Montanelli
Një luftë emocionesh ku luhet me kujtesën

Një luftë emocionesh ku luhet me kujtesën

Ajo e ka përjetuar në lëkurën e vetë autoritarizmin e Turqisë: shkrimtarja Elif Shafak, autore e “Bastardja e Stambollit” dhe e shumë romaneve të suksesshëm, në të shkuarën u vu nën akuzë nga pushteti i Erdoganit dhe tashmë jeton prej vitesh në Londër, ku ka përfituar nënshtetësinë britanike. E angazhuar politikisht dhe gjithmonë në mbrojtje të të drejtave të njeriut, perspektiva e saj ofron një këndvështrim të privilegjuar në analizimin e parabolës së fundit të Rusisë, që u finalizua me agresionin ndaj Ukrainës.

A ka një trajektore të ngjashme që mund të dallohet në vendet autoritare, qoftë Turqia, Rusia apo të tjera? 
Autoritarizmi është shumë i rrezikshëm dhe në analizën e fundit sjell vetëm dy gjëra: ose izolim, ose ekspansionizëm dhe agresion. Në rastin e parë mbizotëron perceptimi i të qenit të ndryshëm, i rrethimit nga armiqtë, që nuk mund t’i besosh askujt. Në rastin e dytë, ka nostalgji për një perandori të humbur. Nostalgjinë perandorake e shoh si diçka shumë të rrezikshme, sepse në qendër të saj ka kujtesën selektive: besohet se e kaluara ishte plot madhështi, si një epokë e artë që përfundoi për faj të të tjerëve dhe që duhet rikuperuar. Kjo është narrativa që po përdor Rusia tani dhe s’është një narrativë e pafajshme.

Izolimi dhe ekspansionizmi në Rusi këmbejnë me radhë rolet. 
Po, ashtu është. Një regjim autoritar mund të krijojë izolim dhe narrativa do të jetë se nuk kanë nevojë për demokraci sepse nuk është diçka që u përket atyre, ata janë një qytetërim tjetër. Ndaj ndërtojnë këtë izolacionizëm që më pas kthehet në ekspansionizëm.

Narrativa e izolacionizmit dhe e diversitetit ushqehet nga ideja e kërcënimeve të jashtme. Prandaj ekspansionizmi prezantohet si mburojë. 
Saktësisht. Paradoksi është se në këtë narrativë, agresiviteti prezantohet si rezultat i viktimizimit ndaj padrejtësive. Nuk kemi vetëm propagandë dhe dezinformim sistematik, por edhe një shtrembërim të narrativës, ndërtimin e një narrative të re të bazuar te viktimizimi. Veçanërisht këtë e bëjnë perandoritë kur thonë se kanë qenë një perandori e madhe por tashmë të tkurrur sepse u janë marrë territoret. Kjo narrativë është toksike dhe shtrembëron realitetin.

Duket e pabesueshme që në shekullin e XXI duhet të përballemi me nostalgjinë perandorake në zemër të Europës. 
Kjo është luftë e kujtesës. Na është thënë se kishin marrë fund periudhat e viteve ‘800 dhe ‘900 dhe se luftërat e mëvonshme do t’i kishim vetëm informatike dhe teknologjike. Por kjo që po ndodh tani është një luftë e shekullit të XIX, në terren, që shënjestron civilët por e bazuar në kujtesën e së shkuarës së artë. Këtu fjala kyçe është kujtesa! Dhe është një luftë shumë emocionale: Putini është parë gjithmonë në rolin e njeriut racional dhe përllogaritës, një njeri klasik i KGB-së, pa emocione, por në të vërtetë kjo është një luftë emotive. Putini luan me emocionet e njerëzve dhe bazohet tek emocionet: nëse nuk e kuptojmë të shkuarën, nuk mund të kuptojmë se çfarë po ndodh sot. Dhe kur them të shkuarën kam parasysh interpretimin e së shkuarës, rishkrimin e saj: nëse i pyesim ukrainasit se cila është e shkuara e tyre, ata do të na tregojnë një histori tjetër. Interpretimi që bën Putini është një interpretim selektiv dhe i filtruar i së kaluarës: por autokratët këtu bazohen.

A ka shpresë për Rusinë apo është e dënuar të notojë në autokraci? 
Regjimet autokratike gjithmonë kërkojnë të japin përshtypjen se janë një bllok homogjen, por kurrë nuk janë. Edhe nëse regjimi i Putinit përpiqet ta mbysë të gjithë opozitën, ka të rinj në Rusi që nuk e duan këtë luftë dhe protestojnë në rrugë, ka të moshuar që kanë parë Luftën e Dytë Botërore dhe që gjithashtu protestojnë. Autoritarizmi nuk funksionon në afatgjatë, edhe pse për momentin jam pesimiste, në kuptimin që duhet të qartësohemi për brishtësinë e demokracisë dhe se Perëndimi ka qenë i përçarë së brendshmi.

A është kjo një luftë zgjimi për Perëndimi? 
Për të gjithë botën. Besoj te njerëzimi dhe theksoj lidhjen humanitare: në botë njerëzit që besojnë në demokraci dhe pluralizëm duhet të ngrenë zërin, duhet të ketë solidaritet global. Edhe në perëndim demokracia nuk është e plotë: është shumë më e brishtë nga sa besojmë ne, është një ekosistem shumë delikat kontrollesh dhe balancash, duhet të ushqehet, nuk mund të konsiderohet si e garantuar. Ne duhet të ndërtojmë një demokraci pluraliste dhe gjithëpërfshirëse që respekton diversitetin: është gjëja më e vështirë, por është rruga që na çon përpara.

Dukej se në Evropën bashkëkohore nuk duhet të kishte më vend për një konflikt si ai që po shohim. 
Kishte shumë optimizëm, veçanërisht në fund të shekullit të kaluar: meqë u shemb Muri i Berlinit dhe BRSS u shpërbë, ekzistonte pritshmëria se e vetmja rrugë që mbetej ishte demokracia liberale dhe se falë teknologjisë, demokracia do të përhapej kudo. Optimizmi i tepërt në shpërndarjen e informacioneve rezultoi gabim i madh sepse informacioni nuk është dije, dhe dija nuk është mençuri. Janë tre gjëra shumë të ndryshme. Informacioni i tepërt na lodh dhe po ashtu shkakton shumë dezinformim. Pra si të marrim njohuri të vërteta? Kemi nevojë për libra, për gazetari investigative, jo për rrjete sociale. Por gjithashtu kemi nevojë për biseda me nuanca, edhe pse mesa duket se nuk ka kohë për këtë. Ndërsa mençuria kërkon inteligjencë emocionale.

*Elif Shafak është shkrimtare turke, politologe dhe aktiviste për të drejtat e njeriut. Në shqip janë botuar disa prej romaneve të saj si “Bastardja e Stambollit”, “Dyzetë rregullat e dashurisë”, “Nderi”, “Çiraku i arkitektit” etj. Intervista u përkthye nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *