Ecja është një lojë që na çliron nga kaosi i brendshëm
“Nuk eci për t’u rinuar apo për të shmangur plakjen, as për t’u mbajtur në formë dhe as për të kryer një detyrë. Unë eci ashtu siç ëndërroj, siç imagjinoj, siç mendoj, për një lloj lëvizshmërie të qenies dhe për një nevojë lehtësie”, shkruante Georges Picard në “Le vagabond approximatif”.
Duhet lexuar “Jeta në këmbë. Një praktikë lumturie”, libri i tretë që David Le Breton, sociolog dhe antropolog francez, i dedikon kësaj teme. “Nuk lodhem kurrë duke ecur, as duke rrëshqitur penën mbi fletë”, thotë.
Pse vendosët të publikonit një libër të tretë mbi ecjen?
Për mua të tre librat mbi ecjen kanë qenë një lloj pushimi nga rrugëtimi i gjatë në mësimdhënie dhe në kërkim shkencor, si një mënyrë të shkruari me një kod më të çlirët sesa kur përballem me argumenta të tjerë. Janë libra prej shëtitësi, ku patjetër që shpreh edhe ndjeshmërinë time prej antropologu. Një lloj udhëkryqi për të menduar ndryshe dhe për të marrë kohën për veten time: Shkruaj shumë për ngadalësinë, por ashtu si të gjithë jam detyruar që gjithmonë të nxitoj. Pikërisht ecja është një mënyrë për t’u rrënjosur, për të rizbuluar orientimet tona dhe, në veçanti, për të zbuluar atë ndjeshmërinë e botës që ne shpesh priremi ta humbasim në rrjedhën e aktiviteteve të përditshme. Të ecësh do të thotë të rifitosh trupin, të qëndrosh me këmbë në tokë në kuptimin fizik e moral të fjalës. Në librin “Jeta në këmbë” jam përqëndruar edhe te përfitimet e të ecurit, mbi faktin që shpeshherë përbën një formë shërimi nga vështirësitë e jetës. Thjesht na bën të jetojmë çastet e lumturisë. Ecja rikthen gravitetin që mungonte ose e forcon atë, duke siguruar momente plotësie. Mendja endet lirisht: ecja është një udhëtim i pangutur në mendime, në kujtesë, pa frikë se do të ndërpritet papritur nga një punë e lodhshme ose një tringëllimë e papërshtatshme. Është devijimi i duhur për të ribashkuar fragmentet tona të shpërndara: krasit ato mendime që janë tepër të rënda e të shqetësuara të cilat na paralizojnë. Është një rend i ri i kaosit të brendshëm. Të ecësh do të thotë të gjesh rrugën tënde.
Ju shkruani: “Të ecësh do të thotë të ekzistosh, në kuptimin e fortë, siç na thotë vetë etimologjia e fjalës: ex-sistere, të largohesh nga një vend i caktuar, të ikësh prej vetvetes”.
Një ecës eksperimenton me gjithë forcën e trupit, me gëzimin për t’u ndjerë shumë i gjallë në hapat e ndërmarrë dhe në përpjekjet e bëra. Ai përballet me një botë që nuk e ka parë kurrë më parë. Sheh agimin ose dritën që bie ndërsa dita përparon. Përjeton thjeshtësinë, çlirohet nga superstrukturat teknologjike dhe kufizimet e identitetit, nga presionet familjare dhe profesionale. Ai më në fund jeton në mjedisin real që e rrethon: zhytet në hapësirat e mëdha duke e braktisur veten në lirinë e tyre. Zhvishet prej të gjitha rehative, por edhe nga gjithçka që rëndon mbi ekzistencën e tij. Duke ecur ne ndryshojmë perceptimet tona shqisore, emocionet, kohën dhe hapësirën tonë. Gjejmë dimensionin telurik të gjendjes njerëzore. Pra e gjitha përmblidhet lumturisht në zhdukjen e përkohshme nga vetja.
Të ecësh po kthehet në modë, një lloj suksesi planetar.
Bashkëkohësit tanë kalojnë shumë kohë të ulur pas timonit apo përpara kompjuterit dhe ekraneve televizive, ku pasiviteti fizik është edhe një prej shqetësimeve kryesore të shëndetit publik. Në jetën e përditshme ecim gjithnjë e më pak. Burimet fizike janë lënë pas dore, përpjekja perceptohet si shqetësim. I pashfrytëzuar në jetën e përditshme, trupi bëhet burim çrregullimesh dhe ndonjëherë gjeneron një diskurs denigrimi, bartësi standard i të cilit është trans-humanizmi. Jo më në qendër të përvojës, por si një anekdotë: një shembull është nocioni banal i “lodhjes nervore”. Shpesh herë themi: “Sot jam i telendisur, por nuk kam bërë asgjë.” Në këtë situatë jemi ne që mbajmë trupin tonë, jo ky i fundit ne. Ecja sigurisht që kontribuon për t’u ndjerë më mirë, për shëndetin tonë, por ta bëjmë atë vetëm për këtë do të ishte një formë puritanizmi, një detyrë që thjesht duhet kryer e të çon në mërzitje. Udhëtari rizbulon trupin e tij nën një tjetër prizëm, duke u larë në erën plot botë. Shumë sëmundje që lidhen me mungesën e stërvitjes ose tensionet e jetës së përditshme zhduken me kalimin e orëve ose ditëve të lëvizjes. Ecja është një lojë: nuk kërkon zbatimin e një minimumi shpejtësie dhe as kufizim, pasi secili përparon me ritmin e vet. Ecësit po shtohen kudo në numër, po kthehen në një vlerë thelbësore si një kundërvënie e nevojshme ndaj vlerave dhe kushteve të jetesës në shoqërinë tonë bashkëkohore.
A mund të jepni një arketip të ecësit?
Janë kryesisht burra dhe gra rreth të tridhjetave, e të tjerët pensionistë që kanë kohë në dispozicion. Por edhe në rrugët klasike të ecjes, si për shembull ajo drejt Kompostelës në Spanjë, do të takoni njerëz të të gjitha moshave dhe kombësive, dhe të besimeve të ndryshme ku shumë janë ateistë. Do të gjeni studentë të rinj ose studentë të doktoraturës që kanë dashur të përjetojnë një parantezë magjepsëse në jetën e tyre. Është një globalizim i lumtur moralisht, ndryshe nga ai globalizimi ekonomik që izolon, kundërshton, shfrytëzon. Në shtigje mbretëron miqësia, ndarja, solidariteti, kurioziteti, zbulimi i ndërsjellë. Ndonjëherë mendoj se shëtitësit janë pionierët e botës së ardhshme bazuar në kënaqësi, në kohën për të jetuar dhe në njohjen reciproke. Por mbase jam duke ëndërruar.
Cilët janë “ecësit historikë” (intelektualë apo zbulues për shëmbull) me të cilët ndiheni më i lidhur idealisht?
Ndihem shumë afër me R.L. Stevenson, Thoreau, John Muir, Nicolas Bouvier, Peter Mathiessen, Jacques Lacarrière, Bernard Ollivier (një mik i imi) dhe shumë të tjerë. Janë ata bashkëshoqëruesit e mi të udhëtimeve. Në sytë e mi, libri më i bukur i ecjes është “Leopardi i borës” i Peter Mathiessen, që përshkruan disa muaj bredhje në Dolpo në Himalaje: një libër sublim, nga i cili dua të nënvizoj gjithmonë çdo rresht. Në “Jeta në këmbë” citoj shumë shkrimtarë shëtitës që vazhdoj t’i rilexoj.
A patën dy vitet e “ndalesës biologjike” për shkak të Covid efekte pozitive në përhapjen e të ecurit?
Palëvizshmëria si kufizim ngjalli në fund të izolimit dëshirën për lëvizje, lodhjen fizike, lirinë e lëvizjes. Miliona njerëz që nuk kishin ecur kurrë më parë nxituan për t’u endur nëpër rrugica vetëm me qëllim argëtimi. Në Vosges, ku eci shpesh, nuk kam parë kurrë kaq shumë alpinistë, madje edhe në shtigje ku nuk takoja askënd. Ishin burra ose gra që nuk kishin dijeni për kodet e ecjes. Kur u buzëqeshje ose i përshëndesje, ata të shikonin me habi, në mos me dyshim. Dhe flisnin me zë të lartë nëpër pyje, pa dyshim të frikësuar, ende të panjohur me heshtjen.
Brezat e rinj duken rezistentë ndaj ecjes. Për t’ju perifrazuar, “njerëzillëku i tyre tanimë është kërrusur dhe po lëngon”. Ata i kalojnë ditët e tyre pas një ekrani ose lëvizin me skuter. Sipas jush, a është kjo është një tendencë e pakthyeshme? Dhe çfarë këshille mendoni se mund t’i jepni njëzetëvjeçarëve të sotëm?
Po, më të rinjtë jetojnë përherë e më shumë para telefonit inteligjent dhe me gjithnjë e më pak shqetësime për botën që i rrethon, madje nuk shqetësohen shumë as për të dashurit e tyre. Mbi të gjitha tek ata bashkëbisedimi ia lë vendin komunikimit dhe ky i fundit nënkupton virtualitetin, distancën, çmishërimin, mungesën fizike apo morale, humbjen e ekulibrit në prani të të tjerëve. Bashkëbisedimi kërkon disponueshmëri, vëmendjen e tjetrit dhe hera-herës një mjedis të caktuar. Ecja stabilizon thellësinë qenies dhe është një mjet i fuqishëm për t’u ribashkuar me të dashurit. Disa vite më parë, përpara thyerjes antropologjike të sjellë nga interneti dhe nga banaliteti i telefonit inteligjent, ngrënia e një vakti me familjen ishte vendi më i lartë për transmetimin dhe komunikimin e kujtimeve familjare. Sot ky ritual po zhduket e po kthehet në një meze të lehtë individuale, përpara se njeriu të përhumbet në ekranin e vet personal. Hiperlidhja ka kolonizuar edhe vaktet e zakonshme jashtë shtëpisë. Thjesht hidhini një sy asaj që ndodh në një restorant: miqtë që takohen, përshëndeten dhe papritur zhyten të gjithë pas celularëve. Adoleshentët kalojnë ditë të tëra në të njëjtin vend, duke shkarkuar video me njëri-tjetrin. E përsëris, në shumë familje, vakti i përbashkët kthehet në një grumbull fantazmash që hanë të shpërqendruar, të pavëmendshëm ndaj shijes së ushqimit, indiferent ndaj pranisë së të tjerëve, të zhytur plotësisht në celularët e tyre. Për këtë arsye, ecja me fëmijët është një moment gjithmonë e më i çmuar ribashkimi dhe transmetimi emocionesh veçanërisht në ndarjen e ndonjë përvoje që është e pazakontë për ta. Ecja është bërë tashmë një nga rastet e rralla të bashkëjetesës. Këto momente të vëmendjes së ndërsjellë i dedikohen të dashuruarve, miqve, familjarëve të ngushtë që ecin së bashku pa ndërhyrjen e celularit. Dhe po ashtu janë ideale për adoleshentët e vuajtur dhe për të miturit që kanë pasur probleme me ligjin, sepse ai u siguron atyre një distancë fizike dhe morale nga mjedisi i zakonshëm, larg rutinave personale, larg nga indiferenca. Në përvojën time, këto shëtitje të gjata pa muzikë, pa telefona inteligjentë, me një shoqërues janë jashtëzakonisht efektive për një rikthim pozitiv të të rinjve te marrëdhëniet shoqërore.
Në të kaluarën, njerëzit ecnin disa kilometra në ditë. Për shembull, në Francën e viteve 1950, njerëzit ecnin mesatarisht shtatë kilometra çdo ditë. Ndërsa sot vetëm treqind metra. Dhe nuk është vetëm shëndeti ai që humbet.
Në të kaluarën ishte nevoja që na shtynte të ecnim për të arritur në ndonjë vend. Për një kohë të gjatë, edhe në fëmijërinë time, ecja nuk ishte një privilegj, një zgjedhje, por një domosdoshmëri për të shkuar në punë, për të bërë pazar apo për të vizituar miqtë. Sot lëvizja në këtë mënyrë është ende prerogativë e të varfërve dhe emigrantëve, refugjatëve dhe e njerëzve të pastrehë. Më pas, në një moment në shoqëritë tona të pasura, nga fundi i viteve 1980, ecja u bë një aktivitet rekreativ gjithnjë e më popullor. Në këtë njerëzim që rri ulur, shëtitësit janë burra dhe gra që ngrihen për të marrë përsëri jetën në duart e tyre. Dhe për ta parë botën përsëri në sy.
*David Le Breton është profesor në Universitetin e Strasburgut, anëtar i “Institut Universitaire de France” dhe studiues në laboratorin “Dynamiques Européennes”. Si antropolog dhe sociolog, ai është i specializuar në implikimet e trupit të njeriut, të cilat ai i ka studiuar duke analizuar në veçanti sjelljet e rrezikshme. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.