Montanelli
Kapitali dhe Ideologjia: Pabarazitë nuk janë “natyrore”

Kapitali dhe Ideologjia: Pabarazitë nuk janë “natyrore”

Nga Thomas Piketty/ Pabarazitë nuk janë ekonomike apo teknologjike: janë ideologjike dhe politike. Ky është përfundimi më i dukshëm nga hulumtimi historik i kryer në këtë libër. E thënë me fjalë të tjera, tregu dhe konkurrenca, fitimi dhe paga, kapitali dhe borxhi, punonjësit e kualifikuar dhe të pakualifikuar, qytetarët dhe të huajt, parajsat fiskale dhe konkurrenca nuk ekzistojnë si të tilla pa shkak. Ato janë konstruksione sociale dhe historike që varen veçanërisht nga sistemi ligjor, fiskal, arsimor dhe politik që zgjidhet për t’u aplikuar. Para së gjithash, këto zgjedhje kanë të bëjnë me atë ç’ka përfaqëson një shoqëri në planin e drejtësisë sociale dhe ekonomisë së drejtë dhe të marrëdhënieve të forcave politike-ideologjike mes grupimeve dhe diskutimeve që kryhen.

Më e rëndësishmja është se këto raporte nuk janë vetëm materiale: janë mbi të gjitha intelektuale dhe ideologjike. Pra, ato që kanë rëndësi në histori, jan idetë dhe ideologjitë. Janë ato që na lejojnë të imagjinojmë dhe të strukturojmë vazhdimisht botë të reja dhe shoqëri të ndryshme. Gjithmonë janë të mundshme trajektoret e reja. Kjo qasje është e ndryshme nga shumë këndvështrime konservatore të cilat synojnë t’i shpjegojnë pabarazitë mbi baza “natyrore”. (Pjesë nga libri i sapobotuar në Francë, Kapitali dhe Ideologjia)

*****

Intervistë me Thomas Piketty mbi librin e ri të botuar vjeshtën e vitit 2019 në Francë, i titulluar “Kapitali dhe Ideologjia”.

Statistikat që keni përdorur për librin tuaj, pavarësisht ideve që mbroni, tregojnë se ka pasur progres të konsiderueshëm në luftën ndaj varfërisë.
Unë besoj te progresi. Libri im nis me një vëzhgim optimist, duke theksuar përmirësimin e jashtëzakonshëm në arsim dhe shëndetësi. Rruga drejt drejtësisë sociale nuk ndjek një trajektore lineare. Në dy shekujt e fundit kemi jetuar periudha me progrese të mëdha, e më pas të ndjekura nga regresione të tmerrshme. Edhe Revolucioni Francez, pra afirmimi i jashtëzakonshëm i parimit të barazisë, kishte limitet e veta. Gjatë debatit për heqjen e skllavërisë, kishte intelektualë liberalë si Tocqueville që luftonin për t’u dhënë dëmshpërblime pronarëve. Ishte një manifestim për pronën private, i ngjashëm me ato që shohim sot jo vetëm mbi kapitalin por edhe mbi burimet natyrore dhe dijen.

Ndodhemi në një fazë të re regresioni?
Nisi në mesin e viteve ’80 për shkak të revolucionit konservator regenian dhe të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Këto dy ngjarje ngjallën një besim të ekzagjeruar ideologjik në aftësinë vetërregulluese të tregut. Rusia është shembulli më ekstrem i kësaj. Në një vend ku prona private ishte thuajse e ndaluar, të gjitha burimet natyrore janë tashmë në duart e dhjetë oligarkëve. Në Rusi nuk ekziston asnjë taksë mbi trashëgiminë dhe të ardhurat, ka një taksë të sheshtë prej 13% për të gjithë, pavarësisht nëse të ardhurat janë 100 apo 1 miliardë rubla. As në Kinë nuk ka taksë mbi trashëgiminë, ndërsa në shtete kapitaliste si Taivani apo Koreja e Jugut kjo taksë mund të arrijë deri në 50% për pronat e mëdha. Por nuk është fundi i Historisë, gjithmonë ka lëvizje në formë lavjerrësi.

Çfarë sjellin këto lëvizje historike?
Shembulli i Suedisë është shumë domethënës. Në Europë e citojnë shumë modelin egalitar suedez, por jo shumë kohë më parë ishte një ndër sistemet politike dhe ekonomike me pabarazitë më të mëdha në Europë. Deri në vitin 1911, vetëm popullsia e pasur, 20%, kishte të drejtë të votonte dhe numri i votave ishte në proporcion me pasurinë. Lëvizjet popullore sollën në pushtet socialdemokratët dhe për gjashtëdhjetë vitë pati një ndryshim rrënjësor prioritetesh. Thënë kjo, lëvizjet apo konfliktet sociale janë elementë të rëndësishëm në ndryshimet historike, por nuk janë të mjaftueshme.

Pse?
Lufta e klasave është e mirë, por lufta ideologjike është akoma edhe më e mirë, sepse të gjithë mund të përfundojnë duke pritur kolapsin e përgjithshëm të sistemit pa menduar se ç’do të vijë më pas. Pikërisht kjo ndodhi pas rënies së regjimit carist në Rusi: Bolshevikët nuk kishin menduar se çfarë do të vinte pas rrëzimit të Carit, u zhytën në logjikën e mashtrimeve dhe përfunduan duke ngritur regjimin më të egër të burgjeve në histori. Dhe post-komunisti u kthye në aleatin më të mirë të hiper-kapitalizmit.

Ju propozoni organizimin e një pagese nga Shteti, në formën e një “pasurie për të gjithë”. Vërtetë e besoni këtë?
Nuk është një utopi. Sistemet e të ardhurave universale janë pjesë e shumë vendeve europiane, por ende nuk ka një rishpërndarje të kapitalit. Sot që flasim, rreth dy të tretat e popullsisë nuk trashëgon asgjë. Sistemi që propozoj ka synimin që brenda 25 viteve, t’u japë të gjithëve 120 mijë euro të cilat mund të përdoren për të hapur një aktivitet privat, për të blerë një shtëpi apo për të realizuar një projekt.

Për të gjetur paratë, ju propozoni një normë tatimi deri në 90% për pagat më të larta. I urreni të pasurit?
Edhe për këtë ka precedentë. Ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara në mes të viteve 1900. Ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar, pikërisht falë taksës deri në 80% mbi pasurinë, u bë e mundur që nga koha e pas luftës të bëhej një shpërndarje e mirë e pronave tokësore. Sot këto duken si epoka të largëta.

Doni të zhdukni pronën private?
Prona private duhet të ekzistojë brenda limiteve të arsyeshme. Kur them se dua që fëmijët e familjeve të varfra të marrin një pasuri prej 120 mijë euro, aktivistët e të drejtave dhe të lirive sillen në mënyrë indiferente, ndërsa kur them se miliarderët mund të bëjnë një jetë të mirë edhe me 100 milionë euro, të gjithë revoltohen. Është çmenduri. Shumica është verbuar nga një liberalizëm elitar dhe autoritar!/ Thomas Piketty është ekonomist francez, i njohur për librin “Kapitali në shekullin XXI” ku studion rritjen e hendekut të pabarazive në perëndim përgjatë tre shekujve të fundit. Së fundmi ka botuar librin “Ideologji dhe Kapital”, një studim prej 1200 faqesh. Përkthyer në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published.