Borges
Të vërtetat pas një çmimi

Të vërtetat pas një çmimi

Nga Annie Ernaux/ Çfarë do të thotë “të fitosh një çmim”? Jo në përgjithësi, por për mua. Dhe jo një çmim çfarëdo, por atë që mbart një emër prestigjioz, madje edhe frikësues, si Marguerite Yourcenar. Unë jam nga ata njerëz që përballë një pyetjeje të rastësishme hidhem e bie në një humnerë mendimesh kontradiktore, të turpshme për t’u zbërthyer. Dhe këto mendime më ekspozojnë ndaj një rreziku të madh mungese sinqeriteti. Ose ndaj rrezikut për të shqiptuar banalitete të pakundërshtueshme. Për t’i bërë bisht kësaj pengese, shoh vetëm një mënyrë: ta zhvendos veten në fillim të kohëve, jo ??të shkrimeve se sa të botimeve të mia, dhe – me atë sinqeritet që distanca kohore nga vetja e bën më të lehtë shqyrtimin – të lëvroj marrëdhënien time me çmimet, një institucion nga i cili shkolla franceze u çlirua në vitin 1968.

Para së gjithash ka qenë dëshira. Dëshira për një çmim. Ky përfaqëson një rast kur folja është shumë e dobët për të përcaktuar trazirat që më pushtuan kur pashë emrin tim në listën e çmimit “Goncourt”, ca më shumë se dyzet vjet më parë. Në pranverën e vitit 1974 sapo kisha përjetuar tërmetin e shkaktuar prej publikimit të romanit tim të parë “Dollapët e zbrazur”, kur në faqet e “Le Monde”, e zeza mbi të bardhë, përmendej mundësia se ai debutim mund të merrte çmimin që njihej nga e gjithë Franca dhe nga përtej kufirit gjithashtu.

Ngrita shpatullat dhe pranova me veten se bëhej fjalë për një farsë, se kurrë s’do ta kisha fituar. Por dëmi ishte bërë. Fakti që s’kisha pasur kurrë shumë besim në aftësitë e “Goncourt” për njohjen e vlerave letrare ishte qartësisht i parëndësishëm: emri im gjendej në listë, në atë mjet sadist që ndez lavdinë në sytë e nja dhjetë shkrimtarëve, për t’i eliminuar më pas, duke i përjashtuar njëri pas tjetrit si produkte difektoze. Ngadalë, në heshtje, fillova të “besoj”. Dhe kishte diçka profetike në besimin tim në të, sikur çmimi “Goncourt” përfaqësonte qëllimin përfundimtar të atij libri, hakmarrjen më të lartë ndaj turpit dhe poshtërimeve që ishin tema e romanit.

Më duhej të rrëfej se, krejt papritur, ato fantazi morën një formë të përcaktuar: të lija mësimin dhe të mos bëja gjë tjetër veçse të shkruaj. Ama e gjithë skela u shemb pikërisht në çastin e shpalljes së fituesit në radio, që ishte Pascal Lainé, dhe zemërimin e ndjeva vetëm karshi naivitetit tim, injorancës sime mbi mekanizmat që drejtojnë ato forume të largëta pariziane. Sido që të jetë, për ta thënë me një fjalë, u mashtrova. Ajo që më prek thellë në lidhje me çmimin “Marguerite Yourcenar” është se ai nuk jepet për një libër të caktuar, por për një angazhim letrar të shtrirë në kohë.

Nëse shoh veprat e tyre që e kanë fituar përpara, Pierre Michon e Hélène Cixous, më duket një formë miratimi ndaj shkrimeve të karakterizuara prej lirisë dhe kërkimit. Është mirënjohja e një rruge që Marguerite Yourcenar e ka shënjuar në mënyrë të fuqishme, gati të pacipë në paturbullueshmërinë e saj.

Mes shumë librave të saj, mund të dalloj rëndësinë që ka pasur për mua “Kujtimet e Adrianit”, libër që e zbulova në vitin e parë të universitetit, ashtu si edhe në ato tekste me të cilat zhvillova një lloj bashkëbisedimi të brendshëm përpara se të nisja të shkruaja “Vitet”, siç ishin librat “Kujtime të çmuara” dhe “Arkivat e Veriut”.

Mund të tregoja për admirimin tim për personin, për gruan që e ka përballuar gjithmonë me sensualitet botën, që nuk i ka mohuar kurrë dëshirat e saj, e cila në vitin 1980, në moshën 76-vjeçare, kur gjeti dhe rilexoi një shënim të vjetër në të cilin thoshte e bindur se kishte mposhtur “lakminë” e saj, shkroi: “Jo”.

Por preferoj më mirë të sjell një kujtim të gjallë dhe të fshehtë, që më erdhi menjëherë në mendje kur u shpall çmimi. Atë mbrëmje nëntori të vitit 1984, pas çmimit “Renaudot”, isha në hotelin du Pont-Royal, duke darkuar në heshtje, e trullosur nga dita që sapo kaloi, në shoqërinë e Antoine Gallimard dhe punonjësve të shtypit dhe të shitjeve. Në një tavolinë pak më larg prej tonës, ishte ulur Marguerite Yourcenar me shallin e saj të bardhë. Në një moment ndesha vështrimin e saj, që po pushonte mbi mua me nuancën e ëmbël të buzëqeshjes. M’u duk se i lexova kureshtje dhe argëtim.

E teksa përfundoj këto rreshta, përpara dritares sime një qukapik sulmon trungun e një bredhi. Shoh kokën e tij të kuqe, sqepin e gjatë me majë që godet lëvoren e errët me lëvizje të shpejta. Papritmas ngrihet, duke rrëshqitur mbi lëndinë. Mendoj intensivisht për të, për Marguerite Yourcenar, e cila gjithmonë e ka ndjerë veten si një hallkë e një zinxhiri brenda natyrës në të cilën mbretëritë nuk janë të ndara nga njëra-tjetra.

*Annie Ernaux është fituesja e çmimit “Nobel” për letërsinë në vitin 2022. Më parë është nderuar me çmime të rëndësishme si “Çmimi i Gjuhës Frënge”, “Çmimi Europian Strega”, “Çmimi Marguerite Yourcenar” në vitin 2017 apo “Çmimi Formentor”. Në shqip janë botuar romanet “Kujtime vajze”, “Pasion i thjeshtë” dhe “Vendi i Babait”. Ky shkrim u përkthye nga Erjon Uka.

Lexo edhe: Annie Ernaux, të shkruash për turpin

Tags :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *