Blog
Skandalizimi prej patriotizmit

Skandalizimi prej patriotizmit

Nga Erjon Uka/ Skandalizim quhet vetia që po fiton patriotizmi shqiptar. Vështirë se gjen akt publik patriotik apo me nuanca atdhetarie që nuk kalon pa provokuar pështjellime, gajasje, irritime dhe përqeshje. Nga një përpjekje e fortë dhe intelektuale e fund shekullit XIX dhe fillim shekullit XX për të zgjuar ndërgjegjen shqiptare, çdo herë e më shumë kemi filluar të përqeshim njëri-tjetrin sa herë që diskutimet, ato seriozet, ngjyrosen prej dozave të patriotizmit.

Një pjesë, diku në hyrje të librit “E pafilozofuara” nga Hysamedin Feraj, më ka mbetur në mendje dhe më rikthehet sa herë që diskutimet për kombin dhe shqiptarizmën bëhen lajm dite. Po perifrazoj këtë pasazh që më ka pëlqyer aq shumë, ku shkruhej se më shumë se sa shqetësimi nëse shqiptarët janë apo jo pasardhës të ilirëve në truallin ku jetojmë sot, shqiptarët duhet t’i shqetësojë fakti se kanë mbetur ende ilirë: të ndarë, të paaftë për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin, me një lloj shpërfillje patologjike ndaj dokumentimit dhe filozofimit. Hidhësisht e vërtetë. Por ende më i hidhur është dyshimi nëse ende na shqetëson edhe aq fakti jemi a nuk jemi pasardhës të ilirëve, sepse çdo herë e më shumë kozmopolitanizmi po bëhet temë dite, sikundër edhe përqëndrimi vetëm tek aktualiteti, momenti, çasti, i ka bërë hije të fortë angazhimit për ruajtjen e identitetit kombëtar.

Kjo pjesë m’u kujtua sërish, së fundi, jo më shumë pas fjalimit të Vjosa Osmanit në Parlamentin e Shqipërisë, por më shumë pas debateve që e pasuan atë dhe vizitën e saj në Tiranë. Kërkesat e Kryetares së Kuvendit të Kosovës dhe të Presidentes në detyrës ishin të qarta, në një moment delikat siç është rreshtimi para togave të zeza të Hagës të liderëve të sotëm të politikës kosovare dhe udhëheqësve të djeshëm të luftës: kërkoi njohje zyrtare nga Shqipëria të gjenocidit serb, pastaj qasje të rezervuar në projektin e minishengenit ballkanik dhe sigurisht duke kaluar nga trau i Kalimashit, fundja pretendim legjitim për vendosjen e tij njëanshmërisht në një rrugë që simbolizon bashkimin e dyanshëm.

A ishte ligjërimi politik i Vjosa Osmanit një kundërshtim i politikave të qeverisë socialiste mbi çështjen e Kosovës dhe gjeopolitikën e Ballkanit? Qartësisht dhe haptazi. A mund të kishte takuar ish kryeministrin Pandeli Majko në vend të ish kryeministrit Sali Berisha? Mendoj se do të ishte më mirë. A mund t’i bëhet mendimit të saj opozitë, duke i dhënë përgjigje një për një kërkesave që bëri? Do të ishte e dobishme për një debat publik. Por a mund të përqeshet fjalimi i Vjosa Osmanit për nuancat patriotike? Kurrësesi jo.

Vjosa Osmani nuk është vetëm Presidente në detyrë, por Kryetare e Kuvendit, është gruaja deputete më e votuar në Kosovë dhe tregoi se mundi të marrë më shumë vota seç do të merrte e gjithë ish-partia e saj. Prandaj ligjërimi i Vjosa Osmanit nuk është thjesht mendimi i një gruaja që rastësisht është aty ku është: ajo përfaqëson një rrymë mendimi dhe gjasat janë që do të jetë pjesë e hierarkisë së lartë politike në Kosovë edhe për një goxha kohë.

Nëse mesazhet e Presidentes së Kosovës, a fundja thjesht një politikaneje të Kosovës, a fundja fundit të një personi publik shqiptar vishen me patriotizma, sulmet që pasuan përveçse kundër saj konkretisht, ishin pjesë e vazhdimësisë për dekurajimin e ligjërimit patriotik. Kundër ligjërimit politik për përkatësi kombëtare. Kundër ligjërimit haptazi për interesat kombëtare. Kundër thirrjeve me zë të plotë për bashkim dhe mbështetje të ndërsjelltë në kauza kombëtare.

Skandalizimi publik ndaj patriotizmit është një problem që shumë shpejt do të kthehet në problem identitar. Përpjekjet për t’i folklorizuar çështjet kombëtare janë padenjësisht të rrezikshme. Nuk mund të mbetemi peng në të shkuarën dhe duhet të jemi të kujdesshëm për të mos u manipuluar nga nacionalizmat folklorikë, por nuk mund të pranojmë që çështjet kombëtare të vriten nga indiferenca apo nga pikëpamjet mbi identitetin universal të qenieve njerëzore me koston e zhbërjes së çdo përkatësie kombëtare. Sepse nëse e bëjmë këtë gabim, të tjerët rreth nesh po dinë që tani të përfitojnë: prandaj në sytë e gjykatave ndërkombëtare dhe shtypit ndërkombëtar po duket gjithmonë e më shumë sikur viktimat kanë qenë serbët e jo kosovarët, apo shumë fshatra tradicionalisht shqiptare në Maqedoninë e Veriut po shpopullohen heshturazi me shqiptarë po pranojnë të konvertohen dita-ditës, apo Greqia që nuk heq dorë nga zgjerimet në det dhe nga projektet nacionaliste pavarësisht qeverive që ndërrojnë dhe viteve që kalojnë.

Sepse përkatësia patriotike të bën të frymëzohesh nga kombi, të bën të dokumentosh, të shkruash, të luftosh për kauza e të mos lodhesh për fitoren e tyre. Por ne pikërisht këtë nuk po arrijmë ta bëjmë. E në vend të kësaj, kemi kaluar në skandalizim patriotik.

Skandalizimi nuk mund të vijë nga ligjërimi patriotik. Skandalizimi duhet të vijë nga mungesa e tij, nga harresa e qëllimshme apo përqeshja cinike. Skandalizimi duhet të vijë nga injoranca historike, nga mungesa e frymëzimit prej akteve shtetformuese, nga harresa e sakrificës, nga mosnjohja e vetes sonë, nga indiferenca ndaj përkatësisë kombëtare, nga mungesa e zellit për të dokumentuar apo përpjekjes për të krijuar mendim filozofik.

Patriotizmi duhet mbrojtur prej njehsimit me folklorizmat, nacionalizmat dhe çdo marrine tjetër. Patriotizmi nuk duhet të skandalizojë, patriotizmi duhet të frymëzojë. Patriotizmi nuk është i tejkaluar. Dhe nuk do të jetë.

2 thoughts on “Skandalizimi prej patriotizmit

    • Author gravatar

      Po ta vësh re, në mungesë të këtij patriotizmi në politikën shqiptare, kur propozohen strategji e politika të reja, kompasi i vetëm legjitimues ka mbetur imitimi: “kështu bën Bota”. Me “Botë” nënkuptohet Perëndimi. Me “Perëndim”, sigurisht, nënkuptohen vendet e zhvilluara (edhe në Lindjen e Largët), që zënë 8% të popullsisë botërore.

      Është një mani e madhe për ta tretur gjithçka që na identifikon, për t’u përngjasuar sa më shumë me “Perëndimin”. Unë nuk e di nëse është shoqëria me këtë mendësi që ka kaluar te lidershipi (ose siç thonë shqiptarët e Kosovës me fjalën e bukur: udhëheqësia), apo është kjo udhëheqësi që e ka përçuar këtë mënyrë të menduari te publiku. Dhe kam frikë se është e para.

      Dhe sado që shumë prej nesh pështirosen apo tremben nga vetvetja, jemi kaq të etur për identitet saqë një fjalim i Vjosa Osmanit apo Albin Kurtit në Shqipëri; nëse jemi pro apo kundër tyre nuk ka rëndësi; na prek menjëherë në një formë të pakrahasueshme nga fjalimet e llojit Se Kështu Bën Evropa.

      Kanë arritur ta bëjnë vetveten (shqiptaren) kundërshtare të asaj që na rrethon (evropianen).
      Dhe në fund lind pyetja: pse xhanëm u dashka të kundërshtojnë njëra-tjetrën? Kush tha që është e pamundur t’i kemi të dyja?

      • Author gravatar

        Faleminderit per komentin Kelvin!

        E ke kapur shume bukur inflacionin me togfjaleshin “Se keshtu ben bota…” Para disa kohesh kam shkruar edhe nje shenim te shkurter mbi kete teme, pra meqe e bekan te gjithe diçka, u dashka ta bejme edhe ne.

        Jam plotesisht dakord me ty,

        Te pershendes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *