Idetë tona vriten nga injoranca dhe përtacia e të tjerëve
Gjatë kësaj periudhe Alessandro Baricco, shkrimtari i romaneve të suksesshme e tashmë gjithmonë e më shpesh i eseve, bëri atë që prej fundit të marsit të vitit 2020 nxiti kolegët intelektualë që të bënin: La trishtimin mënjanë dhe nisi të mendojë.
Një sintezë e juaja për ditët e sotme të fut të dridhurat: Është koha për të “numëruar të vdekurit dhe për të humbur bukurinë tonë”. Për sa kohë do të vijojë kjo?
Debati që po zhvillohet është mes atyre që mendojnë se sapo të amortizohet kjo emergjencë, do të kemi tendencën instiktive për t’u rikthyer në jetën e mëparshme, dhe atyre që mendojnë se kjo s’do të ndodhë. Unë nuk mendoj se pjesa më e madhe e jona do të kthehet shpejt dhe instiktivisht në sjelljet e mëparshme. Mendoj se e gjitha kjo do të lerë një shenjë. Madje do të lërë shenja të rëndësishme.
Çfarë shenjash mendoni?
Koha për të cilën njerëzit do të kenë nevojë për t’u kthyer te mendimet pozitive dhe të ulen pranë një të panjohuri, të kalojnë tetë orë në një fluturim ajror, dy orë në një film, tre orë në shfaqje teatrale, do të jetë një kohë e gjatë, jo një kohë e shkurtër. E gjatë do të jetë edhe koha në të cilën njerëzit do të zhvendosen me trupat e tyre drejt botës në vend se ta sjellin botën në shtëpi përmes pajisjeve teknologjike. Në këtë shndërrim, shumë do të ndalen, shumë të tjerë nuk do të dalin nga shtëpia.
Edhe këtë e mendoni?
Do të dalin shumë më pak, do të udhëtojnë edhe më pak. E nëse më shtyni të bëj patjetër një parashikim idiot, për gjysmën e tyre do të jetë një lloj tërheqje nga jeta, ndërsa gjysma tjetër do të kërkojë një ekuilibër të ri, ku gjithsesi ka forcë dhe energji. Për gjysmën do të jetë dorëzim, për gjysmën tjetër një tentativë për të marrë frymë ndryshe. Me një të panjohur.
Cila?
Kriza ekonomike. Nuk është e thënë që njerëzit pastaj mund të bëjnë gjithçka që duan. Druhem shumë se do të përfundojnë duke bërë atë që mund të bëjnë, ose ato që do t’u lejojnë të bëjnë. Askush nuk e di ndikimin që do të ketë kriza pas gjithë kësaj dhe të fundit që mund të kenë njohuri janë ekonomistët. Ajo që ata studiojnë është një shkencë e sjelljes, e bazuar në materialin më të rrjedhshëm që ekziston: sjelljen njerëzore.
Nuk do të ndihen shumë të lumtur. Por ju në këtë pandemi jeni ndjerë i zhgënjyer edhe nga shkenca mjekësore…
Shpresoj që komuniteti mjekësor, duke përfshirë të gjitha specialitetet, të nisë të bëjë një ekzaminim të thellë të ndërgjegjes. Dhe nëse brenda vetes ka edhe inteligjencë dhe jo vetëm njohuri, mendoj se ky komunitet ka nisur të kuptojë se e gjitha kjo vë në krizë të përgjithshme të gjitha proceset. Nëse këtë rrugëtim e quajnë si triumf sepse kanë gjetur vaksinën, janë të çmendur. Në të vërtetë pandemia vë në pikëpyetje jo aq idenë themelore të shkencës, por mënyrat se si njohuritë mpaken nga komuniteti shkencor. Ata nuk dinë të komunikojnë, kanë një sasi tmerrësisht të madhe të të dhënave por jo metodologjinë për t’i trajtuar ato. E qarkullojnë shumë pak informacionin dhe në fund pretendojnë të besohet racionaliteti i tyre i padiskutueshëm, metoda e tyre që nuk mund të vihet në diskutim sepse bazohet në verifikime shkencore. Por pastaj na del se mes tyre kanë pozicione të papajtueshme. Po përjetojnë një krizë shumë të fortë që ka nevojë për rigjenerim radikal të metodologjive të tyre. Kanë nevojë ata, por kemi nevojë të gjithë ne.
Pushteti politik ka pasur rezultate më të mira se shkenca?
Eh… Por mbi të gjitha nuk e kam kuptuar ende që pse direkt pas emergjencës asnjë prej autoriteteve politike nuk i shkoi në mendje të këshillohej me psikologë dhe antropologë, por vetëm me mjekë. E megjithatë sot kemi nevojë të kuptojmë se çfarë kemi parasysh kur shqiptojmë fjalën “pushtet”. Në këtë moment pushteti nuk është perandor, ai është më tepër një shumë e fuqive të ndërmjetme dhe të pjesshme. Bauman thoshte se ka raste kur pushteti zhduket dhe se periudha jonë është njëra prej tyre. E besoj. Në një artikull të kohëve të fundit ngrija pyetjen se përse disa ide më moderne se të tjerat nuk arrijnë të implementohen. Nëse një mësuesi i vjen në mendje një metodë më e përshtatshme mësimdhëniejeje për situatën ku ndodhet, kush mund ta ndalojë? Nuk e ndalon drejtori apo programet e ngurta që diktohen nga ministria. Ajo që e ndalon në këtë moment është dembelosja e kolegëve, injoranca e prindërve dhe përtacia e studentëve. Një fuqi e fragmentarizuar, kaq shumë fuqi të ndërmjetme. Kundër këtyre duhet luftuar. E kotë ta kemi inatin me kryeministrin Draghi, për shembull.
Pra ju mendoni se në fazën pas pandemisë, do të na rikthehet dëshira për të luftuar për diçka? Ndoshta për të shpëtuar planetin nga shkatërrimi?
Nëse nuk ka ndonjë urgjencë e cila të nxisë që sjellje të caktuara të kthehen në detyrime, askush nuk ka autoritetin t’i bëjë njerëzit të kuptojnë. Edhe para pandemisë, u fillua me nivelin e këtyre fuqive të ndërmjetme për të treguar rrezikun e shkatërrimit të planetit me një skenar shumë të dobishëm rrëfimtarie. Sigurisht, pa ndonjë lidhje me të vërtetën aktuale shkencore që ka të bëjë me shkrirjen e akullit ose ndryshimin e klimës. Të dhënat ishin të njëjta me kohën përpara se Greta Thunberg të kthehej në fenomen.
*Alessandro Baricco është shkrimtar, skenarist dhe regjisor italian. Librat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë, si edhe në shqip me “City”, “Zoti Guajn”, “Tri herë në agim”, “Nusja e re”. Është fitues i shumë çmimeve letrare, ndër të cilat “Premio Viareggio” apo “Premio Cesare Pavese”. Intervista nga Enrico Caiano u përkthye në shqip nga Erjon Uka.