Borges
Rrugëdalje për mendjet e mjegulluara

Rrugëdalje për mendjet e mjegulluara

Nga Oliver Burkeman/ Në një botë me shumë pabarazi dhe mosdakordësi të mprehta, mesa duket ka ende një gjë që të gjithëve na bashkon: asnjëri prej nesh nuk arrin të përqëndrohet. Ngjarjet e fundit duket se na kanë mjegulluar trurin. “Mund të korrigjojmë ose të kontrollojmë të dhënat”, më tha së fundi historiania e artit Susan Haskins, “por çdo punë e re, çdo gjë që kërkon një përpjekje të fortë intelektuale, mbetet një kaos shqetësues”.

Ajo pranonte se kalonte shumë kohë duke lexuar lajmet. Por edhe kolegët e saj që kishin hequr dorë nga kjo gjë ose që kishin vijuar me ndjekjen e interesave të tyre, kishin të njëjtin problem. “Asnjë prej nesh nuk arrin të shkruajë”.

Në këto raste, këshilla që jepet zakonisht është: merruni vetëm me një gjë, zgjidhni një detyrë të vogël specifike dhe përqëndrohni mbi të derisa ta keni përfunduar, më pas kaloni te të tjerat, deri në momentin që të keni përfunduar një numër të kënaqshëm punësh. Kjo këshillëështë e drejtë, siç është edhe në limit të padobishmërisë. T’i thuash dikujt që e ka trurin e mjegulluar se zgjidhja është të përqëndrohet, është si t’i thuash dikujt që vuan nga araknofobia që zgjidhja është të mos ketë frikë nga merimangat. Çfarë kuptimi ka?

Ndjesitë e mjegullimit apo shpërqëndrimit janë shpesh rezultate të tentativave për ta kaluar sa më shpejt vëmendjen tonë nga një objekt në një tjetër pa e kuptuar. Mund të mësojmë që këto kalime t’i bëjmë më të rralla, për shembull përmes meditimit (gjithmonë nëse arrijmë të përqëndrohemi edhe aty). Por mund të përqëndrohemi edhe duke u dorëzuar: të përpunosh dhe të zhvendosësh një eksperiencë brenda vetëdijes tënde nuk do të thotë, të paktën për momentin, të neglizhosh gjithçka tjetër.

Për mua, dhe mendoj se për shumë të tjerë gjithashtu, kjo ndjesi shpërhapjeje është zakonisht fryt i ankthit: ndihem në faj për të gjitha gjërat që do të duhej të kisha bërë dhe nuk i kam bërë, prandaj kaloj nga diçka në një tjetër, pikërisht për të lehtësuar stresin që më shkakton secila prej atyre gjërave që presin të kryhen. Por në këtë mënyrë, asnjëherë nuk përfundojmë asgjë.

Në vend të kësaj, unë gradualisht fillova të kuptoj se aftësia e vërtetë qëndron në të mësuarin për të përballuar më shumë “ankthin e të mos bërit gjëra”, duke ndërprerë me vetëdije gjithçka që mundem, përveç asaj që vendos të përfundoj. Së shpejti, kënaqësia e përfundimit të diçkaje e bën ankthin më të përballueshëm. Dhe gjithsesi, sa më shumë gjëra të përfundojmë, aq më pak do të duhet të shqetësohemi.

Por ky refuzim i pastër për t’u përqëndruar në më shumë se një gjë njëkohësisht ka edhe një çmim. Na vjen keq që nuk respektojmë një afat në favor të një tjetri, të lëmë pas dore një miqësi për të kultivuar një tjetër apo të lejojmë që djali ynë pesë vjeçar të shohë televizor për katër orë në mënyrë që të përfundojmë një punë të rëndësishme (sigurisht në varësi të gjendjes sonë ekonomike, sakrificat mund të jenë edhe më të rënda se kaq). Por duhet të mësojmë të heqim dorë nga diçka. Të jesh njeri, ka limitet e veta, edhe në periudhat më të mira.

Prandaj sfida nuk është edhe aq të shmangim pasojat e padëshirueshme, por të zgjedhim në mënyrë të mençur. A është një këshillë e dëshpëruar? Jo, është një ftesë për të hyrë në të vetmen botë ku mund të bëjmë gjithçka që mund të na kënaqë: në botën reale.

*Oliver Burkeman është gazetar dhe opinionist anglez, i cili shkruan në “Guardian”. Prej vitit 2006 ka një rubrikë psikologjike shumë popullore të quajtur “This Column Will Change Your Life”. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Botuar në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *