Blog
Çfarë kemi ndër mend kur flasim për lumturinë?

Çfarë kemi ndër mend kur flasim për lumturinë?

Nga Erjon Uka/ Për Andrea Camilleri-n, lumturia lidhet më shumë me trupin se sa me mendjen. Ajo vjen nga gjërat e prekshme e të ndjeshme përmes shqisave: nga shijet, aromat, marrëdhëniet njerëzore, dhe jo aq shumë nga mendimet. Madje shumicën e rasteve, mendimet pa përjetime të trishtojnë. Gjithsesi, e bukura e çasteve të lumtura është se mund të klonohen. Të mbahen në kujtesë e të riprodhohen mendërisht sa herë që një shkëndijë nostalgjie na kalon në kokë.

Sigurisht ky është një përshkrim shumë letrar i një prej shkrimtarëve më popullorë italianë. Por pyetja sërish mbetet: Çfarë është lumturia? Secili mund t’i përgjigjet sipas mënyrës së tij dhe me shumë mundësi, edhe nëse nuk do ta shprehë, anën ekonomike do ta mendojë patjetër si pjesë të lumturisë. Dhe kjo është e vërtetë: si mund të jesh i lumtur nëse jeton në skamje, nëse çdo natë nuk fle ngrohtë apo çdo fund muaji ke probleme me pagesën e faturave?!

Gjithsesi ky është një limit që thyhet shumë shpejt. Ata që thonë se lumturia nuk matet me para, kanë të drejtë. Të paktën, pjesërisht. Kjo është aq e vërtetë, saqë shumë prej vendeve më të zhvilluara për të matur mirëqenien e qytetarëve, nuk i kushtojnë më aq shumë rëndësi Prodhimit të Brendshëm Bruto se sa Indeksit të Lumturisë personale.

Për shembull, në Amerikë indeksi i lumturisë ishte lehtësisht më i lartë se sa të ardhurat për frymë përpara vitit 1961. Pas këtij viti, me rritjen galopante të mirëqenies ekonomike, ku xhepat e njerëzve u mbushën me dollarë, filluan të kishin nga 2-3 makina dhe shtëpi në bregdet e në mal, tek amerikanët indeksi i lumturisë është ulur me disa pikë përqindjeje.

Ekonomisti italian Stefano Bartolini përmes analizës së shifrave, në një prej librave të tij, ka vërtetuar se në periudhën 1975-2004 personat më të varfër nga pikëpamja e marrëdhënieve njerëzore ishin ata që punonin me orare më të zgjatura. Kjo sipas tij është një grackë njëherazi individuale dhe sociale: njerëzit reagojnë ndaj varfërimit të marrëdhënieve duke punuar më shumë, e cila të paktën i shpërblen me të ardhura, por me varfërim edhe më të madh të marrëdhënieve; kështu që ata vazhdojnë të punojnë më shumë për të mbushur këtë boshllëk, duke krijuar një spirale zvetënimi të ndjenjave njerëzore. Për Bartolinin, rrjeta e marrëdhënieve njerëzore është shkaku kryesor i (pa)lumturisë.

Ky arsyetim mbështetet edhe nga shkenca, të paktën për aq rrugë sa ka bërë deri më tani. Nëse do të duhej të thoshim formulën matematikore të lumturisë, ajo do të ishte e barabartë me pritshmëri plus impulse biologjike. Yuval Noah Harari, që po bën xhiron e botës me “Sapiens” dhe “Homo Deus” e shpjegon shumë thjeshtë këtë teori të koklavitur shkencore.

E para, ne lumturohemi kur realiteti që ndeshim çdo ditë barazon, ose akoma më mirë tejkalon, pritshmërinë tonë psikologjike. Nëse shkojmë të hamë një darkë në një restorant që e dimë se gatuajnë mirë dhe lirë, por në fund na japin edhe një ëmbëlsirë falas, sigurisht që lumturohemi. Por e keqja është se kjo lumturi zgjat shumë pak, pasi pritshmëritë ndryshojnë me shpejtësi. Pjesa e dytë e formulës ka të bëjë me impulset biologjike. Sipas kësaj teorie shkencore, lumturia dhe vuajtja nuk janë gjë tjetër veçse ndryshim ekuilibrash në ndjesitë tona trupore. Mendja jonë është si kompjuteri, që pavarësisht grafikës cilësore apo programeve të avancuara, procesimin e bën në bazë të sistemit binar me “1” dhe “0”. I tillë është edhe truri ynë: ai nuk e di se çfarë është fitimi i një lotarie, një makinë e re dhuratë apo një shpërblim për festat e fundvitit. Ndjesitë e kënaqësisë shkaktohen prej sinjaleve që lëshohen nëpër trup, nga shtylla kurrizore deri në kokë.

Pavarësisht asaj që thonë statistikat dhe përtej kësaj formule që dikton shkenca, sado subjektiv mund të jetë perceptimi ynë për lumturinë, një gjë është e sigurt: Lumturia nuk rritet më shumë se një nivel i caktuar, edhe sikur ne të ishim më të pasurit në botë, të ndihmonim të gjithë njerëzit në nevojë, të siguronim paqen e përjetshme, ta kalonim jetën në festat e bregut jugor të Francës apo të pushtonim Marsin.

Është një ndjenjë që fillon gjithmonë nga e para, si guri i Sizifit që bie sapo arrin majën, prandaj qasja letrare e Camilleri-t se lumturia duhet kultivuar vazhdimisht e duhet gjetur te gjërat e vogla të përditshmërisë, duket se është e duhura.

Publikuar në Tiranapost.al, dhjetor 2018

0 thoughts on “Çfarë kemi ndër mend kur flasim për lumturinë?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *