Blog
Pse shkolla nuk na mëson të bëjmë pará?

Pse shkolla nuk na mëson të bëjmë pará?

Nga Erjon Uka/ Cila është këshilla më e zakonshme që prindërit u japin fëmijëve të tyre, e që më pas e përforcojnë edhe në shkollë? Ndoshta diçka e ngjashme me fjalinë: “Mëso shumë, që të fitosh shkollën e lartë, të gjesh një punë të paguar mirë, të sigurt dhe të qetë.” Por duke lexuar librin “Babai i pasur, babai i varfër” i Robert Kiyosakit, kupton se ka shumë dallime mes këshillave të prindërve “të varfër”, pra atyre që punojnë për të fituar pará, dhe prindërve të pasur që bëjnë pará. E gjithë kjo në të ardhmen ndikon që dikush të ngjitet në shtresën e pasur, e dikush të qendrojë në të mesmen duke pasur vazhdimisht probleme me paratë, megjithëse mund të jetë një profesionist i shkëlqyer.

Fakti është se shkolla nuk na mëson të bëjmë para. Na mëson ligjet e fizikës, ekuacionet matematikore, formulat kimike, shtresat gjeologjike apo datat historike, por lidhja me edukimin financiar është shumë e vakët. Kjo ka ardhur edhe nga tradita kontinentale fetare dhe humaniste e së shkuarës, ku paraja shihej si diçka e keqe, gati-gati si një sëmundje. Por siç shkruan Kiyosaki, shmangia nga paraja është po aq psikotike sa edhe fiksimi pas saj.

Ajo çfarë nënkuptohet me të bërit para është nxitja e shpirtit të sipërmarrjes jo vetëm përmes edukimit formal, por edhe atij informal. E vërteta është se gjithçka rrotullohet rreth parasë dhe kështu do jetë, në rastin më të keq, edhe për disa qindra vjet. Kjo do të thotë se secili duhet të brumoset me literaturën financiare, të njohë invesimin, të dallojë një aktiv nga një pasiv, të mësojë se si duhen renditur prioritetet e për të përfunduar te dijet mbi taksat dhe normat e interesit që të shoqërojnë gjithë jetën.

Në Shqipëri përfshirja e edukimit financiar në kurrikulat e ciklit fillor dhe atij 9-vjeçar është një domosdoshmëri. Një nxënësi do t’i duhet të presë deri në klasin e XI apo XII që të njihet me funksionimin e ekonomisë së tregut, kërkesës, ofertës, inflacionit dhe rëndësinë e çmimeve. Por ai fillon të ketë raport me paranë që në momentin kur frekuenton klasën e parë, ndaj për të nuk është diçka abstrakte siç mund të jenë ligjet apo ndarja e pushteteve që zhvillohet në lëndën e qytetarisë, por është diçka konkrete, çdo ditë e prekshme. Nuk është aspak e tepërt që fëmijët të njihen që në klasën e tretë me nocione elementare të paraqitura në mënyra vizuale dhe inovative, të cilat do të nxisin tek ai interesin për botën e ekonomisë. Nëse duam fëmijë kreativë, të tilla duhet të jenë edhe metodat e mësimdhënies.

Konservatori britanik Roger Scruton në një prej librave të tij, “Si të jesh i djathtë”, thotë se vetëpunësimi, pra sipërmarrja individuale, është mënyra më e mirë për arritjen e mirëqenies së përgjithshme jo vetëm sepse i bën njerëzit të pavarur në punën dhe në të ardhurat e tyre, por rrit edhe përgjegjshmërinë qytetare. Të gjithë jemi të pajisur me dhunti të veçanta, por ajo që na ndalon të ecim përpara është mungesa e guximit, që shpesh herë vjen nga padituria. Kultivimi i aftësive financiare dhe sipërmarrëse sa më herët, kontribuon në zhvillimin e një mjedisi që vazhdimisht të nxit të inovosh.

Nëse Elon Musk do të qëndronte në mjedisin armiqësor të Afrikës së Jugut duke ndjekur këshillat që i jepnin mësuesit në shkollë dhe nuk do të do të kërkonte me çdo kush të shkonte në Silicon Valley, e sigurt që nuk do të ishte në listën e Forbes, ndërsa makinat elektrike nuk do të ishin krijuar ende.

Publikuar në Tiranapost.al

0 thoughts on “Pse shkolla nuk na mëson të bëjmë pará?

    • Author gravatar

      Shume te verteta keto qe ke shkruar, po citoj dy shprehje ne mbeshtetje: “Cdokush eshte gjeni, por nqs e gjykojme peshkun nga aftesia e tij per te ngjitur nje peme, ai do kaloje gjithe jeten duke menduar se eshte budalla.” Kjo eshte e meta me e madhe e shkollave, qe na meson te gjitheve te njejtat gjera.
      Ndersa Kioysaki eshte brilant tek shpjegimi i tij i thjeshte se cfare jane asetet dhe detyrimet, dhe pse njerezit duhet te kene njohuri financiare qe ne moshe te hershme. Shprehja me e bukur nga libri eshte: “Analfabetet e shek.XXI nuk do te jene ato qe nuk dine te lexojne e te shkruajne, por ata qe nuk dine te mesojne, ç`mesojne dhe rimesojne.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *