Blog
Filozofia e maskës

Filozofia e maskës

Nga Erjon Uka/ Kam bindjen se vite më vonë kur në filma, imazhe, dokumentarë po e po, por qoftë edhe kur të shkruhen libra, nëse do të duhet të gjendet një simbol për këtë kohë do të ishte pikërisht maska, përdorimi i së cilës që prej dates 15 korrik u vendos i detyrueshëm edhe në Shqipëri.

Megjithëse tani maska u bë detyrim, që më herët ishte kthyer në trend: maskat u bënë të branduara, maskat u përdorën për fushata sensibilizimi, u postuan në Instagram për të tërhequr vëmendjen, maskat u bënë objekt spekulimi financiar, u kthyen në hilaritet, u bënë debat publik, maskat u kthyen në akuza politike, maskat morën vëmendje. Prandaj maska mbetet simboli.

E për të gjithë ata të cilëve analizat, mendimet, debatet apo parashikimet e opinionistëve, studiuesve, shkrimtarevë e publicistëve në Perëndim u dukeshin të largëta dhe pa ndonjë vlerë në kontekstin tonë të vogël lokal, është një mësim sesi në një mjedis globalist të gjithë prekemi nga njëri-tjetri, herët a vonë, nga suksesi apo akoma më dukshëm nga dështimi. Ashtu siç po prekemi nga virusi.

Në fillim maskat ishin aksesorë dallues. Tashmë maskat po kthehen në objekte unifikuese. Më parë shihnim çuditshëm njerëzit që vendosnin maskë. Tani kemi nisur të nervozohemi me ata që në ambiente të mbyllura nuk e vendosin maskën. Maska shihej si kufizuese. Tani shihet si parandaluese. Në fillim ishte problemi, tani shihet si zgjidhja. Më parë të jepte ndjenjën e shqetësimit, tani të qetësimit. Pra maska është treguesi më i prekshëm i rëndësisë së kontekstit: në dy kontekste të ndryshme, brenda shumë pak kohe, i njëjti element shihet krejtësisht ndryshe.

Vendimi për mbajtjen e detyrueshme të maskës në ambiente të mbyllura është një vendim i duhur. Edhe gjoba për mosmbajtjen e saj po ashtu. Kjo së pari sepse duhet të kuptojmë që varemi nga njerëzit përreth nesh dhe nëse nuk mund të ndihmojmë a të ndihmohemi, e sigurt është që mund të ndikojmë fatalisht tek ata ose të dëmtohemi fatalisht prej tyre. Sensi i përgjegjshmërisë ndaj komunitetit që nuk u kuptua as me grabitjen e pronave, as me shpyllëzimet, as me ndotjen, as me shmangien e taksave, as me korrupsionin, as me bishtimet ndaj ligjeve dhe as me shumë gjëra të tjera të këtij lloji, ka ardhur koha që të kuptohet përmes elementit më unik dhe të papërsëritshëm: përmes jetës. Në shoqëritë që kemi ndërtuar, gabimi i njërit paguhet nga shumë të tjerë. Nëse ne udhëtojmë më shpejt, nëse mesazhet dërgohen më shpejt, nëse gjithçka arrihet më shpejt, edhe gabimet shumëfishohen më shpejt. E pashmangshme kjo.

Por mbajtja e maskës paraqet edhe përthyerjen e një dileme. Siç shkruante shkrimtari spanjoll Javier Cercas në një artikull të para disa javëve me titull “Dilema e madhe”, ndodhemi përballë dilemës ekzistenciale mes lirisë dhe sigurisë. Një shembull ky i konceptit të njohur në filozofi i të vërtetave kontradiktore për qëllime krejt të papajtueshme. Bëhet fjalë për zgjedhjen nëse do duam të jemi të lirë të vijojmë jetën, apo të jemi të sigurt në karantinën që na izolon nga bota dhe me shumë mundësi edhe nga virusi. E nëse shumica prej nesh, me të drejtë, zgjedh lirinë (përfshi edhe personin që po shkruan këto rreshta), maska është një element që nuk e zhbën, por e zbut këtë dilemë: na ofron më shumë shanse për siguri, në një në jetë relativisht të lirë.

Pas përdorimit të maskës, përtej detyrimit ligjor tashmë, qëndron një mekanizëm i tërë filozofik dhe psiko-social, që aktualisht tregon shumë për shoqëritë në të cilat jetojmë, për marrëdhënien tonë me tjetrin dhe sensin e përkatësisë në komunitetit, por që normalisht mund të jetë edhe letra e lakmuesit për ndryshimin e mendësive. Studimet dhe thellimi në këtë çështje janë vetëm në hapat e parë. Dhe për të gjithë skeptikët e frazës “Asgjë nuk do të jetë si më parë”, pyetja është: Për cilat gjëra ia vlen të jemi tërësisht njëlloj si më parë?!

Botuar në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *