Borges
Vetëm njerëzit kanë privilegjin e të qeshurës

Vetëm njerëzit kanë privilegjin e të qeshurës

Nga Umberto Eco/ Më konsiderojnë filozof, edhe pse kam shkruar për shumë çështje të tjera. Dhe sigurisht jam një filozof që ka shkruar gjithashtu shtatë romane. Ky fakt, duke marrë parasysh përmasat dhe kohën që më ka kushtuar që prej fundit të viteve ’70 deri më sot, nuk mund të konsiderohet thjesht një incident anësor.

Gjithsesi kjo autobiografi intelektuale nuk është marrë me romanet e mia, por vetëm sa i ka përmendur shkurtimisht. E di mirë se disa prej atyre që do të shkruajnë mbi mua do të marrin në shqyrtim edhe romanet e mia, si për faktin se brenda tyre gjenden tema filozofike ashtu edhe për faktin se mund t’i shohin këto shkrime si një mënyrë tjetër filozofimi.

Më duhet të them se kur fillova të shkruaj “Emri i trëndafilit” edhe pse kam përdorur shumë tekste mesjetare filozofie, nuk mendoja se kishte ndonjë lidhje mes shkrimit tim letrar dhe shkrimit akademik. E mendova aventurën time narrative si pushim. Isha plotësisht i vetëdijshëm për faktin se në tregimtari po merresha me çështje filozofike, por ka pyetje që filozofia ime nuk mund t’i përgjigjet.

Në botimin e parë italian, në nënfaqen e kopertinës, në fund ishte shkruar: “Nëse autori ka shkruar një roman, e ka bërë për shkak se ka zbuluar në pjekurinë e tij, se çfarë nuk mund të teorizohet, mund të tregohet”. Duke perifrazuar Wittgenstein do të mund të shkruaja: “Ajo që nuk mund të flitet, mund të tregohet”. Pra dua të them se nuk i kam menduar romanet e mia si vitrinë për promovimin e disa teorive filozofike.

E dija mirë se këto vepra shpesh frymëzoheshin nga debatet filozofike, por në varësi të rastit këto mund të binin në kontradiktë dhe në rrëfim i vija në pah këto kundërshti. Dhe kështu ndodhi që shumë lexues gjetën në romanet e mia qëndrime filozoike. I kam pranuar këto mënyra leximi as duke i miratuar, as duke i refuzuar, por i nisur nga arsyetimi se një tekst mund të jetë më inteligjent se autori i tij dhe thotë gjëra që autori nuk i kishte menduar ende.

Në çdo rast, e pranoj se tek “Emri i trëndafilit” ka një debat mbi problemin e së vërtetës; te “Lavjerrësi i Fukoit” ka një polemikë kundër mendimit të errët dhe sindromat e konspiracionit; në “Varreza e Pragës” teoria e konspiracionit është sërish argument qëndror teksa përpiqem të tregoj edhe çmendurinë e antisemitizmit; në “Flaka misterioze e mbretëreshës Loana” përballem me problemet e kujtesës, të cilat sot studiohen nga shkencat konjitive; “Ishulli i një dite më parë” argëtohet duke hedhur një vështrim mbi filozofitë e ndryshme të periudhës barok dhe mbi çështjen e një universi pa limit i lindur prej zbulimeve të astronomisë së re; “Baudolino” është një refleksion i nënkuptuar për marrëdhënien mes së vërtetës dhe gënjeshtrës; dhe në fund “Numri zero” përmban një debat mbi gazetarinë e të vërtetat e bazuara në fakte. Por këtu preferoj të trajtoj, për sa i përket estetikës dhe teorisë së narrativës, atë që mund ta përcaktoja si poetikën time narrative.

Kur intervistuesit më pyesin: “Si e ke shkruar romanin tënd?”, zakonisht i ndërpres dhe i përgjigjem: “Nga e majta në të djathtë”. Por është një batutë! Në të vëretë, pas provave të mia të narrativës kuptova se një roman nuk është thjesht fenomen gjuhësor.

Romani (si çdo narracion që ndjekim çdo ditë, duke shpjeguar për shembull pse atë mëngjes të caktuar arritëm vonë) përdor fjalët për të komunikuar fakte tregimtare. Tani, për sa i përket trillimit, faktet apo historia janë më të rëndësishme se fjalët. Fjalët janë thelbësore në poezi (e pikërisht për këtë fakt poezia është kaq e vështirë për t’u përkthyer, pra për shkak të ndryshimit të tingujve mes dy gjuhëve të ndryshme). Në poezi është përzgjedhja e shprehjes që përcakton përmbajtjen. Në prozë ndodh e kundërta: është bota që autori përzgjedh për teorinë e komikes, dhe në të vëretë kam shkruar disa ese mbi komiken dhe humorin.

Por pastaj detyra u shfaq dëshpërimisht e vështirë. Ndoshta për këtë arsye shkrova “Emri i trëndafilit”, një roman që flet për librin aristotelian të humbur në komedi. Ishte një mënyrë për të shprehur në formë narrative atë që nuk isha në gjendje ta thosha filozofikisht. Në filozofinë e lashtë thuhej se e qeshura ishte veti e njerëzve, sepse vetëm njerëzit kanë privilegjin e të qeshurës. Kafshët nuk kanë humor. E qeshura është një eksperiencë tipike njerëzore. Mendojmë se kjo lidhet me faktin se jemi kafshët e vetme që e dimë se do të vdesim. Kafshët e tjera e kuptojnë vetëm në momentin që vdesin, por nuk janë në gjendje të artikulojnë një pohim të tillë si “Jemi të gjithë vdekatarë”.

Ndërsa njerëzit janë në gjendje ta bëjnë dhe me shumë mundësi prandaj ekzistojnë fetë dhe ritualet. Por kryesorja në këtë situatë është se kur bëhemi të ndërgjegjshëm se fati ynë është vdekja, qeshim. Të qeshësh është mënyra radikale njerëzore për të reaguar ndaj kuptimit njerëzor për vdekjen.

Në këtë mënyrë, komiku kthehet në mundësinë më të mirë për t’i bërë qëndresë tragjedive, për të kufizuar dëshirat tona dhe për të luftuar fanatizmin. Komiku (dhe këtu po citoj indirekt Baudelaire) hedh një hije djallëzore dyshimi mbi çdo shpallje dogmatike të së vërtetës. Përgatitja për vdekjen në thelb qëndron në bindjen graduale të vetvetes se – siç thotë Predikuesi – gjithçka është kotësi.

Megjithatë, përkundër gjithë kësaj, edhe filozofi njeh një shqetësim të dhimbshëm te vdekja. Bukuria e rritjes dhe e maturimit është të kuptosh se jeta është një akumulim i mrekullueshëm i dijes. Bëhet fjalë për atë që quhet “eksperiencë”. Për këtë arsye, një herë e një kohë, të moshuarit konsideroheshin si më të mençurit e tribuve dhe detyra e tyre ishte t’ia kalonin mënçurinë fëmijëve dhe nipërve. Është një ndjenjë e mrekullueshme të kuptosh se çdo ditë mëson më shumë, se gabimet e tua në të kaluarën të kanë bërë më të mençur dhe se mendja jote (teksa trupi yt ndoshta dobësohet) është një bibliotekë që rritet çdo ditë me nga një vëllim i ri.

Unë jam prej atyre që nuk bëhem pishman për rininë sepse sot ndihem më shumë i realizuar se më parë. Por mendimi se e gjithë kjo eksperiencë do të humbasë në çastin e vdekjes sime, kjo po që shërben si shkak për vuajtje. Mendimi se ata që do të vijnë pas meje do të dinë po aq sa unë ose më shumë, nuk më ngushëllon aspak. Është si të djegësh Bibliotekën e Aleksadrisë ose të shkatërrosh Luvrin…

I hedhim tej këto trishtime duke shkruar, duke pikturuar ose duke ndërtuar qytete. Megjithatë, pavarësisht se sa shumë mund të transmetoj duke treguar, edhe nëse do të isha Platoni, Montenji apo Ajnshtajni, pavarësisht se sa shumë mund të shkruaj ose të them, nuk do të mund ta transmetoj kurrë shumën e eksperiencave të mia, si për shembull ndjesitë e të parit një fytyrë të dashur apo përjetimin gjatë vështrimit të perëndimit.

Ky është keqardhja e vërtetë ndaj vdekjes, dhe madje filozofët duhet të pranojnë se ka diçka të pakëndshme në lidhje me vdekjen. Si të tejkalohet kjo keqardhje? Duke arritur pavdekësinë, thonë disa. Nuk më takon mua të them nëse pavdekësia është një ëndërr apo një mundësi, qoftë edhe e vogël, nëse ka mundësi jete deri në njëqind e pesëdhjetë vjet e përtej, apo nëse pleqëria është thjesht një sëmundje që mund të parandalohet.

Mjaftohem të tregoj se një jetë e gjatë apo e pafundme mund të jetë e mundur, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të reflektoj mbi avantazhet e vdekjes. Nëse do të kisha mundësi zgjedhjeje, do të doja të tjetoja, le të themi ad infinitum.

Por duke menduar për veten time jo pas një mijë, por thjesht pas dyqind vitesh, filloj të zbuloj divantazhet e pavdekësisë. Nëse do të më ofrohej vetëm mua, do të shihja teksa zhdukeshin rreth meje njëri pas tjetrit të dashurit e mi, fëmijët, nipërit dhe stërnipërit.

Pasojat e dhimbjes dhe të nostalgjisë që do të më shoqëronin për këtë pleqëri të gjatë do të ishin të padurueshme. Dhe nëse do ta kuptoja që unë jam i vetmi që mbaj kujtime në një botë njerëzish harraqë, si do t’i bëja ballë vetmisë sime intelektuale dhe morale? Më keq akoma do të ndodhte nëse rritja e eksperiencës sime personale do të ishte më e ngadaltë se zhvillimi i eksperiencës kolektive dhe do të jetoja me mençuri modeste të dalë mode në një komunitet të rinjsh që më tejkalojnë në fleksibilitetin intelektual.

Por më e keqja do të ishte nëse pavdekësia ose një jetë shumë e gjatë do t’i jepej të gjithëve. Do të jetonim në një botë të mbipopulluar prej qindravjeçarëve ose mijëravjeçarëve që i zënë hapësirën jetësore gjeneratave të reja dhe do ta gjeja veten në një luftë mizore për jetën ku pasardhësit e mi do të më donin të vdekur sa më shpejt.

Kush më jep sigurinë se gjithë ato gjëra që në njëqind vitet e para jetës sime kishin qenë burim mahnitje, çudie, gëzimi dhe zbulimesh të reja nuk do të më mërzisnin? A do të ndjeja kënaqësi të lexoja për të disatën herë Iliadën apo të dëgjoja klaviçembalin të përzierë mirë me tingujt e tjerë? A do të duroja ende një mëngjes, një lule, një livadh apo shijen e mjaltit?

Filloj të dyshoj se trishtimi që më mbërthen teksa mendoj se duke vdekur do të humbas gjithë thesarin e eksperiencës sime është i njëjtë me trishtimin kur mendoj bezdisjen që do të mund të ndjeja nga mbijetesa.

Mbase është më mirë të vazhdoj në vitet e mbetura të lë mesazhe në një shishe për ata që do të vijnë dhe të pres atë që Francesco di Assisi e quante Motër Vdekja.

*Kjo është një pjesë e shkëputur nga libri prej 900 faqesh autobiografik “Filozofia e Umberto Ecos”. Libri që sapo është botuar në Itali më 18 shkurt 2021, ka hyrë në në kolanën prestigjioze “Library of Living Philosophers”. Umberto Eco është italiani i parë që bëhet pjesë e kësaj kolane. Kjo pjesë u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Publikuar në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *