Blog
Një luftë mes egoistësh ose Meghan, Harry dhe monarkia

Një luftë mes egoistësh ose Meghan, Harry dhe monarkia

Nga Erjon Uka/ Gazetari britanik David Randall e quajti “një luftë mes egoistësh” intervistën e fundit të princit Herry dhe Meghan Markle për Oprah Winfrey në fund të javës së parë të marsit. Një intervistë që oshëtimën e saj e dha thuajse kudo, qoftë për habinë dhe indinjatën, por edhe për sarkazmën dhe Dezha Vy-nëe mundshme. Por ta themi që në fillim, në thelb të reagimeve qëndron asgjë më shumë se një keqkuptim. Tentojmë që monarkët dhe bijtë e tyre t’i shohim sipas legjendës së vjetër të pagabueshmërisë hyjnore, teksa ata na shfaqen tepër njerëzorë, me të njëjtat probleme si fqinji në portën ngjitur.

Më shumë se një intervistë, siç vërente në mënyrë pikante Randall, i ngjante një seance terapeutike ku dy njerëz të brishtë në zgrip të pikëpyetjeve ekzistencialiste, ose të paktën në dukje të tillë, po shfrynin mëritë e tyre. Një shfaqje televizive e mirëpaguar dhe e kuruar në goxha detaje.

Megjithëse jo një adhurues i familjes mbretërore angleze, aq më pak i skandaleve apo kurioziteteve që nxit ajo, intervista e fundit dhe faqet e para të gazetave britanike lidhur me këtë intervistë, u bënë shkas për të thirrur sërish në aktualitet një pyetje të vjetër: A vlejnë dhe për çfarë na duhen ende monarkitë?

Mbretëritë kanë qenë forma më e qëndrueshme dhe më e përhapur e qeverisjes dhe ushtrimit të pushtetit. Aq fortë ka qenë ngulitur kjo në kulturën perëndimore, sa mosekzistenca e një mbreti, i cili sigurisht kurorëzohej nga një autoritet i lartë religjioz, mund të vinte në dyshim edhe ekzistencën e vetë kombit. E kam të fortë bindjen se edhe vetë kalvari i mosnjohjes së shtetit shqiptar deri vonë ka të bëjë në një pjesë të madhe pikërisht me mungesën e një familejeje mbretërore, siç grekët, serbët a bullgarët e kishin në rajon, e pikërisht për këtë arsye vetëshpallja e një Mbreti të Shqiptarëve në fund të viteve ’20 dhe imponimi i kurorës, në këtë aspekt ishte një gjetje e duhur në shtetformim. Gjithsesi kjo është tjetër temë.  

Por mbretërive aq shumë të qëndrueshme në perëndim, u erdhi rrëzimi njëra pas tjetrës përgjatë gjysmës së parë të shekullit XX: Gjermania, Austro-Hungaria, Perandoria Osmane, Franca, Italia, Portugalia e plot shtete të tjera u kthyen në republika. E megjithatë, ende sot ekzistojnë 28 monarki, pa llogaritur që Commonëealth-i britanik përfshin 16 vende.

Ato europiane, si vetë Britania, por edhe Danimarka, Suedia, Norvegjia, Spanja, Vendet e Ulëta apo Belgjika, por edhe disa aziatike si Japonia, janë monarki kushtetuese. Këtu pushteti i Mbretit është i kornizuar nga kushtetuta, e për pasojë roli i tyre ndodhet në skajet e simbolizmit. Por nga ana tjetër, ekzistojnë ende monarkitë absolute, si ato të Lindjes së Mesme, ku monarkia qëndron e padiskutueshme në plotësinë e pushtetit me forcën e shtypjes ndaj kundërshtarëve, në papajtueshmëri me demokracinë.

Është e vërtetë se në një kontekst global, monarkitë kushtetuese janë si relikte të së shkuarës, diçka me funksionalitet të limituar, por që të gjithë e duan ta kenë pranë për të ushqyer nostalgjinë. “The Economist” ka dhënë me siguri arsyen më të përmbledhur të ekzistencës së monarkive: ato mbijetojnë ende sepse janë ose shumë të dobëta (si në kontekstin e monarkive kushtetuese) ose shumë të forta (si monarkitë absolute).

Ideja është e thjeshtë. Sa më pak pushtet të ketë një monark, aq më pak do të duan njerëzit që ta rrëzojnë nga froni. Dhe familjet mbretërore europiane e kanë kuptuar mirë këtë, ku aktivitetin e tyre kryesor në sytë e publikut e kanë më së shumti ceremonial duke ushqyer me aromën e kohëve të dikurshme jetën publike, por duke ofruar edhe garancinë simbolike të bashkimit sa herë që politika e grindjeve të përditshme ofron si alternativë ndarjen. Ama pushteti hyjnor tradicional që kanë mbretërit i jep atyre atributin e “pagabueshmërisë”. Edhe më shumë se një shekull më parë, vendimet e monarkut mbanin firmën e ministrave përkatës, pasi në qoftë se diçka nuk shkonte siç duhej, nuk do të duhej ta mbante mbreti barrën e gabimit.

Ndoshta këtë ata luajnë edhe sot në prapaskenë, ndoshta jo edhe aq për fatet e popujve të tyre, por për ruajtjen e gjendjes së pandryshueshme të strukturës së pushtetit. Të parët që përfitojnë? Sigurisht që vetë ata. Në sytë e publikut, aureola e mbretit gjithmonë tenton të jetë më autoritare e njëkohësisht më paqtuese se veprimet e liderëve politikë me mandat të kufizuar. Një efekt psikologjik, po aq sa institucional ky.

Ama lajmet rozë që shoqërojnë monarkitë europiane e kanë pikënisjen nga konflikti i kontekstit: monarkitë tentojnë të ruajnë traditat e vjetra, në mjedisin global të emancipimit të vazhdueshëm dhe shpejtësisë së qarkullimit të informacionit. Dhe sigurisht këtu shumë situata shndërrohen në qesharake!

Popujt presin të gjejnë hyjnoren te familjet mbretërore, ata shfaqen krejtësisht njerëzorë: grinden, ndahen, përçahen, mashtrojnë, përfitojnë, tradhtojnë. A kanë ndodhur të gjitha këto edhe më parë? Sigurisht që po, që nga perandorët e Romës e deri te mbretërit e fillimshekullit të njëzetë, por tani ndryshon diçka: Një gazetar, me shumë mundësi, mund të ketë pushtet më tronditës se një monark.

Popujve perëndimorë u pëlqen të ruajnë në të tanishmen e shpejtë një magjepsje të ngadaltë të së kaluarës. Mbretërit dhe mbretëreshat do të rezistojnë edhe disa dhjetëra vjet në Europë, teksa roli i tyre do të bëhet gjithmonë e më simbolik, ndërsa europianët do të duhet t’i heqin aureolën e t’i shohin më njerëzishëm monarkët e tyre.

Publikuar në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *