Borges
Faza e re e dashurisë, ajo e lidhjeve të shumëfishta

Faza e re e dashurisë, ajo e lidhjeve të shumëfishta

Nga Jacques Attali/ Shpesh mendohet se parashikimet janë shprehje e një dëshire të thellë. Por jo gjithmonë është kështu: të parashikosh diçka nuk do të thotë se shpreson që ajo të ndodhë. Në disa raste, bëhet fjalë për një makth dhe parashikimi i ndihmon të tjerët që të kuptojnë se një ndodhi e tillë është e mundshme, ndaj duhet të marrin masat për t’i bërë rezistencë.

Evolucioni i raporteve seksuale dhe emocionale mes burrave dhe grave bën pjesë tek ajo kategori ndodhish, të cilat mund të parashikohen por pa qenë nevoja për t’i aprovuar apo kundërshtuar. Janë parashikime të mundshme, por që kurrë nuk janë formuluar saktë. Një shekull më parë parashikoheshin tendenca drejt divorcit apo qoftë edhe legalizimi i homoseksualitetit.

Këto dy zhvillime ishin pasoja natyrore të zhvillimit të lirive individuale, të cilat shërbyen si motor për zhvillimin e historisë në Evropë që prej fundit të shekullit XII. Pavarësisht kësaj, këto dy prirje nuk u artikuluan qartë deri në fillim të viteve 2000, prandaj është e vështirë të parashikohet se ç’do të ndodhë me marrëdhëniet mes burrave dhe grave në 50 vitet e ardhshme. Do të ruhen të njëjtat modele? Do të pranojmë mënyra të tjera jetese? Cili do të jetë zhvillimi i ri përtej martesave homoseksuale?

Një tendencë është e qartë: Raportet do të jenë më të shkurtra. Martesa nuk do të jetë “përgjithmonë”, ashtu siç ka filluar të mos jetë edhe tani. Evolucioni global drejt zhvillimit të lirive personale do të sjellë, edhe në fusha të tjera, më pak besnikëri. Dhe sigurisht, marrëdhënie gjithnjë e më të pasigurta.

A mund të pranojmë ndryshime të tjera? Në gjykimin tim, po. Shoqëria do të pranojë raportet e shumëfishta seksuale, si diçka të hapur e transparente. Kjo nuk do të vijë si zëvendësim i institucionit të martesës, por si një tjetër stil jetese. Jo për të gjithë, por të paktën për disa. Jo vetëm për burrat, por edhe për gratë. Jo vetëm në disa zona të Amerikës, por në gjithë globin, përfshi shtetet katolike. Por duhet thënë se ky nuk është një ogur, por një parashikim.

Për ta kuptuar duhet të marrim në shqyrtim raportet mes burrave dhe objekteve të cilat gjithnjë kanë imponuar rregulla rigoroze. Për një kohë të gjatë, në shumë kultura, vetëm disa njerëz mund të konsideroheshin pronarë të tokave, të mjeteve të prodhimit apo të bagëtive. Me kalimin e kohës, një numër më i madh njerëzish, dhe më pas gra apo fëmijë, mundën t’i gëzojnë këto të drejta me rregulla të qarta që përfshinin transferimin, shkëmbimin, huan apo shitjen.

Marrëdhëniet me njerëzit kanë ndjekur të njëjtën tendencë, por me pak vonesë. Burrat kishin nën zotërim gratë dhe mund të liroheshin prej tyre si të ishin objekte. Më pas, thuajse në të gjithë botën, gratë fituan disa të drejta mbi veten, mbi fëmijët dhe mbi bashkëshortët e tyre. Ka ekzistuar gjithmonë një paralele mes marrëdhënieve me objektet dhe njerëzit: të dytat ndjekin të njëjtën rrugë si të parat, me pak vonesë.

Çfarë do të ndodhte nëse zakonet sociale dhe seksuale do të vazhdojnë të evoluojnë siç ka ndodhur me pronën deri më tani? Ç’do të ndodhte nëse ekonomia bashkëpunuese do t’i jepte jetë dashurisë bashkëpunuese?

Objektet nuk janë më pronë e burrave, por jepen me qira apo ndahen me konsumatorët, në bazë të funksioneve të tyre. Kjo ka ndodhur për shembull me muzikën, prej 20 vitesh, përmes faqeve të internetit “peer to peer”. E njëjta gjë ndodh edhe me shkëmbimet mes miqve. Sot ndodh edhe shkëmbimi i apartamenteve për pushime mes të huajve, duke pasur si ndërmjetës internetin. Edhe energjia elektrike do të prodhohet nga burime të përtëritshme nga çdokush dhe do të vihet në dispozicion të çdokujt, duke e shitur apo duke ua dhuruar fqinjëve.

Ekonomia do të transformohet rrënjësisht nga e gjithë kjo panoramë. Në një botë bashkëpunuese, do të prodhohen gjithnjë e më pak makina dhe do të ndërtohen më pak shtëpi, duke krijuar një tepri të ardhurash që do të përdoren për shëndetësi, edukim dhe argëtim.

E njëjta tendencë shihet që tani në qeniet njerëzore. Për fat të mirë, në shoqëritë moderne askush nuk është pronar i jetës së askujt. Por mund të parashikojmë se disa persona do të ndajnë raportet seksuale me të tjerë, ndërsa ata nga ana e tyre me persona të tjerë. Shumë persona nuk do ta pranojnë kurrë këtë tendencë jetese, pasi në këtë mënyrë heqin dorë nga “pronësia” mbi tjetrin. Duke bërë një paralele me ekonominë bashkëpunuese, mund të imagjinojmë një botë ku çdokush do të ndihet i lirë për të pasur, në mënyrë totalisht transparente, raporte seksuale apo emocionale me persona të ndryshëm nga partneri fillestar, duke u lejuar edhe atyre që të bëjnë të njëjtën gjë pa asnjë ndjenjë “pronësie” apo “përkatësie”.

Edhe në këtë moment kjo ndodh në mënyrë të fshehtë te të rriturit, ose në një mënyrë më të hapur te të rinjtë. Por këtu ka edhe një paradoks logjik: Pranojmë pa kushte se i duam të gjithë fëmijët njësoj, por nuk mund të pranojmë se mund të dashurojmë më shumë se një person.

E gjitha kjo pra, mund të ndodhë në mënyrë krejt transparente në shoqërinë reale brenda 50 vitesh. Si për personat, ashtu edhe për objektet. “Dashuria bashkëpunuese” do të plotësojë “ekonominë bashkëpunuese”.  Sigurisht që një zhvillim i tillë do të sjellë ndryshime radikale në perceptimin që kemi për familjen dhe për fëmijët. Disa e shohin si makth, të tjerë si avancim të lirive themelore të njeriut. Por gjithsesi, mbetet një parashikim për të ndihmuar këdo që të kuptojë dinamikat sociale dhe t’i bëjë sytë katër për të parë evolucionin.

*Jacques Attali është ekonomist, shkrimtar, studiues dhe publicist. Është themeluesi dhe drejtuesi i parë i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ka qenë këshilltar i Presidentit francez François Mitterrand. Artikulli u shqipërua nga Erjon Uka

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *