Krime lufte apo gjenocid?
Nju Jork. Ekziston një ndryshim i dukshëm mes ashpërsisë me të cilën liberalët amerikanë e akuzojnë Putinin për gjenocid dhe krime lufte, dhe maturisë së liberalëve europianë. Një kontradiktë që Michael Walzer, filozofi i Princeton dhe autor i librit “Luftëra të Drejta dhe të Padrejta”, e shpjegon si më poshtë:
“Ju ende shpresoni të negocioni me Putinin dhe dëshironi t’ia jepni vetes hapësirën për ta bërë këtë; ne besojmë se refuzimi i tij për të negociuar në mirëbesim e përjashton zgjidhjen diplomatike të problemit, prandaj i jemi dorëzuar faktit se çdo rrugëdalje vjen prej fitores ushtarake. Edhe ne do të preferonim negocimin, sepse objektivi i parë është gjithmonë shpëtimi i jetëve, por Kremlini ka zgjedhur ta refuzojë dhe ndoshta asnjëherë nuk e ka konsideruar seriozisht një alternativë të tillë.
Biden e akuzon Putinin për gjenocid.
Nga çdo këndvështrim, pushtimi i Ukrainës është i paligjshëm. Janë kryer krime lufte, ndërkohë që po zhvillohen sulme kundër civilëve. Por do të hezitoja në përdorimin e termit gjenocid. Në Rusi, disa flasin për shkatërrimin e Ukrainës dhe riedukimin e popullsisë, por jo për shfarrosjen e gjithë ukrainasve. Në planin ligjor, fjala gjenocid duhet të jetë e rezervuar për tentativat ndërkombëtare në shkatërrimin e një grupi të tërë etnik, racor apo fetar. Ajo që po ndodh është e tmerrshme dhe kundërshtia ndaj saj duhet të jetë shumë e fortë.
Cili është dallimi mes krimeve të luftës dhe gjenocidit?
Sulmet kundër civilëve, vrasja e pengjeve dhe e njerëzve me duar të lidhura prapa shpinës, pamje që i kemi parë në periferitë e Kievit, janë krime lufte. Gjenocidi është akti i qëllimshëm për shfarrosjen e një popullsie dhe që deri tani, nuk duket se Putini e ka në mendje diçka të tillë. Për momentin, këtë term do t’ia rezervoja vetëm hebrenjve, armenëve dhe ruandezëve. Ama ekziston edhe koncepti i gjenocidit kulturor për të cilin flasin disa media në rusi. Pra, ndoshta nuk duan të vrasin të gjithë ukrainasit, por duan të shkatërrojnë ukrainitetin, vetë idenë e të qenit ukrainas.
Çfarë kuptoni me gjenocid kulturor?
Ekziston edhe një tjetër term për të përshkruar gjithë sa po ndodh: policide, ose shkatërrimi i një shteti apo i një entiteti politik dhe social të pavarur. Është i ndryshëm nga gjenocidi, por është një akt i tmerrshëm që po ndodh.
Si ndëshkohen krimet e luftës?
Procesi më i suksesshëm i kohëve të fundit ka qenë ai në Hagë kundër atyre që kishin kryer krime lufte në ish-Jugosllavi. Një model i tillë do të ishte më i duhuri për t’u aplikuar. Por për ta bërë këtë gjë, duhet t’i japësh fund luftës duke e fituar atë.
Shtetet e Bashkuara po dërgojnë armë: a është e drejtë t’i ndihmosh ukrainasit të mbrohen?
Po. Do të duheshin edhe përpjekje për të gjetur një zgjidhje të negociuar, por duhen përfshirë ukrainasit. Për aq kohë sa ata do të jenë të zënë me luftën, duhet t’i ndihmojmë në çdo formë të mundshme.
Putin ka thënë se nuk është i interesuar për të negociuar.
Pikërisht. Për momentin nuk ka komunikim dhe as perspektivë të shpejtë për të hapur negociatat, sepse duhet të jenë dy palë. Njëra prej tyre refuzon.
Kërkon të denazifikojë Ukrainën?
Nuk besoj se aktualisht i ka kapacitetet për ta bërë diçka të tillë. Me tërheqjen nga veriu kishte dhënë sinjale se do të ndryshonte objektiv, por deklaratat e tij të fundit publike na çojnë sërish te retorika fillestare.
Çfarë nënkupton kulturalisht denazifikimi i Kievit?
Është thjesht një justifikim i përdorur për të marrë nën zotërim kryeqytetin dhe për të zëvendësuar qeverinë me një regjim kukull, si në kohët e Bashkimit Sovjetik. Tani mediat nuk flasin më për denazifikim, por për deukrainizim. Është një projekt goxha më i gjerë dhe duket se përshkruan qëllimin për kryerjen e gjenocidit.
Prandaj Biden flet për gjenocid?
Po shpreh atë që ndjen, përgjigja e tij është morale. Pozicioni zyrtar i Shteteve të Bashkuara nuk lidhet me ndryshimin e regjimit në Rusi. Moska e kërkonte diçka të tillë në Ukrainë, por kur presidenti shprehet në këtë formë nuk po flet në emër të Departamentit të Shtetit.
Pse ka një ndryshim në qasjen mes liberalëve europianë dhe atyre amerikanë?
Edhe në SHBA ka njerëz të së majtës që ia hedhin fajin zgjerimit të NATO-s, ndërsa Rusia po kërkon të mbrojë vetëm sigurinë e saj kombëtare. Nuk habitem nga liberalët që denoncojnë krimet e luftës: çdo ekspert ligjor duhet të përdorë këtë term. Po shkatërrojnë pa dallim shtëpi, spitale, shkolla. E kam të vështirë të justifikoj hezitimin për ta përdorur këtë akuzë.
Liderët gjermanë, francezë dhe italianë po hezitojnë. Pse?
Ndoshta mbizotëron dëshira për një armëpushim dhe për arritjen e një marrëveshjeje të negociuar, dhe ballafaqimi me një kriminel lufte do të ishte më i vështirë. Ne të gjithë duam një armëpushim, por unë nuk mendoj se Biden mund të jetë personi në gjendje për ta bërë diçka të tillë. Mendohet se do ta bëjnë të tjerët, turqit, dikush nga BE, prandaj duhet të jenë më të kujdesshëm.
Është ende e mundshme të negociosh me Putinin?
Mbetet gjithmonë e mundshme sepse gjëja më e rëndësishme për t’u arritur është ndalimi i vrasjeve. Të majtët duhet të denoncojnë krimet e luftës, ndërsa diplomatët duhet të përdorin një gjuhë të ndryshme.
Putin po sfidon të gjithë arkitekturën globale.
Kërkon të rivendosë Jaltën, dominimin rus në Europën lindore dhe pretendon që kjo gjë të pranohet nga Perëndimi, siç bënë Roosevelt dhe Churchill me Stalinin. Por nuk mendoj se duhet ta bëjmë këtë gjë.
Pse?
Negociatat duhet të bëhen mbi kokat e të gjithë popujve të Europës lindore.
Si do t’u përgjigjeshit atyre që thonë se po mbrohet vetëm siguria e Rusisë?
Ata gabojnë për dy arsye. E para, e kemi provuar një herë këtë eksperimentin realist të bazuar në sferat e influencës dhe Moska dështoi duke prodhuar regjime brutale, autoritare dhe të korruptuara. S’ka asnjë arsye të besojmë se këtë herë do të shkojë më mirë. E dyta, askush në Europën lindore nuk e do diçka të tillë, përfshirë edhe shumë rusë në Ukrainë. Nëse je demokrat dhe beson në vetëvendosjen e popujve, kjo nuk është një marrëveshje që mund të ndodhë.
*Michael Walzer është politolog amerikan, profesor emeritus në Institute for Advanced Study në Princeton. Librat e tij kanë pasur në fokus etikën politike, duke përfshirë luftën, nacionalizmin, kritikën, radikalizmin dhe tolerancën. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.