Blog
Pamundësia për të komunikuar normalisht na kushton shtrenjtë

Pamundësia për të komunikuar normalisht na kushton shtrenjtë

Nuk mund të lihet pa thënë se kemi përfunduar një shtet karagjoz, ku komunikimi i vetëm zyrtar mes institucionit të Presidentit dhe institucionit të Kryeministrit janë batutat, karagjozllëqet dhe kodet e fshehura shantazhuese. Një shtet tërësisht karagjoz, ku shkresat zyrtare të Presidentit trajtohen si barcaleta në kafenetë e Tiranës, ndërsa për poturet e Kryeministrit shkruhet me solemnitetin e Deklaratës së Pavarësisë në faqet e para të gazetave.

Nga Erjon Uka/ Menaxhimi i situatës post-tërmet, duke shpresuar se nuk do të ketë më lëkundje shkatërrimtare, po has vështirësinë e mungesës së organizimit. Kjo pohohet nga njerëzit e terrenit, nga ata që prej hirit a prej pahirit shkuan që në orët e para të mëngjesit në vatrat e gjëmës. E pohojnë edhe shumë prej organizatave të cilat në mënyrë të strukturuar po ndihmojnë në shumë drejtime, por shpesh herë gjenden mes territ të informacionit apo përballë informatave kontradiktore.

Por e gjitha kjo edhe mund të ishte minimizuar disi, në mos mund të ishte shmangur. Jo tërmeti, por mungesa e organizimit. Para pak muajsh, pavarësisht mendimeve mbi personin e tij, lojërave të influencës, çfarë simbolizon në politikën shqiptare dhe nga e nxorri informacionin, Presidenti i Republikës njoftoi zyrtarisht për një “stinë” tërmetesh duke thirrur Këshillin Kombëtar të Sigurisë. Por në këmbim mori tallje mediatike, u quajt “Nostradamus” e “fallxhor”. Shkurt Presidenti, jo si person por si institucioni më i lartë i shtetit, jo vetëm nuk u mor seriozisht, por u tall publikisht. Një mungesë komunikimi normal, ku kanalet e komunikimit kthehen në zhurmues për mesazhin.

Natyrisht tërmetet është e vështirë të parashikohen, por në një shtet normal Qeveria nuk e përqesh Presidentin. Minimalisht e trajton seriozisht çështjen e më pas merr disa masa që mund ta kishin lehtësuar shumë situatën pas tërmetit të 26 nëntorit, e ndoshta mund të shpëtonin edhe jetë: ngrihen grupe pune, trajnohen njerëz, organizohen, qëndrohet në gatishmëri, sigurohen mjete dhe pajisje të posaçme, kontraktohen specialistë ndërkombëtarë. Gjëra që edhe pas tërmetit të shtatorit, nuk janë vënë në vijë. U anashkaluan me vetëdije a u harruan prej sindromës së truve të peshkut, mbetet për t’u zbuluar në ditët në vijim. E vërteta është që për të shpëtuar jetë nuk mjafton as vetëmohimi dhe vullneti i mirë i banorëve, zjarrfikësve dhe policëve për të hequr blloqet e betonit me gishta, e as lotët e politikanëve që shndërrohen me lehtësinë më të madhe nga Zeus të plotfuqishëm në ditë të mira, në të vobektë të përlotur në situata fatkeqe.

Thuhet se zakonisht njerëzit i bashkon frika ose interesi. Por ç’ka i karakterizon shoqëritë e suksesshme është bashkëpunimi sipas një sistemi të mirëpërcaktuar organizimi dhe besimi i ndërsjelltë, që fatkeqësisht mungon aty ku më së shumti duhet të jetë: Në institucionet drejtuese.

Ajo që ka rëndësi në momentin kur po shkruhen këto rreshta (orët e para të mëngjesit të datës 28 nëntor 2019), është të kemi sa më pak viktima. Por nuk mund të lihet pa thënë se kemi përfunduar një shtet karagjoz, ku komunikimi i vetëm zyrtar mes institucionit të Presidentit dhe institucionit të Kryeministrit janë batutat, karagjozllëqet dhe kodet e fshehura shantazhuese. Një shtet tërësisht karagjoz, ku shkresat zyrtare të Presidentit trajtohen si barcaleta në kafenetë e Tiranës, ndërsa për poturet e Kryeministrit shkruhet me solemnitetin e Deklaratës së Pavarësisë në faqet e para të gazetave. Një shtet karagjoz, ku statuset në Facebook sulmohen me video në Instagram, e më pas beteja zhvillohet me përlotje pranë të dëmtuarve.

Nuk duhet harruar që përtej personave që mbajnë përkohësisht ato poste, qëndron serioziteti i një shteti dhe mirëqenia e të gjithëve. Ndaj, në këto orë të para të datës 28 nëntor 2019, u duhet uruar punë e mbarë të gjithë ekipeve të shpëtimit që po punojnë në kushte ekstremisht të vështira, shfaqje të lavdishme atyre që si gjithmonë po bëjnë vizitat e kortezisë në spitale dhe mirënjohje gjithë të tjerëve në Shqipëri, Kosovë e kudo tjetër, që janë solidarizuar duke ndihmuar sado pak.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *