Montanelli
Frikërat e Orhan Pamuk

Frikërat e Orhan Pamuk

Sapo ka botuar romanin “Veba Geceleri”, një rrëfim për murtajën, por edhe një këndvështrim mbi konceptin politik të karantinës. Katër vite e gjysmë më parë, miqtë i thoshin se askush nuk do ta kuptonte këtë libër sepse njerëzimi i kishte lënë pas krahëve pandemitë. Sot Orhan Pamuk flet edhe për frikërat e tij dhe artistin e munguar.

Nga Alain Elkann/ Orhan Pamuk është një shkrimtar turk, fitues i çmimit Nobel në vitin 2006 për letërsinë. Është professor i disiplinave humaniste në School of the Arts në Columbia University në New York. Ka shitur mbi trembëdhjetë milionë libra, të përkthyer në gjashtëdhjetë e tre gjuhë. Sapo ka botuar “Veba Geceleri” në Turqi, titulli në anglisht do të jetë “Nights of Plague”.

A nuk është e çuditshme që e botuat romanin tuaj mbi murtajën gjatë pandemisë së Covid-19?
Është rastësi. Ka disa skena murtaje në “Kështjella e bardhë”, një libër paraardhës ngjarjet e të cilit zhvillohen në Stambollin e shekullit XVII. Në vitin 1983 shkrova “Shtëpia e heshtjes”, në të cilin një historian heton mbi një pandemi murtaje. Menjëherë pasi përfundova romanin “Flokëkuqja” i thashë vetes se edhe pse një roman historik mbi murtajën është një projekt shumë rraskapitës, do të duhej ta shkruaja. Kur e nisa rreth katër vite e gjysmë më parë, miqtë e mi thanë se askush nuk do ta kuptonte librin pasi murtaja qe zhdukur dhe njerëzimi i kishte lënë pas krahëve këto gjëra të shëmtuara. Nisa ta besoja dhe unë këtë gjë, por isha i vendosur ta shkruaja. Nuk ka histori njerëzimi pa pandemi.

A jeni frymëzuar nga shkrimtarë si Camus, Manzoni apo Defoe?
Në rininë time të hershme kam lexuar “Murtaja” të Albert Camus. Por jam ndikuar më shumë nga romani “Të fejuarit”. Aty shkruhen vetëm rreth 35 faqe mbi murtajën, por janë shumë realiste. Ama libri më i madh që është shkruar ndonjëherë mbi pandemitë është i Daniel Defoe. Historianët thonë se gjeti ditarin e xhaxhait të tij pas Murtajës së Madhe londineze të vitit 1665 dhe kështu shkroi librin “Ditar i vitit të murtajës”.

Pse preferoni Defoe?
E kam menduar prej dyzetë vitesh, më pëlqen të shkruaj romane historike por arsyet që më shtyjnë ta shkruaj dalëngadalë ndryshuan. Në fillim e mendoja si diçka që përzien petosin ekzistencial dhe shqetësimet tona metafizike: jetën, kuptimin e saj dhe vdekjen. Por edhe Zotin. Nëse ekziston një Zot, si mund ta pranojmë gjithë këtë?

Po pastaj?
Pastaj u mendova dhe në fund doja që romani të fliste për vendosjen e karantinës. Nga Defoe dhe Manzoni mësova ta konsideroj këtë aspekt politik, sepse njerëzimi sillet gjithmonë në të njëjtën mënyrë. Fillimisht shteti e mohon dhe vepron me vonesë. Fillimisht njerëzit nuk duan ta besojnë, sidomos njerëzit e tregtisë që nuk duan të izolohen. Romani ndjek kështu arsyet e përhershme të një pandemie.

Përse i bashkoni tre personazhet tuaja në një ishull imagjinar?
Kisha nevojë për një situatë në të cilën njerëzit të veçoheshin nga pjesa tjetër e shoqërisë, sepse kështu funksionon imagjinata ime. Ekziston një ishull, por ka edhe një pandemi. Kështu i gjithë ishulli futet në karantinë dhe personazhet, majori, guvernatori dhe mjeku kanë përgjegjësinë që ta zbatojnë.

Mendoni se murtaja ishte edhe më e frikshme se Covid-19?
Me murtajën një në tre njerëz vdiste, ndërsa me koronavirusin vdes një në njëqind. E megjithatë kemi frikë nga Covid po aq sa nga murtaja.

Pse kështu?
Sepse dimë shumë. Çdo natë shohim njerëz në të gjithë botën që kërkojnë të marrin frymë dhe vdesin. Nuk janë më kohërat kur nuk ekzistonte internet, televizori, gazetat dhe kur vetëm pesë përqind e njerëzimit dinte të lexonte dhe të shkruante.

Si e keni kaluar këtë periudhë?
Zakonisht jap mësim në New York gjatë sezonit të vjeshtës, por vitin e kaluar qëllova atje në mars. Një ditë shkova në bibliotekën e Columbias. Dikush tështiu dhe nuk doja të shkoja më. U ktheva menjëherë në shtëpinë time në Stamboll. Çfarë rastësie që unë në tre vite e gjysmë kisha qenë duke shkruar një roman mbi pandeminë!

Ishit i frikësuar?
Po. Ndoshta sepse i kam kaluar 65 vjeç, ndoshta sepse në fillim qarkullonin shumë pak lajme. Dëgjova dhe iu binda të gjitha normativave të karantinës. Tani virusi po përhapet sërish në Turqi, por në fillim qeveria u tregua shumë efektive. Kam bërë dy dozat e vaksinës dhe jam mirë.

Sa e çuditshme ishte që të përfundonit një roman mbi murtajën teksa ishit i mbyllur në shtëpi dhe për më tepër i shqetësuar për shëndetin tuaj?
Kur botuesit e lexuan, thanë se realiteti po imitonte romanin tim.

Mendoni se letërsia i paraprin ngjarjeve dhe se shkrimtarët kanë intuitë për të kuptuar atë që po ndodh?
Nuk është intuitë. Shihni Bill Gates. Saktësisht, thuajse me një aftësi profetike, po kërkonte të na paralajmëronte për këtë gjë, ndërsa qëllimi im ishte të portretizoja ditët e fundit të Perandorisë Osmane dhe burokracinë e saj. Vendosja e karantinës është një temë shumë interesante që e përshkruaj si histori njerëzore, më shumë se sa një paralajmërim.

Thoni interesante sepse pandemitë janë demokratike dhe vdekja i prek të gjithë?
Vdekja është egalitare, por kulturat janë të ndryshme. Europianët modernë mbyllen dhe e respektojnë më shumë karantinën, ndërsa jeta komunitare nga anët e mia është më e fortë dhe ndaj bëhet më e vështirë për të thyer rregullat.

Thonë se po nisni të shkruani një libër të ri. Historinë e një artisti në Stamboll. Është autobiografik?
Po. Jam një artist i munguar. Deri 22 vjeç doja të bëhesha piktor, pastaj rreshta së pikturuari dhe nisa të shkruaja romane.

Jepni mësim për kulturën kreative në Columbia University. A është e mundur të mësosh se si të bëhesh shkrimtar?
Nuk mund t’i mësosh ndokujt të jetë Michelangelo apo Picasso, por mund t’i mësosh se si përdoret peneli. E njëjta gjë vlen edhe për letërsinë.

Shkruani me dorë?
Po, ndoshta jam ndër të fundit që e bëj ende. Kam ruajtur çdo faqe që kam shkruar në 45 vitet e fundit. Vitin tjetër do të mbush 70 vjeç dhe botuesi im do të dijë se si t’i përdori për një ekspozitë.

A keni frikë se mos humbni aftësinë tuaj për të shkruar?
Druhem se mos humbas kthjelltësinë. Kujtesa ime po dobësohet, siç u ndodh të gjithëve.

Punoni ende me të njëjtën ndjesi që kishit kur ishit i panjohur?
Shkruaj ngadalë dhe kam shumë projekte të parealizuara, romane të tjerë që dua të shkruaj. Romane për tema të tjera, apo të botoj faqe nga ditari im. Në çastet e mia të frikës, të irritimit a të zhgënjimit, pyes për kuptimin e gjthçkaje dhe them menjëherë: falë Zotit, duhet ta përfundoj këtë libër, ta përgatis, të mbaj edhe këtë konferencë. E kështu vazhdoj përpara.

*Alain Elkann është shkrimtar dhe gazetar, producent i programeve televizive. Orhan Pamuk është shkrimtar turk, fitues i çmimit Nobel për letërsinë në vitin 2006. Kjo intervistë e botuar në “La Stampa” u përkthye nga Erjon Uka. Publikur edhe në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *