Zgjedhjet më të rëndësishme në histori
Nga Erjon Uka/ Po të rikthehemi pas me kujtesën, fraza “këto janë zgjedhjet më rëndësishme në histori” ka qenë slogan mbipartiak në çdo fushatë elektorale. Është kryefjala edhe e kësaj fushate, ku të dy krahët politikë në çdo komunikim publik kanë krijuar një rëndësi inflacionare të zgjedhjeve.
Falë edhe arkivave që tashmë janë bërë publikë të qëndrimeve dhe të deklaratave të kandidatëve të sotëm si për shembull në artikujt-arkivë të gazetës “Koha Jonë” apo në videot nostalgji të emisioneve “Opinion”, shohim se ka një ripërsëritje ciklike të ndjesisë së emergjencës që injektohet në ligjërimin e përditshëm.
Për shembull, në shumë prej shkrimeve të tij, publicisti Edi Rama duket krejt tjetër nga kryeministri Edi Rama, kur shkruante për ngulje të thikës mbi plagët tona, apo kur vajtonte me irritim pafuqinë e tij për të bërë diçka teksa shihte indiferencën e gjashtëmbëdhjetë vjeçarëve ndaj Shqipërisë për shkak të dëshpërimit dhe gërryerjes së shpresës “si një kufomë prej krimbave të korrupsionit dhe mediokritetit.” Poetikë e bukur, por fatkeqësisht, qëndrimi nga pozita qeverisëse dy dekada më vonë ka ndryshuar teksa trumbetohet me të madhe se kësaj vale largimi nuk kemi çfarë t’i bëjmë sepse “ndodh në gjithë Lindjen”.
Apo një prej përballjeve të para të kandidatit për deputet Lulzim Basha në studion “Opinion” ku thoshte se zgjedhjet e 3 korrikut 2005 do ta ndanin përfundimisht Shqipërinë nga e shkuara, “nga mjerimi ku banorët në zonën time elektorale nuk arrijnë dot as të paguajnë energjinë elektrike”. Sot, në pozitat e kandidatit sfidues, ai bën thirrje sërish për ndarje një herë e mirë nga e shkuara, duke folur për mjerim e për probleme bazike, por duke harruar, ose ndoshta duke i varur shpresat te kujtesa jonë e shkurtër, se tashmë ai vetë është pjesë e asaj të shkuare.
Dy raste të shkurtra, e kushdo me kërkime të thjeshta në Google mund të gjejë shumë e shumë të tjerë, qartësojnë idenë se demagogjia e vështrimeve pasive mbi realitetin kur je në pozita jo-sunduese mbetet po e tillë kur pozitat e pushtetit ndryshojnë: Demagogji.
Prandaj politikanët sa herë që vjen momenti i letrës së lakmuesit, përpiqen të krijojnë këtë lloj urgjence, si trumbetë alarmi, për të thënë: “Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme në histori dhe këtë e ke në dorë ti, me një votë. Po ndodhi kjo, ke për të parë që menjëherë gjithçka do të ndryshojë.” Dhe ka një tendencë që me sa më pak ide konkrete dhe të zbatueshme të jetë programi politik, aq më e fortë është thirrja për të marrë pjesë në zgjedhjet “më të rëndësishme për të ardhmen” apo edhe barazimin e zgjedhjeve me referendumin.
Siç është parë, vështirë se mund të gjesh ndryshime aq të dukshme nga një “vendimmarrje historike” te tjetra. Problemet e vjetra, në realitetin shqiptar por me shkallë të ndryshme dendësie edhe në vende të tjera, rikthehen në formë ciklike (uji, shëndetësia, paga minimale, infrastruktura, turizmi, partitokracia) dhe shërbejnë si basene perfekte për krijimin e problemeve të reja (koncesionet, kanabizimi, shpopullimi).
Por nga pozita parazgjedhore, askush nuk e di se si do të jetë periudha paszgjedhore. Vetëm pas zgjedhjeve, në retrospektivë, në një distancë kohore, mund të bëhet vlerësimi i duhur se çfarë ndodhi dhe se çfarë rezultati real prodhoi ai vullnet. Por qëllimi i mesazhit elektoral është tejet pragmatist dhe lidhet me faktin që zgjedhësve i duhet bërë e ditur se e ardhmja varet nga vota e tyre, se ata të paktën një herë në katër vite zotërojnë armën më të fuqishme për të ndryshuar gjërat për mirë. Synimi është që duke e thjeshtuar në një fjali të vetme që përsëritet qindra herë në ditë, e që lidh në një zinxhir sekuencial votën me historinë, ata ta besojnë këtë gjë dhe të dalin të votojnë.
Gjithashtu, me kalimin e viteve, partitë kanë projeksione shumë të sakta, më shumë se çdo studim apo sondazh tjetër i jashtëm, për votën e militantëve të tyre. Por pjesa e të pavendosurve ka marrë gjithmonë e më tepër peshë dhe janë ata që japin vendimin final për rezultatin. Të dyzuar mes indiferencës dhe neverisë për sistemin politik, këtij grupi u duhet dhënë një arsye goxha e mirë për të dalë në votime. Dhe ku ka arsye më vetëpërmbushëse se historia!
Vetëm në pak raste, në shumë pak, aq sa mund të numërohen me një dorë, një palë zgjedhje me të vërtetë kanë qenë vendimtare për fillimin e një linje të re politike. Këto janë lëkundje sizmike në politikë, që shpesh herë i përkasin skajeve: ose autoritarizmit në instalimin e aparateve të fuqishme shtetërore e deri te diktaturat, ose të sistemeve të reja ekonomike e ideologjike për liberalizimin e tregjeve dhe hovin e ekonomisë e kulturës. Por këtë ne e dallojmë në retrospektivë.
Qeverisja nuk është një moment, por është një proces. Jo vetëm në realitetin tonë lokal, por në atë global. Mjaft të përmendim se Senatori amerikan Bernie Sanders që prej vitit 1996 e deri te zgjedhjet e vitit 2016 ku ishte vetë kandidat apo ato të vitit 2020 kur mbështeti Joe Biden, në çdo fushatë elektorale jepte mesazhin e rëndësisë historike të zgjedhjeve.
Politika do të vazhdojë ta bëjë këtë gjë. Është një stimul psikologjik për votuesit, një nxitje për të rritur pritshmëritë për forcën e votës. Sigurisht që vota ka forcë, por nëse ajo do të jetë apo jo historike, nuk do ta kuptojmë tani. As pas 25 prillit tonë. Sepse qeverisja është continuum.
Publikuar në Tiranapost.al