2018 deri në prill 2020. Duke analizuar këto foto, kërkuesit kanë zbuluar se mes gushtit dhe dhjetorit 2019 ishte rritur në mënyrë të pashpjegueshme numri i makinave të ndaluara në spitale. Në këto muaj, numri i makinave të parkuara ishte mbi mesataren e madje edhe më i lartë se numri i vëzhguar gjatë epidemisë.

Por kaq nuk mjafton. Në Kinë, Google nuk funksionon dhe motori ekuivalent i kërkimit quhet Baidu: në ato dy muaj, kërkimet në Baido nga qyteti i Ëuahn për fjalët “kollë”, “diarre” dhe “probleme me frymëmarrjen” ishin rritur në mënyrë eksponenciale.

Kërkuesit arrijnë në një përfundim shpërthyes: “Në Wuhan, rritja e trafikut në spitale dhe kërkimi në internet mbi simptomat janë rritur në mënyrë goditëse në fund të vitit 2019, përpara fillimit të dokumentuar të pandemisë në dhjetor 2019”.

Përfundimi është goditës sepse sipas këtyre të dhënave, epidemia paska filluar muaj përpara se qeveria kineze të informonte pjesën tjetër të botës mbi atë që po ndodhte, duke i lënë qeverive të tjera shumë pak kohë në dispozicion për t’u përgatitur. Pekini e mohon dhe e kundërshton vlefshmërinë e studimit. Autorët nga ana e tyre i njohin limitimet e metodologjisë si edhe të të dhënave që kanë përdorur. Gjithsesi, pavarësisht këtyre kufizimeve, është e qartë se rezultatet e kërkimit na shërbejnë edhe në një këndvështrim tjetër shumë të dobishëm, dhe jo thjeshtë për sa i takon pandemisë.

Efekti Çernobil: burokracitë tentojnë të fshehin gabimet e tyre. Dhe akoma më shumë burokracitë e regjimeve autoritare. Pikërisht ky ishte reagimi fillestar i diktaturës sovjetike në vitin 1986 kur shpërtheu centrali bërthamor në Çernobil. Shpërthimi përhapi materiale radioaktive në gjithë Bashimin Sovjetik dhe në shumë pjesë të Europës, duke arritur deri në Kanada. Duket se përgjigja e qeverisë kineze ndaj epidemisë është bazuar në efektin Çernobil, pra në fshehjen e problemit, kur ishte e qartë se në Ëuhan po ndodhte diçka e rëndë, me përmasa të mëdha dhe e re.

Por tashmë gjithçka dihet. Pavarësisht përpjekjeve, liderët sovjetikë nuk mundën të ndalnin që bota të merrte vesh për shpërthimin e Çernobilit dhe efektet e tij. E njëjta ndodhi edhe me vonesën me të cilën autoritetet lokale në Ëuhan dhe më pas ato qendrore në Pekin njohën përmasat e asaj që po ndodhte. Nuk ka qenë kurrë e lehtë për qeveritë që të fshihnin sekretet e tyre, të cilat herët a vonë kanë dalë në dritë. Por sot sekreteve të qeverive u çirret maska gjithmonë e më shpejt, madje edhe atyre të diktaturave.

Gjithçka matet. Kush do të kishte menduar se numri i makinave në një parkim mund të ishte një shenjë zbulimi për një pandemi? Ose që vëllimi i kërkimit të disa fjalëve të caktuara mund të shërbente për të parashikuar epidemintë?

Në këto kohë, thjesht fakti i ekzistencës sonë si individë gjeneron një mal me të dhëna, të cilat teknologjitë e reja, pavarësisht nëse duam apo jo, i kapin dhe i përpunojnë. Telefonat celularë, kamerat, kompjuterët, sensorët dhe platformat si Facebook, Instagram, Tëitter ose Flicker dhe motorët e kërkimit mbledhin vazhdimisht informacion mbi sjelljet tona individuale dhe i shndërrojnë këto të dhëna në informacione të përdorshme, për mirë ose për keq.

Gjithçka politizohet. Studimi i Harvardit doli në një kohë kur “fërkimet” midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës vazhdojnë të rriten, si në numër dhe ashtu edhe në intensitet. Tregtia, teknologjia, financa, epërsia ushtarake ose ndikimi gjeopolitik janë vetëm disa nga fushat në të cilat dy superfuqitë përballen me njëra-tjetrën. Një fushë tjetër shumë e rëndësishme është lufta për prestigj ndërkombëtar.

Pas pengesave fillestare në lidhje me njohjen dhe komunikimin e pandemisë, Pekini pati në shkallë të gjerë një nismë propagandistike, e cila theksonte suksesin e ndërhyrjes së qeverisë kineze për të minimizuar dëmet nga pandemia dhe theksonte kontrastin me kaosin që karakterizon reagimin e Shtëpisë së Bardhë. Nga ana e saj, qeveria e Shteteve të Bashkuara ka filluar një fushatë të gjerë denigrimi kundër Kinës, duke theksuar mungesën e transparencës në punën e saj dhe faktin që përgjegjësia për krizën është e Kinës. Sulmet ndaj Pekinit pa dyshim do të jenë një temë qendrore e fushatës zgjedhore të Donald Trump. Dhe Pekini padyshim që do të përgjigjet.

Në një botë pa sekrete, konfliktet mund të menaxhohen, por jo të shuhen.

*Moisés Naím është gazetar dhe shkrimtar venezuelian. Ai ka qenë Kryeredaktor i revistës “Foreign Policy” për 14 vite, ndërsa ka fituar çmimin “Ortega y Gasset” për kontributet e tij në gazetarinë spanjishtfolëse. “Gottlieb Duttweiler Institute” në vitet 2014 dhe 2015 e ka renditur si një prej 100 mendimtarëve më të rëndësishëm globalë. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *