Borges
Bir, librat do të të japin lirinë

Bir, librat do të të japin lirinë

Nga Viet Thanh Nguyen/ A e kujtoni momentin kur keni mësuar të lexoni? Si pjesa më e madhe e njerëzve, unë nuk e kujtoj dot. Por gjithsesi, shumë ngushëllohen nga fakti se ky eveniment, që nxirret nga shtresat e kujtesës, i ka përfshirë shumë prindërit tanë. Ama në rastin tim, një prej gjërave që humba prej faktit se isha refugjat por që në atë kohë as që isha i ndërgjegjshëm, ishte një fëmijëri në të cilën prindërit e mi më lexonin libra me zë të lartë. Erdha në Shtetet e Bashkuara katër vjeç, së bashku me prindërit dhe me vëllain tim të madh. Në shtëpi flisnim vietnamishte, por kush e di sesi në moshën gjashtë apo shtatë vjeç kisha mësuar të lexoja në anglisht. Prindërit e mi e njihnin anglishten, por nuk mbaj mend të më kenë lexuar ndonjëherë diçka në anglisht. Pra duhet të kenë qenë mësueset që më bënë të mësoja leximin, pikërisht siç bënë mësueset e tim biri në moshën 5-vjeçare. Këtë vit u largova për një javë nga shtëpia dhe, pasi u ktheva, djali të cilit i kisha lexuar libra, papritur, i lexonte vetë.

Kënaqem duke vëzhguar tim bir që mëson një gjuhë dhe nëpërmjet saj, mëson histori të ndryshme. E dashuroj mënyrën që ai ka për të adhuruar historitë, dashurohem pas emocioneve që përjeton dhe ngatërrimit të tyre, dashuroj entuziazmin dhe frikën kur lexon një histori shumë përfshirëse. E kuptoj nëse një libër është i shkëlqyer sepse ngjeshet pas meje dhe më kërkon që ta lexoj disa herë.

Në historinë e prindërve të mi ishte kalimi i një kufiri, i kufirit të këtij vendi. Humbëm shumë gjëra në kufi, duke nisur nga gjuha jonë e përbashkët. Duke u rritur dhe duke parë prindërit e mi që punonin me shumë mund për t’i garantuar një jetë të mirë secilit prej nesh, kuptova se afërsia jonë po venitej krah për krah me gjuhën time vietnameze, derisa u zhduk. Sa më shumë që prindërit e mi përpiqeshin të kujdeseshin për fëmijët e tyre në mënyrë shteruese, aq më pak kohë kishin në dispozicion për të kaluar me ta. Bëhet fjalë për dilemën klasike të emigrantëve dhe refugjatëve: të sakrifikojnë fëmijët për fëmijët tyre, duke sakrifikuar afërsinë intime me ta.

Librat më shpëtuan, duke penguar ndjenjën e vetmisë. Unë i dua shumë librat, sa i dhashë djalit tim mbiemrin e një shkrimtari, Ellison. Ralph Ellison nuk ishte një shkrimtar i librave për fëmijë, por ai shkroi të vërteta të mëdha, shkroi për botë të frikshme dhe të brendësive të panjohura.

Librat nuk ishin prioritet për prindërit e mi dhe në shtëpi nuk kishim të tillë. Çdo javë kisha zakonin të shkoja në bibliotekën publike dhe ta mbushja çantën, e megjithatë i lexoja brenda shtatë ditësh. Para se të shkoja në gjimnaz nuk kisha pasur në pronësi asnjë libër. Djali im tashmë ka një koleksion librash shumë më të madh se ai që kam pasur unë ndër vite. Nëse prindërit ma shfaqnin dashurinë duke u siguruar se gjithmonë kisha mjaftueshëm ushqim për të ngrënë, unë ia tregoj dashurinë tim biri duke u siguruar që gjithmonë të ketë mjaftueshëm libra për të lexuar (e natyrisht edhe mjaftueshëm ushqim për të ngrënë). Biblioteka për mua ishte një shtëpi e dytë. Dëshira ime është që djali im të ketë një bibliotekë personale në shtëpinë time.

Duke evokuar atë bibliotekën e fëmijërisë sime, jam i vetëdijshëm se bibliotekat mund të jenë edhe vende të rrezikshme, sepse u mungojnë kufijtë. Kanë vende të quajtura “letërsi për fëmijë” dhe “trill për të rritur”. Por ata kufij nuk kontrollohen nga roje.

Në rastin tim, nuk mbikëqyreshin as nga prindërit. Në një bibliotekë qyteti, lexuesi mund të sorollatej kudo. Dhe kështu, në moshën 12-13 vjeçare lexova “Ankimin e Portnoit” nga Philip Roth dhe “Mbyllni lagjet” nga Larry Heinemann. Nga romani i Roth për shumë vite më mbeti në kujtesë vetëm skena e ulët e të riut Aleks Portnoi që masturbohej me një fetë mëlçie që nga darka e familjarëve të tij. Për sa i përket romanit të Heinemann mbi luftën e Vietnamit, përshkrimi i përpiktë se si ushtarët amerikanë kishin vrarë popullit vietnamez duke arritur deri në përdhunime, më egërsoi. Kërkoja hakmarrje për librin e Heinemann, derisa e rilexova kur u rrita, në fazën që po përgatitesha për romanin tim, dhe kuptova se kishte të drejtë. Heinemann kishte dashur të tregonte se egërsia jetonte brenda nesh. Në të njëjtën mënyrë kishte vepruar edhe Roth. Pasi u bëra vetë shkrimtar, u bëra homazh të dyve në romanin “The simpatizant”: Fëmija i tronditur u bë shkrimtari i etur për të tronditur të tjerët.

Duke parë djalin tim që lexon për hesap të tij, e kuptoj se po bën një hap më shumë drejt pavarësisë së tij, për t’u bërë dikush që tejkalon kufijtë e besimit. Ndoshta është kjo arsyeja se pse duke e parë teksa lexon, më jep një ndjenjë melankolie. Mbaj mend humbjen time dhe perceptoj atë që do të pësoj kur djali im nuk do të jetë më i gjithi i imi, siç është kur zgjohet në mëngjes e me fjalët më të ëmbla që kam dëgjuar ndonjëherë më thotë: “Babush, do më lexosh një libër?”

*Viet Thanh Nguyen është shkrimtar vietnamezo-amerikan, fitues i çmimit “Pulitzer” në vitin 2016. Është gjithashtu anëtar i Akademisë Amerikane të Artit dhe Shkencës, si edhe kontribues në “New York Times”. Artikulli u shqipërua nga Erjon Uka. Botuar në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *