Blog
Gjeneratorët e skandaleve në televizion

Gjeneratorët e skandaleve në televizion

Nga Erjon Uka/ Regjisori italian Paolo Sorrentino, i njohur edhe për krijimet e tij të një natyre politike dhe biografike, në vitin 2018 bëri bujë me filmin “Loro” kushtuar jetës së Silvio Berlusconit. Në fakt, të një copëze jete. Motorit psikologjik të një njeriu që u përpoq, dhe deri diku arriti, të impononte stilin e tij në mendimet dhe përditshmërinë e italianëve. Të dikujt që u bë kryeministër, me mentalitetin e një profesionisti shitjesh. Në një moment të caktuar të filmit, i gjendur në opozitë dhe me drejtimin e sipërmarrjeve që ua kishte kaluar fëmijëve, gjatë një dreke në jaht në përpjekje për të rifituar bashkëshorten Veronica e për të shmangur divorcin,  ajo i bën një pyetje: Silvio, si ka mundësi që ke pasur rrjetin më të madh televiziv dhe nuk krijove asnjëherë një program për kulturën?

Prirja e televizioneve për t’u zhvendosur nga kultura drejt skandaleve, është aq e dukshme, aq sa po kthehet në diçka sfilitëse për të gjitha palët. Për publikun, që megjithëse shpesh herë e di se ç’po ndodh, pranon gjithsesi nga pozitat pasive të bëhet pjesë e këtij mekanizmi. Për vetë median, që sa më shumë skandale vendos të prodhojë, aq më shumë të tjera i duhet të gjejë duke krijuar një ingranazh të mundimshëm.

Pavarësisht se emisionet dhe zhvillimet në ato fusha që quhen “showbiz”, “gossip” a “rozë” nuk i ndjek, rasti i fundit ku anëtari i një jurie në një spektakël i thotë një vajze konkurrente 40-vjeçare se në moshën e saj do të ishte më mirë të bënte fëmijë e jo të merrej me të këtilla konkurse, nuk më kaloi pa e vënë re. Falë rrjeteve sociale sigurisht, sepse televizioni e ka ende forcën e imponimit përmes kanaleve të tjera. Dhe për të hedhur poshtë maksimën se çudia më e madhe tre ditë zgjat, vendosa të shkruaj për këtë fenomen në ditën e pestë. Nuk do të merrem me përdhosjen e figurës së gruas, pasi dhjetëra prej komenteve të bëra në rrjet ishin çmonutuese, në lartësinë e duhur dhe po ashtu ishin të mjaftueshme për të treguar se publiku nuk ta lë mangët kur vjen puna në kësi rastesh.

Ama kur lexon justifikimin e anëtarit të jurisë, se gjithçka ishte e paramenduar për të prodhuar lajm dhe për ta bërë konkurrenten e njohur sepse kështu funksionojnë gjërat në televizion, nis të mendosh se cila prej të dyjave është më çoroditëse: ofendimi, apo lehtësia e padurueshme me të cilën pranohet se televizioni është shndërruar në promotor skandalesh?

Televizionet po shkojnë drejt spektaleve boshe, pa ndonjë përmbajtje të qenësishme, por të dhëna vetëm pas bujës së momentit. Shihni emisionet kryesore, ato që quhen “prime time” thjesht në 3 muajt e fundit, dhe me siguri do të gjeni gjuhë vulgare, erotizëm, zënka komplet banale, biseda shumë më poshtë nivelit të thashethemeve të gjysheve nëpër lagje, shumë seksizëm, spektakël të shfrenuar, përsosmëri të rreme dhe pak realitet. Të fuqishme në television, amplifikohen edhe më të fuqishme në rrjete sociale ku të imponohen me hapësirat që zënë, duke krijuar një bosht të plotë dhe të qëndrueshmë të promovimit të asgjësë.

Por për të qenë i sinqertë dhe aspak hipokrit, nuk mendoj se televizionet duhet të jenë një shtojcë e orëve mësimore në shkollë, as të jenë tempuj të dijes dhe të propagandojnë në mënyrë peshkopale e shabllone për moralin dhe jetesën e shëndetshme. Po, televizioni duhet të ngacmojë mendimin dhe ndjenjat, duhet t’u flasë njerëzve me gjuhën e tyre, duhet edhe të diferencojë mes audiencave, të zbulojë dëshirat e tyre, të thotë me zë atë që njerëzit mendojnë, por edhe të drejtojë interesat e tyre dhe të kultivojë shijet intelektuale, qoftë edhe përmes provokimit, por jo kur provokimi kthehet në qëllim parësor dhe final në vetvete. Në këtë rast, provokimi që bëhet rutinë e vazhdueshme, kthehet në diçka bajate, të lodhshme, si një hamburger me patate plot kalori që të ngop por pa të dhënë asnjë vlerë ushqyese.

Drejtimi që televizionet kanë marrë është krejt i qartë, një pjesë e madhe e njerëzve të televizionit janë pajtuar me këtë gjë dhe ajo që bëjnë, është të na e shesin si diçka thuajse normale, si gota e qumështit në mëngjes apo si tymi që do të lëshojë zjarri po u ndez.

Fakti që në televizion funksionojnë skandalet nuk është një urdhëresë e ardhur nga Olimpi apo e shkruar diku në yje e as një pasojë e ardhur nga hiçi, por është pikërisht pasoja e një zgjedhjeje që është bërë. Është zgjedhur që të promovohen skandalet, që të promovohen polemikat, dhe së pari për këtë gjë shumë prej njerëzve të televizionit nuk duhet ta paraqesin si një realitet për të cilin në dukje nuk janë dakord, pasi kanë mundësinë të bëjnë komplet të kundërtën që te ideimi i emisioneve, tematika, të ftuarit; ndërsa pjesa tjetër të mos e shesë si një fatalitet ku rrugëzgjidhja unike është pranimi i gjendjes aktuale. Jo, “skandalet janë rruga e shkurtër e gomerëve” thoshte Indro Montanelli dhe kishte të drejtë.

Dhe për çdo rast të personave të shndërruar në personazhe përmes skandalit, mund të jap një kundërast të atyre që u bënë personazhe të pakohë përmes vlerave dhe jetëgjatësisë në profesionet e tyre. Skandali nuk është mënyra e vetme për t’u bërë i njohur. Skandali është forma më e thjeshtë dhe më e paqëndrueshme që shumë po zgjedhin për t’u bërë të njohur dhe fatkeqësia është që po e pranojmë si zgjidhje të patjetërsueshme. Por edhe nëse vazhdon kështu, televizioni, siç thoshte Groucho Marx, “mbetet shumë edukativ sepse sa herë që dikush e ndez, shkoj në dhomën tjetër e lexoj një libër”.

Publikuar në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *