Sërish njerëz, për të mos u squllur nga dëshpërimi
“Ku po shkon bota? Nuk arrijmë ta kuptojmë. Nga gjithë sa na thuhet, çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo? Nuk arrijmë ta kuptojmë. Nga çfarë duhet të kemi frikë? Nuk arrijmë ta kuptojmë.”
Susanna Tamaro thotë se bota nuk do të kthehet më ajo e para, por këtë kërcënim ogurzi e interpreton si një “urim të gëzueshëm. Po, bota e mëparshme nuk do të kthehet.” Cila botë do të zërë vendin e saj? Dhe çfarë roli do të kemi ne? A do t’ia dalim? “Përballë çnjerëzimit pervers të këtyre kohëve, mund të bëjmë zgjedhjen tonë, gjithmonë mund të rezistojmë”, thotë shkrimtarja.
Tamaro nuk kishte asnjë synim për të shkruar një libër këtë vit. “Isha shumë e lodhur, por më pas ndjeva një imperativ të fortë etik që më bëri ta mendoj përsëri. Përjetuam një lloj luftë civile dhe duhet të përballemi me kujtesën e një konflikti që e ndau vendin më dysh. Shihja rreth meje shumë njerëz të humbur, të dëshpëruar. U ndjeva e detyruar të bëja përpjekje për të hedhur dritë mbi atë që kishte ndodhur, të ktheja racionalitetin në qendër të diskursit të përbashkët.”
Rezultati është “Sërish njerëz”, një libër drithërues, militant dhe përçarës. “Është vërtetë koha për të pasur guxim, duhet të dimë të rrezikojmë mungesën e popullaritetit, fatkeqësinë më të frikshme të këtyre kohërave”, pranon ajo, sepse ka një betejë që duhet bërë për t’i dhënë kuptim vetes dhe botës dhe për këtë duhet dikush që i bën duart pis, pa frikë, duke i zhytur në shumë kontradikta, në gabime, në moszgjedhje, në copa të këtyre dy viteve të pandemisë që kanë fshirë siguritë dhe bindjet.
Në thelb, “Sërish njerëz” thotë këtë: t’i rikthehemi mendimit. Prej nga duhet të nisemi?
Nga rikthimi në realitetin e njeriut. Kemi evoluar për mijëra vjet së bashku me të gjitha gjallesat dhe ky proces ka krijuar lidhje shumë të ngushta dhe marrëdhënie komplekse me botën përreth nesh. Nga ky evolucion rrjedh i gjithë trupi ynë, si edhe sjelljet tona thelbësore,. Pesëdhjetë vitet e fundit na kanë dhënë një goditje, duke propozuar idenë e qenies njerëzore si krejtësisht të shkëputur nga evolucioni biologjik. Me iluzionin e plotfuqisë, të një lirie fiktive, ne kemi prerë të gjitha lidhjet tona me realitetin. Kjo krizë e mendimit mund të trajtohet duke përsëritur pyetjet e vjetra që i përkisnin gjithmonë identitetit të njeriut. Kush jam unë? Cili është kuptimi i jetës? Çfarë realiteti fshihet para dhe pas misterit të ekzistencës?
Kur nisët të mendonit për librin?
Në fund të vitit të parë të pandemisë, sepse isha shumë e habitur nga vala e fortë e mungesës së arsyes që nisi të shtynte përpara shoqërinë tonë. Më frikësonin shkencëtarët e shndërruar në profetë të së vërtetës absolute, sepse shkenca mbetet e tillë vetëm kur pranon brishtësinë e dyshimit dhe gabimin. Nëse bën të kundërtën, duke u vetëshpallur si e vërtetë absolute, mund të bëhet e rrezikshme. Ideja e parë ishte ajo e të shkruajturit një ese me titullin “Çfarë është një virus, çfarë është një njeri”. Më dukej e rëndësishme t’i ripërkufizoja të dyja kategoritë në mënyrë që njëra – virusi – të mos gllabëronte tjetrën. Por pastaj, kur nisa të shkruaja, m’u desh të merresha me një shtjellim që zgjerohej dita-ditës, si rrathët në ujë.
Ekziston një kushtrim i fortë për lirinë e zgjedhjes, në çdo situatë, dhe për guximin. E keni parë?
Dalëngadalë kultura mbizotëruese i ka zbuar dhe i ka fshirë të gjitha ato që një herë e një kohë quheshin virtyte. I pari prej tyre ishte guximi, pra aftësia për t’u përballur me vetëdije me situata të vështira. Rezultati i këtij procesi është shndërrimi i njeriut në një qenie thelbësisht të sëmurë, të squllur, të shtrirë në divan në pritje të argëtimit, me paaftësinë për të marrë vendime që s’i sheh në media. Të zgjedhësh do të thotë të jesh i vetëdijshëm se në realitet para nesh gjenden të pranishme gjithmonë dy përmasa: ajo e së mirës dhe ajo e së keqes. E mira dhe e keqja prêt à porter – ajo që më pëlqen është e mirë dhe ajo që nuk më pëlqen është e keqe – po e shndërrojnë qytetërimin tonë në strofkë barbarie.
Roli i intelektualëve?
Nëse e shkrova këtë libër, e bëra mbi të gjitha sepse u preka nga heshtja e shumicës dërrmuese të intelektualëve, nga margjinalizimi dhe tallja e egër e kujtdo që guxonte t’i bënte vetes pyetje që kërkonin përgjigje komplekse, më të artikuluara se ato të imponuara nga manikeizmi i medias.
(Shënim: manikeizmi është doktrinë fetare e përpunuar nga persiani Mani e bazuar në identifikimin e dy parimeve absolute: E mira dhe e keqja, në kontrast të përhershëm mes tyre.)
Fundi ynë është shkruar në fundin e biodiversitetit, por atë “nuk do ta shkaktojë vrima e ozonit apo ngrohja globale”, shkruani ju, “por shkatërrimi i shpirtit”. A po mendoni për një humanizëm të ri?
Kemi nevojë. Kemi nevojë të rindërtojmë me kurajë një rrugëtim edukativ. Kemi nevojë të flasim për një kuptim etik të jetës. Kemi nevojë të themi se madhështia e ekzistencës sonë nuk përcaktohet vetëm nga jetëgjatësia, që në ditët e sotme mbështetet tek barnat, por se si jemi në gjendje ta jetojmë atë. Kemi nevojë të luftojmë frikën, rehatinë dhe dobësinë e brendshme, prej nga lindin fanatizmi dhe urrejtja sociale. Ne duhet të rikthejmë racionalitetin e vërtetë te mendimet tona, një racionalitet të aftë për të pranuar se mbi gjithë jetën tonë shtrihet hija e misterit. Ky realitet njëdimensional u imponua nga një kulturë tekniko-shkencore që besoj se tashmë mund të përkufizohet, pas këtyre dy viteve, si arkitektura e prodhuar nga regjimet totalitare: brutaliste. Askush nuk u flet fëmijëve për shpirtin, askush nuk e merr parasysh se ky aspekt është tërësisht i përpunueshëm në fëmijëri, por nuk mbetet i tillë për gjithë jetën. Nëse nuk kultivohet, stafetën e merr materializmi. Dhe kjo nuk i shndërron fëmijët në njerëz kureshtarë apo të pasionuar pas jetës, por në qenie të vogla të dëshpëruara, pa asnjë horizont.
Njeriu për të cilin flisni në libër, ai për të cilin keni nostalgji, është një njeri i farkëtuar nga “sprovat e brendshme”. Cilat kanë qenë tuajat, ato që ju kanë bërë njeriun që jeni sot?
E gjithë jeta ime ka qenë vazhdimisht një sprovë e brendshme. Kam lindur nga dy prindër shumë problematikë dhe vuaj nga sindroma e Aspergerit. Në atë kohë, askush nuk e dintë çfarë ishte dhe të gjitha krizat, të gjitha vështirësitë e mia, trajtoheshin si dëngla që duheshin shtypur me forcë. Gjatë fëmijërisë sime kam menduar shumë herë se do të çmendesha prej dhimbjes. Si të gjithë njerëzit autikë, kam pasur vështirësi tragjike për të hyrë në tregun e punës dhe nëse nuk do të kisha fatin të jetoja falë librave të mi, tani do të isha duke mbajtur radhën te Caritas-i. Pastaj, kur isha e suksesshme, për dhjetë vjet përjetova një fushatë mediatike dashakeqëse dhe të rreme kundër meje, që do të kishte vrarë shumicën e njerëzve. Megjithatë, pavarësisht këtyre vështirësive të tmerrshme, në zemrën time gjithmonë kam kultivuar guximin dhe shpresën, së bashku me vetëdijen se vuajtjet vijnë për t’u përballur dhe për të na rritur. Për ta bërë këtë dhe për të mos u kthyer në një viktimë të pafuqishme, duhet të kesh bindjen e thellë se jeta ka një kuptim.
Çfarë mbetet prej mitit të madh të kohës sonë: lumturisë?
Në librin “Shko ku të çon zemra” shkruaja se rrezja e lumturisë është e shkurtër sa drita e një llambe, ndërsa vetëm gëzimi është i aftë të na ngrohë si dielli. Kur flasim për të drejtën e lumturisë, sjell ndër mend gjyshin tim, që i lindur shumë i varfër, kaloi katër vjet të rinisë së tij në llogoret e Karstit. Pavarësisht kësaj ai eci përpara, ndërtoi punën dhe krijoi familjen. Lumturia është një mit post-modern. Mund të jesh i lumtur për një takim, për një udhëtim, për një libër, por kjo nuk është një e drejtë dhe nuk është një shtyllë etike. Realiteti që formon ekzistencën sonë është aftësia, por edhe mundësia, për të ndërtuar realitete pozitive rreth nesh, të cilat i japin kuptim jetës.
E mbyllni librin duke rrëfyer tre jetë të veçanta (Maria Sklodowska Curie, gjimnasti Alfred Hirsch që vdiq në kampet e shfarosjes dhe Franz Jägerstätter, i vrarë sepse refuzoi të bëhej pjesë e ushtrisë naziste), si për të treguar se një përgjigje për krizën gjendet në vetë jetët e njerëzve.
Kemi nevojë për jetë shëmbullore që të dalim nga paqartësia dhe të rikuperojmë virtytin e guximit përballë zgjedhjeve të vështira.
*Susanna Tamaro është shkrimtare italiane. Në shqip gjenden libra të tjerë të saj si “Dëgjoje zërin tim”, “Përgjithmonë”, “Thuaji zemrës po”. Intervista nga Daniela Monti u përkthye në shqip nga Erjon Uka.
Lexo edhe: Burgu ku jetoj çdo ditë quhet Asperger: Shkrimtarja Susanna Tamaro rrëfen për herë të parë sëmundjen e jetës
Lexo edhe: Pandemia i zbuloi, nuk i krijoi, vetmitë tona