Fiksimi për të vlerësuar të tjerët
Nga Paolo Giordano/ Pasioni për gjykimin i ngjan gjithmonë e më shumë një fetishi. Në vazhdën e dekadës së fundit, situatat në të cilat kemi mundësinë të japim vlerësime janë shumëfishuar: jo vetëm ato “Like” të rrjeteve sociale dhe gishtat përpjetë në YouTube, por të gjitha vlerësimet që shprehim vazhdimisht në restorante, në taksi, në hotele, te mjekët, në mjetet e transportit, për të panjohurit dhe të panjohurat në aplikacionet e takimeve online. Kjo e jona mund të quhet koha e fiksimit për të vlerësuar.
Kënaqësia më e madhe arrihet kur shohim dikë që vlerëson një tjetër. Talentet e gatimit, të të kënduarit dhe të vallëzimit: kënaqësia që këto lloj shfaqjesh ngjallin tek ne si publik nuk është edhe aq shumë e lidhur me konkurrencën – siç ndodh tradicionalisht në sportet konkurruese – se sa me ndjekjen e jurisë dhe vëzhgimin e konkurrentëve që i nënshtrohen shpërfilljes së tyre, përbuzjes, apo duartrokitjeve të tyre sporadike.
Konkurrenti i qortuar shkarkon tek ne një rrymë të veçantë kënaqësie, por kjo është hiç gjë në krahasim me atë që ndjejmë kur i njëjti konkurrent, për të njëjtën arsye, “falet” nga juria. Nëse spektakli me talente është një ritual modern – dhe është e vështirë të mohohet se është i tillë – diçka që lidhet me mekanizmin e tij flet për kohën tonë, për ne dhe për ndjenjën e vazhdueshme se jemi gjithmonë nën vlerësim. Gjithmonë nën lupë, të konfirmuar, të pakonfirmuar, të kërcënuar nga yjet e vlerësimit nga njëshi te dhjeta: nuk mbaron kurrë. Duke vëzhguar të tjerët që ekzaminohen me ashpërsinë më të madhe, ne shijojmë lehtësimin e të mos qenit në vendin e tyre. Dhe kur mbi njërin prej tyre “bie falja” e jurisë, kaq tekanjoze, lehtësohemi duke dikur se, herën tjetër, mund të jemi ne që mund ta përfitojmë atë.
Prej disa javësh po ndjek përpjekjen e një të diplomuari njëzetë e katër vjeçar për të hyrë në botën e punës – aplikacionet (dhjetëra të tilla), intervistat, hapat e mëtejshëm, reagimet pas intervistave – dhe ndjej një përzierje mes respektit dhe shqetësimit: respekt për aftësinë që ka për ta rindërtuar veten pas çdo dështimi, shqetësim për qëndresën e tij psikike në një periudhë të zgjatur kohe.
Presioni i përzgjedhjes ndaj të cilit ai është i ekspozuar, më duket edhe më i lartë nga ai që unë dhe bashkëmoshatarët e mi kemi përjetuar jo shumë vite më parë. E megjithatë, nëse e bisedoj me të këtë gjë, nëse i rrëfej se sa e paarsyeshme më duket lodhja prej Sizifi në intervistat që bën, ai më kundërshton me një realizëm të nakatosur me dorëzim: kështu është, nuk mund ta ndryshosh ekosistemin ku banon, vetëm përshtatesh për të mbijetuar në mënyrën më të mirë.
Kam menduar me ngulm për të gjitha këto, pasi u vendos që mes fjalëve të panumërta që lidhen me arsimin, të theksohej pikërisht “merita”. Më saktë, nisa të mendoj se sa lidhet përzgjedhja e atij termi me gjykimin e pareshtur dhe presionin përzgjedhës që ne të rriturit pësojmë, se si përshtaten në një botë të çuditshme hakmarrëse. Shoqëria që kërkon hakmarrje ndaj më të vegjëlve të saj.
Nga ana tjetër, nëse prej moshës njëzet vjeçare nuk ka më shumë zgjedhje, nëse nga atëherë e tutje njeriu futet brenda botës së fiksuar pas gjykimit, pse duhet të jetë kështu edhe më përpara? A jemi vërtetë të detyruar që t’i konceptojmë vitet e arsimimit si një stërvitje e pashmangshme, si imitimi i një ekzistence prej të rriturish që më pas do të përpiqemi ta ushtrojmë mbrëmjeve, duke parë shfaqje talentesh në televizor? Reformat shkollore që janë bërë vitet e fundit duket se përgjigjen “po”, gjithmonë po. Por ndërkohë, pse jeta përpara kësaj sfide të përhershme nuk mund të ishte thjesht diçka e ndryshme?
Pastaj më ndërmendet pandemia dhe figura e keqe që ne të rriturit po bëjmë teksa diskutojmë nëse merita është e të djathtës, apo e të majtës (idiotësi!), në vend se të merremi me çfarë ndodhi në brendësi, në dhomat e mbyllura të fëmijëve për dy vite me radhë, dhe si mund ta korrigjojmë.
Dhe ndoshta është hutimi prej shpërqëndrimit tonë që e bën idenë e shfaqur pak kohë më parë edhe më radikale, më shumë nga sa do ta prisja edhe vetë: në perspektivën e një jete të rritur që nuk do të ofrojë shpëtim nga vetëvlerësimet e pandërprera, nga vlerësimet dhe nga përzgjedhja e egër si “kapital njerëzor”, a nuk është e vërtetë se çdo fëmijë, çdo djalë apo vajzë meriton pikërisht të kundërtën?
Jo një stërvitje, jo provat gjenerale të asaj jete që e pret, por një fushë të lirë, në të cilën të eksperimentojë me sa më pak gjykim, përveç dijes, edhe krijimtarinë, ngadalësinë dhe papërcaktueshmërinë e një moshe të shenjtë, që nuk do ta ketë më kurrë?
*Paolo Giordano është fizikan dhe shkrimtar italian, fitues i çmimit më të rëndësishëm italian në letërsi “Strega” për romanin “Vetmia e numrave prim”. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.