Montanelli
Armët tona janë fjalët

Armët tona janë fjalët

Nga Roberto SavianoSalman Rushdie është thelbi i romaneve të tij, të ngjizur me anglishten më të mirë të kohës sonë dhe me vrullin epik të historive indiane. Megjithatë, e pamohueshme është që, për shumë njerëz në mbarë botën, Rushdie lidhet me një fjalë të vetme: fetva, dënimi me vdekje që Ayatollah Khomeini i dha në vitin 1989 për romanin e tij “Vargjet Satanike”.

“Kur dëgjova për herë të parë fjalën fetva, e dija se do të më varej si zinxhir për gjithë jetën”, tha dikur Rushdie. Kishte të drejtë.

Disa ditë më parë, ishim përballë kompjuterit. Unë në Itali, ai në Shtetet e Bashkuara. Vëzhgonim njëri-tjetrin për të parë se çfarë kishte ndryshuar në jetët tona që prej herës së parë kur u takuam, në vitin e largët 2008, në Akademinë e Nobelit, të ftuar për të folur mbi lirinë e shprehjes. Duhet t’i jem dukur si një djalë i papërvojë, një shkrimtar i ri jugor që kushedi se falë ç’mrekullie kishte përfunduar në Olimpin e letërsisë botërore. Kurse Rushdie m’u shfaq si ai që nuk do të mundja të isha kurrë: një njeri në të cilin vullneti për të jetuar tejkalonte çdo nevojë tjetër. Më kishte paralajmëruar: “Do të kalojnë dhjetë vjet dhe do të bëjnë të ndihesh fajtor që nuk ke vdekur”. E dija se do të ndodhte, prej dy vitesh ruhesha me truproja nga shteti dhe tashmë ndihesha si i mbijetuar.

Salman, ç’është injoranca për ty?
Dëmi më i madh, sepse çdo gjë buron prej saj: çmenduria, ligësia. Në kohë të errëta, dhe këto që po kalojmë janë të tilla, arti i letërsisë mund ta ketë një rol. Po citoj fjalë për fjalë shkrimtarin Saul Bellow, që një herë tha: “Letërsia ka të bëjë me rrënjët e natyrës njerëzore”. Dhe unë besoj se ne shkrimtarët mund të bëjmë pikërisht këtë që s’e bën asnjë tjetër, as muzika, as arkitektura: të mbërrijmë te rrënjët e natyrës njerëzore.

Armët tona janë fjalët
Roberto Saviano dhe Salman Rushdie, 2008.

“Qyteti i fitores”, romani yt i fundit që u botua pas sulmit që pësove, është rrëfimi fantastik i një parabole njerëzore. Ekziston një pakt mes shkrimtarit dhe lexuesit që romantikët anglezë e quanin pezullim i përkohshëm i mosbesimit. A mendoni se lexuesi sot është i gatshëm ta pezullojë këtë mosbesim?
Kur isha i ri dhe sa po hyja në botën e krijimtarisë, lexuesit perëndimorë ishin më të prirur të lexonin histori aventureske, thuajse në kontrast të plotë me romanet më realiste konvencionale të viteve 1950 dhe 1960. Isha mes fatlumëve që përfitova nga interesi i lexuesve për të habitshmen, por letërsia, si çdo gjë tjetër, u nënshtrohet trendeve dhe sot ka një tendencë për të shkruar krejt thjeshtë, në një farë forme natyraliste. Unë vetë duhet të isha përshtatur me këtë, por nuk ia dola, ndaj më duhet t’u besoj lexuesve që kanë qenë me mua që në fillimet e rrugëtimit tim dhe ndërkohë, me siguri janë bashkuar edhe të tjerë. Dhe të jem i sinqertë: nuk e kisha idenë se si do të pritej libri im i ri, kisha frikë se do të kushtëzohej prej asaj që vuajta, por nuk doja të vlerësohesha me metrin e dhembshurisë. U gëzova që pritja e librit ishte pozitive dhe serioze në të njëjtën kohë, serioze dhe larg çdo mëshirimi.

Historia e shëmbëlltyrës njerëzore të protagonistes së “Qyteti i fitores”, Pampa Kampana, na lejon të përfytyrojmë një shoqëri në të cilën burrat dhe gratë kanë të drejta dhe dinjitet të barabartë. Si është jeta për meshkujt, kur femrat nuk kanë as dinjitet e as të drejta?
Është një privim që dëmton edhe burrat, edhe gratë. “Qyteti i fitores” përshkruan një mbretëri shtatëqind vjet më parë; në atë shoqëri gratë kishin një pozitë shumë më të rëndësishme krahasuar me shumë shoqëri sot, dhe unë nuk kam shpikur asgjë. Nëse studioni të dhënat historike të Perandorisë Vijayanagara, do të gjeni ushtare gra, gjenerale, avokate, tregtare. Kishte një numër të barabartë shkollash për të dyja gjinitë. Dhe Pampas, që është zemra e librit, thotë qartë se është ky lloj organizimi shoqëror që na nevojitet. Përndryshe dëmi që shkaktohet na prek të gjithëve.

Keni përdorur simbolikën e dorëshkrimit të rigjetur. Pampa shkruan në sanskritisht. Mes gjuhëve të vjetra, kjo i afrohet më së shumti gjuhës së zakonshme indoeuropiane. A mos ke dashur të na kujtosh se kemi një sistem të përbashkët komunikimi?
Me dredhinë e dorëshkrimit të rizbuluar, kam bërë diçka të pandershme. India ka disa nga tekstet më të rëndësishme të shkruara ndonjëherë si Mahabharata, Ramayana, Panchatantra, dhe ndaj mendova: pse të mos shkruaj një tjetër? Por të shkruash një tekst që është në nivelin e tyre është si ta mbash veten për Homer, apo ta kujtosh veten Virgjil (qesh, qeshim të dy). Sigurisht që askush nga ne nuk mundet, sepse ato rrëfime janë mbledhur me kalimin e kohës, si tregime popullore. Megjithatë, pavarësisht se me vetëdije, vendosa: do të bëj sikur po e shpik një të tillë. Më pas, për ta bërë gjithçka më pak të pamundshme, imagjinova se këtë tekst të lashtë na e zbuloi dhe e përktheu një shkrimtar shumë inferior (qesh përsëri), por që në këtë vepër transpozimi ai përsëri u përpoq të bënte më të mirën e tij. Ideja ishte të trajtoheshin histori të lashta, me një stil bashkëkohor.

Me të mbaruar tregimi, Pampa kërkon të çlirohet. A është vërtetë e mundur të çlirohemi nga fjalët tona? Unë nuk kam qenë në gjendje ta bëj, por ti mendoj se ia ke arritur.
Është një pyetje shumë interesante, përballem vazhdimisht me të. “Vargjet satanike” ka qenë romani im i katërt. “Qyteti i fitores” është i njëzetë e njëti. Tre të katërtat e jetës sime si shkrimtar, kanë qenë nga “Vargjet satanike” e më tutje, por megjithatë, kur dëgjojnë emrin tim, them se mendjet e shumë njerëzve kthehen pas tek ai libër i vitit 1988. Jam ndjerë edhe unë i prekur nga ky mallkim, megjithatë kam menduar se duhej të vazhdoja përgjatë rrugës time dhe jam krenar sepse mendoj se nëse dikush që nuk ka dëgjuar kurrë për mua, do t’i lexonte librat e mi në radhë kronologjike, ndoshta nuk do ta vinte re thyerjen që ndodhi në vitin 1989. Librat e mi kanë vazhdimësinë e tyre. E dinë rrugën e tyre dhe vazhdojnë ta ndjekin atë.

Ajo që ndodh me shkrimtarët, me disa shkrimtarë, është se bëhen simbole. Salman Rushdie ka arritur në shumë raste t’i shpëtojë këtij roli, duke mundësuar që letërsia e tij të vazhdojë të frekuentojë krijimtarinë, mitin, fantazinë, epikën. Pavarësisht kësaj, një pjesë e botës ka vazhduar ta shohë atë si një simbol. Edhe unë deri diku e kam gjetur veten përgjatë viteve duke u perceptuar si i tillë. Jam hedhur në gjyq nga Kryeministrja italiane, Ministri i Infrastrukturës dhe Ministri i Kulturës. Pyetja ime është: pse shkrimtarët bëhen simbole, dhe shpeshherë edhe koka turku?
Së pari Robero, të uroj për armiqtë e tu. Është e rëndësishme të kemi armiqtë e duhur. Ajo që thua është e vërtetë, shkrimtarët shpesh herë shërbejnë si simbole. Për shembull, kam qenë i shqetësuar për Amos Ozin, se mos bëhej një lloj shkrimtari kombëtar për Izraelin. Është e vështirë ta mbash këtë peshë mbi supe, sepse si shkrimtar, ajo që ti do, është të ulesh në dhomën tënde dhe të jesh vetvetja. Ka shkrimtarë që kanë folur për këtë ndarje mes vetes publike dhe asaj private. Në librin “Borges dhe unë” gjendet gjigandi publik Borges dhe më pas është ai, i ulur në shtëpi, që mezi sheh ndërsa përpiqet të mendojë se çfarë të bëjë. Kam qenë mik me shkrimtarin e madh gjerman Günter Grass, i cili dikur më tha: “Kam ndjesinë se janë dy njerëz brenda meje: Günter që është në shtëpi, njeriu që njohin miqtë dhe familja ime, autori i librave të mi. Dhe pastaj është Grass, që shkakton telashe nëpër botë”. Qartësisht diçka e ngjashme më ka ndodhur edhe mua, për shkak të sulmit jo të zakonshëm që pësova. Është e rrallë që një proces historik botëror ta gjejë rrugëdaljen te një qenie e vetme njerëzore. Normalisht, ngjarjet historike botërore janë të mëdha dhe përfshijnë shumë njerëz, por në rastin tim është sikur të kisha një mal të përmbysur mbi kokë dhe kjo më bëri simbol. Jam përpjekur vetëm të jem i vërtetë, të jem një njeri më shumë se një ide, sepse idetë nuk shkruajnë libra të mirë. Njerëzit shkruajnë libra të mirë. Por pavarësisht gjithë përpjekjeve të mia, e përjetoj këtë ndarje mes asaj pjesës sime që e di se beteja nuk ka përfunduar, dhe pjesës tjetër që rri brenda një dhome dhe përpiqet të thurë ëndrra interesante. Duhet të gjej mënyrën të jem njëkohësisht të dy njerëzit. Do të preferoja të isha njeriu që thur ëndrra brenda dhomës, por bota ka projekte të tjera për mua dhe në një farë mase, duhet ta respektoj.

Po pse gjithmonë shkrimtarët?
Sepse janë zëra individualë, zëra që askush nuk mund t’i zotërojë dhe kontrollojë. Nuk janë një lëvizje politike, as një grup ideologjik apo brigadë. Janë zëra vetjakë që i përgjigjen vetëm vetvetes. Ja një përkufizim për lirinë: thuaj atë që ke për të thënë, jo sepse të ushtron presion ndokush, por sepse ti mendon se është e drejtë. Në vazhdën e historisë, qeveritë autoritare kanë pasur aq frikë nga ata zëra, sepse nuk mund t’i zotëronin. Ne shkrimtarët nuk kemi ushtri, nuk kemi armë, përveç fjalëve. Megjithatë, ato fjalë duken shumë të rrezikshme për ata që duan t’i kontrollojnë. Një nga aspektet më të rëndësishme të pushtetit është se ai dëshiron të përcaktojë fabulën e jetës sonë; shkrimtarët e refuzojnë këtë gjë dhe ofrojnë narrativën e tyre: kjo na bën të rrezikshëm.

E përshëndes Salman Rushdien me vetëdijen se këto lloj takimesh kanë fuqinë e ndryshimit, pavarësisht ekranit dhe distancës që na ndan. Këmbime fjalësh që – sigurisht është retorike t’ia përsërisim vetes – zvarriten në çdo vathë, qëndrojnë aty, fermentohen dhe prodhojnë diçka. Fjalët e Salmanit më oshëtijnë për një kohë të gjatë. Në vitin 2008, kur e takova për herë të parë, më tha: “Jeto!”. Sot ai më dha një mësim të madh vetëdijeje. Do të doja të qëndroja në dhomën time dhe të shkruaja, thotë ai, por për botën jam gjithashtu një simbol dhe duhet ta respektoj këtë ndjenjë. Respekti për botën që të ka lënduar, që të ka prekur, është privilegj i të mëdhenjve. Dhe sot Salmani, pak si pirat, pak si ëndërrimtar, është një vrimë e bardhë, e pathyeshme, e padepërtueshme, prej së cilës, megjithatë, buron energjia, materia dhe drita.

*Salman Rushdie konsiderohet prej shkrimtarëve më të rëndësishëm britanikë, fitues i çmimit “Booker Prize” për romanin “Fëmijët e mesnatës”, i kërcënuar që prej vitit 1988 për librin e tij “Vargjet Satanike” dhe i sulmuar në vitin 2022. Roberto Saviano është shkrimtar dhe gazetar italian, që për shkak të librit “Gomorra” prej vitit 2006 jeton nën mbrojtjen e shtetit italian për shkak të kërcënimeve nga grupet mafioze. Bashkëbisedimi u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *