Mendel
Leksione amerikane nga postieri i Charles Bukowskit

Leksione amerikane nga postieri i Charles Bukowskit

Nga Erjon Uka/ U njoh vonë, por Charles Bukowski shpejt u kthye në një fenomen për lexuesit shqiptar. Madje, edhe për ata që rrallë lexojnë. Në rrjete sociale shpërndahen pa fund shprehje të tij për femrat, për seksin, për lirinë, së bashku me fotot simbol me një kanaçe birrë në dorë në mjedise të rrëmujshme e në dukje të pista.

Jo me shumë entuziazëm vendosa të lexoj romanin “Posta”, romani i parë i shkruar prej tij, e siç kuptova më pas duke lexuar shkurt për jetën e Bukowskit, me nuanca të forta autobiografike.

Sigurisht që kur e lexon nuk gjen ndonjë shkrimtar të thellë. Rrëfimi i tij nuk të tensionon, as nuk të shkund. Ama rrjedh me lehtësi, sikur sheh një film pa ndonjë vëmendje të madhe teksa je duke bërë ndonjë punë tjetër. Por, përtej dialogjeve të shpejta e të vrazhda, përshkrimeve shpesh të përcipta, gjuhës së drejtpërdrejtë, fjalorit banal, zbulon se ky libër i tij është si qepa: ka disa shtresa.

Thënë shkurtazi, romani tregon historinë 12-vjeçare të Henri Çinaskit si punonjës poste, mes marrëdhënieve me gratë, me pijen, me bastet. Një jetë e vrazhdë, pjesë e një mekanizmi të stërmadh si Posta Amerikane ku punonjësit janë thjesht ingranazhe krejt të parëndësishme të sistemit.

“Nisi si një gabim”. Kështu fillon rrëfimi i Henri Çinaskit, e kur mbërrin në fund, pasi ka duruar shefat burokratë të padurueshëm, pasi ka qenë në kontakt me kurva dhe me të sëmura mendore, ka bredhur në shi me këpucët qull për të shpërndarë në kohë pakon e letrave, e në fund të fundit pasi nuk ka ndjerë për asnjë moment kënaqësi nga puna që ka bërë, kupton se ka hedhur në kosh 12 vite të jetës së tij! Sa herë na ndodh, që gjëra që nisin përkohësisht, apo nisin si gabime, të bëhen pjesë e realitetit? A jemi ne që kontrollojmë jetën tonë, apo është sistemi që pa kuptuar na bën pjesë të mekanizmit të madh? Zakonisht ndodh kjo e dyta, sepse njerëzit e kanë të vështirë të ndryshojnë gjendjen e ekuilibrit ku ndodhen, edhe pse shumë herë të rrish gjithë kohës në ekuilibër është sfilitëse. Prandaj, jo më kot thonë se sekreti për sukses nuk është të pranosh çdo propozim, por të mësosh të thuash “jo” apo “mjaft më”.

Mjaft më, siç Henri nuk e ka fare për zor t’i thotë partnereve të tij. Nëse do të lexoje një roman klasik dashurie, përshkrimi i ndarjeve do të zinte gjysmën e rrëfimit duke e shndërruar gati-gati në një tragjedi, e pse jo, duke të t’i çuar lotët rrëke. Kjo nuk ndodh me Henrin e Bukowskit. Fundi i lidhjeve vjen shpejt, pas një sherri apo pas një nate të kaluar bashkë. Henri nuk ta përton, merr valixhen, i hipën makinës dhe gjen brenda natës një shtëpi tjetër me qira për të filluar një fazë të re të jetës sentimentale. Edhe me një punë të thjeshtë, nga ato që dikush mund t’i quajë të rëndomta, në Kaliforni dikush arrin t’ia hedhë paq sfidave të jetës. A janë të ardhurat ekonomike një prej faktorëve kyç për një jetë të pavarur? Sigurisht që po. Prandaj, Henri ka luksin që brenda natës të gjejë një shtëpi tjetër me qira, që partneret e tij të largohen, që gruaja e tij të ikë në një shtet tjetër. Nuk ka dyshim që një pagë e mjaftueshme është baza e një jete jo thjesht të mirë, por e një jete të lirë e të pavarur, ku gjithkush hyn në marrëdhënie si i barabartë dhe ndahet pa asnjë detyrim.

Është kjo ëndrra amerikane, të cilën Henri Çinaski, e shijon por edhe punon për ta pasur. Në këtë jetë asgjë nuk është falas dhe asgjë nuk është aq e bukur sa duket nga jashtë. Bukowski përshkruan jetën reale amerikane ku përtej qiellgërvishtësve, dritave të forta, markave të njohura, bursës, artit dhe shkencës, është një aparat i frikshëm që punon për të mbajtur gjallë “American dream”. Dhe shumë prej atyre që përbëjnë këtë aparat jetojnë në shtëpi të vjetra, kanë makina të lira, janë të alkoolizuar, të lirë ose të shthurur, pa motivim, bëhen pjesë e një mekanizmi dhe shtyjnë ditën ose konformohen për të pasur të sigurt vazhdimësinë.

Asgjë nuk është si duket, asgjë nuk është falas. Por mbi të gjitha, asnjëherë nuk është vonë për të ndryshuar jetën. Ashtu siç bëri Henri Çitanski. Ashtu siç bëri Charles Bukowski që në moshën 50 vjeçare hoqi dorë nga puna në postë për t’iu përkushtuar tërësisht letërsisë, që siç ka thënë vetë “mund ta ngordhte urie”.

Vlerësimi? Tre yje në Goodreads, jo keq për një roman të parë, ku patjetër një yll është vetëm për shqipërimin e Iris Sojlit që e bën Bukowskin të flasë troç në shqip.

Botuar edhe në Tiranapost.al dhe Telegrafi.com

Romani “Posta”, botuar në shqip nga Shtëpia Botuese “Pegi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.