Montanelli
Pavarësia, nëse nuk shpallej më 1912 Shqipëria do shpërbëhej. Patriotët punuan pa mbështetje financiare

Pavarësia, nëse nuk shpallej më 1912 Shqipëria do shpërbëhej. Patriotët punuan pa mbështetje financiare

Dritëhijet e Pavarësisë së Shqipërisë: Cila është rëndësia e shpalljes së Pavarësisë pikërisht në nëntor të vitit 1912? Ç’do kishte ndodhur nëse atdhetarët do ta shtynin ndarjen përfundimtare nga Perandoria Osmane dhe cili ishte roli specifik i Ismail Qemalit në këtë proces? Historiania Nevila Nika jep disa detaje “pikante” nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë.

Nga Erjon Uka/ Nisja e Luftës së Parë Ballkanike e gjeti Ismail Qemalin në hotel “Pera Palace” të Stambollit. Prej aty nisi rrugëtimi i tij në kancelaritë evropiane, për të mbërritur më pas në Vlorë ku do të shpallej përfundimisht Pavarësia e Shqipërisë nga Perandoria Osmane e cila ishte në grahmat e fundit të saj.

E vërteta është se 107 vjet më parë nuk ekzistonte kuptimi i shtetit shqiptar siç e njohim sot. Shqiptarët ishin të ndarë në katër vilajete të mëdha nën juridiksionin e Perandorisë. Por në tetor të vitit 1912 me fillimin e Luftës së Parë Ballkanike, ku ushtritë e Serbisë, Malit të Zi, Greqisë e Bullgarisë kërkonin largimin e osmanëve nga Ballkani, rreziku që Shqipëria të shihej si tokë osmane dhe më pas si plaçkë për t’u ndarë mes fituesve, ishte evident. Këtu nisi rrugëtimi i Ismail Qemalit, i cili pa gjak dhe me shumë diplomaci, arriti t’i tregojë fuqive perëndimore se Shqipëria nuk ishte Turqi dhe kishte integritetin e saj territorial.

Në këtë 107 vjetor të Pavarësisë, historiania Nevila Nika në një intervistë për Tiranapost tregon disa detaje nga akti themeltar i shtetit: Ç’do të kishte ndodhur nëse nuk shpallej Pavarësia në nëntor të vitit 1912? Cili ishte roli specifik i Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë? Cilët janë “heronjtë e heshtur”, ata atdhetarë që sot i njohim pak, por që kanë një kontribut të jashtëzakonshëm në Pavarësinë shqiptare? Sa arriti vërtetë të qeverisë Ismail Qemali? Pse u largua nga Shqipëria dhe kush ishte i interesuar ta hiqte qafe?

Lexoni intervistën e plotë me Nevila Nikën, ish-Drejtoreshë e Përgjithshme e Arkivave, sot Rektore në Universitetin Europian të Tiranës.

Erjon Uka: Në këtë 105 vjetor të Pavarësisë, cilat janë të rejat që na vijnë nga historia? A kemi lëvrim të dokumenteve të reja apo publikime?

Nevila Nika: Të them të vërtetën në këto pesë vjetët e fundit, pra nga festimet e 100 Vjetorit, nuk është se ka lëvizur ndonjë gjë për t’u shënuar në drejtim të zbulimit të dokumenteve apo fotove të lidhura ngushtësisht me këtë ngjarje kaq të rëndësishme të historisë sonë.

Kopje e deklaratës së Pavarësisë.

Kam përshtypjen se gjatë vitit jubilar 2012 bëri shumë bujë fakti se nuk gjendej dokumenti origjinal i Aktit të Pavarësisë dhe u fol shumë rreth fatit të tij, më pas mbretëroi një heshtje olimpike nga ana e autoriteteve shkencore, por edhe opinionit publik në përgjithësi. Me sa duket “pranuam” kokulur se ky dokument i jashtëzakonshëm tashmë është larguar në “drejtim të paditur”. Për dekada të tëra askush nuk ishte kujtuar se shtetit shqiptar i mungonte “certifikata e lindjes”. Ndoshta për faktin e thjeshtë se pjesa dërmuese e firmëtarëve fill pas Luftës së Dytë Botërore dhe ardhjes në pushtet të komunistëve, prej këtyre të fundit ishin etiketuar si tradhtarë, ky dokument nuk i duhej më askujt!

E vetmja gjë që mendoj se ndoshta do të jetë një ndihmëse e madhe për të gjitha ata që merren me studime ose thjesht që kanë dëshirë të lexojnë, do të jetë botimi i të gjithë dokumenteve që ruhen pranë Arkivit Qendror Shtetëror. Prej 5 vitesh tashmë jam angazhuar në këtë drejtim. Kam grumbulluar të gjitha dokumentet që i përkasin periudhës tetor 1912-janar 1914 dhe jam në procesin e redaktimit e korrektimit të dokumenteve, të cilat janë të shkruara në gjuhë të huaj në shumicën e tyre.

Gjithsesi botime e punime të mira në këto vite nuk kanë munguar, por për periudha, ngjarje e figura që nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me këtë ngjarje të madhe.

Erjon Uka: Kur e shohim në distancë, duket se ka një nënvlerësim për aktin e Pavarësisë, pasi konsiderohet si diçka që do kishte ndodhur herët a vonë. Por cila është rëndësia e shpalljes së Pavarësisë pikërisht më 1912? Nëse ngremë hipoteza, çfarë mund të kishte ndodhur nëse Pavarësia nuk shpallej në atë periudhë?

Nevila Nika: Jetojmë në një kohë që shumë ngjarje e personalitete të së kaluarës shihen, analizohen apo etiketohen nga studiues të mirëfilltë apo edhe amatorë, në dritën e zbulimeve të reja dokumentare apo edhe këndvështrimeve shpesh tejet kontroverse, të kthyera “përmbys” nga ajo që ishim mësuar në dekada e shekuj t’i njihnim e vlerësonim, t’i respektonim e adhuronim.

Kuvendi i Vlorës i 28 nëntorit 1912 është padyshim një ngjarje e jashtëzakonshme dhe mendoj se atdhetarët nga mbarë trojet shqiptarë nuk do të ishin mbledhur atë ditë atje me shumë gjasa Shqipëria  do të ishte copëtuar përfundimisht midis fqinjëve. Ka qenë një përpjekje titanike e një grupi jo të vogël prej tyre që u arrit ngritja e flamurit në Vlorë. Askush nga Fuqitë e Mëdha të kohës nuk kishte ndërmend të na bënte dhuratë Pavarësinë. Por udhëtimi i Ismail Qemal Vlorës me Fazlli Toptanin e Luigj Gurakuqin nëpër gjithë kryeqytetet europiane dhe kolonitë shqiptare të mërgimit në muajt që paraprinë 28 nëntorin,  dëshmon më së mirë  se ata vunë në lëvizje, ngjallën interesimin dhe padyshim siguruan mbështetjet e duhura për të realizuar ëndrrën shekullore të shqiptarëve, shkëputjen nga Perandoria Osmane. Kanë qenë muaj të jashtëzakonshëm në të cilën provuan jo vetëm se ishin  politikanë e diplomatë me cilësi të rralla, por mbi të gjitha se ishin gati të sakrifikonin gjithçka për lirinë e Atdheut. Nuk mund të rri këtu pa përmendur faktin se nuk kishin mbështetje financiare tjetër, përveç se atë të xhepit të tyre.

Erjon Uka: Nga dokumentet që kemi sot, a ka vend hipoteza se Pavarësia e Shqipërisë ishte plani “B” i shumë patriotëve, pasi ata kërkonin të qëndronin nën Perandorinë Osmane për sa kohë ajo ishte e fuqishme, dhe akti Pavarësisë erdhi kur po tronditeshin themelet e saj?

Nevila Nika: Gjykoj se në shumicën dërmuese veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare kanë qenë  pandërprerë në mbështetje të idesë së shkëputjes përfundimtare nga Perandoria Osmane. Por nuk mund të përjashtohet fakti se ka pasur elementë, nga të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare të atyre viteve, të cilët mbështetnin idenë se duke qenë nën ombrellën e një Perandorie do të kishim mundësi të mbronim trojet amtare nga fqinjët shovenë, por natyrisht edhe të mbronin privilegjet e tyre. Numri i këtyre të fundit sa vinte e zvogëlohej, pasi Perandoria Osmane kishte dhënë  prova krejt të kundërta. Mjafton këtu të kujtojmë lëshimet që ajo bëri në dëm të trojeve tona amtare në Kongresin e Berlinit. Stambolli zyrtar në vazhdimësi i kishte konsideruar trojet shqiptare, të ndara në katër vilajete (provinca), si një mundësi për të kënaqur kërkesat e shteteve të tjera, pra si plaçkë lufte. Më shkon ndërmend ose më mirë është të them se kam pasur gjithnjë një ndjesi se Sulltanëve nuk ju doli kurrë inati me atë çfarë ju ndodhi në 25 vjetët e qëndresës tonë me në krye Gjergj Kastriotin.

Erjon Uka: Cili ishte roli i Ismail Qemalit në këtë akt? Sa peshë kishte emri i tij në kancelaritë e Europës në lidhje me çështjen shqiptare?

Nevila Nika: Ideja për të paraqitur pranë kancelarive europiane kërkesën për shkëputje nga Perandoria Osmane, pra për të kërkuar mbështetjen e tyre për të realizuar ëndrrën shekullore të bashkatdhetarëve të tij, padyshim ka qenë e Ismail Qemalit. Ai kishte fatin të ishte pinjoll i një prej familjeve më të mëdha dhe me kontribute të spikatura në jetën politike të kohës dhe të ishte i  pajisur me një përvojë të gjatë administratën osmane. Falë funksioneve që kishte pasur në këtë administratë kishte pasur mundësi të njihej me mjaft personalitete të huaj dhe të vlerësohej prej tyre. Kështu që ishte krejt e natyrshme që dyert të hapeshin për të dhe zëri i tij të përcillej deri në sferat më të larta të vendimmarrjes.

Erjon Uka: Në perceptimin publik aktin e Pavarësisë e lidhim kryesisht me jo më shumë se 4-5 emra. Por cilat janë disa figura të tjera interesante që kanë kontribute në shpalljen e Pavarësisë?

Nevila Nika: Akti i Pavarësisë i fotografuar nga Marubi në vitin 1937 me rastin e 25 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë duket se ka qenë një fletë e vijëzuar hequr nga një Block-Note. Në faqen e përparme (inverso) përveç tekstit në shqip e osmanisht gjenden 36 firma dhe në faqen e mbrapme (recto) janë 6 firma. Ky dokument ka qenë për shumë kohë i palosur dhe me sa duket i futur në një këllëf apo portofol lëkure dhe ka krijuar nja dy njolla të vogla. Gjatë muajve që paraprinë 28 nëntorin 1912 disa prej veprimtarët Bedri Pejani, Mit-hat Frashëri, Salih Gjuka etj., ndërmorën një udhëtim të gjatë në të gjitha kryeqendrat e vilajeteve shqiptare me qëllim përhapjen e lajmit për kuvendin e ardhshëm që do të mbahej në Vlorë. Zgjedhja e përfaqësuesve që do të shkonin në Vlorë u organizua dhe të zgjedhurit u pajisën me akte-përfaqësimi.

Përkeqësimi i gjendjes politike për shkak të fillimit të Luftës së Parë Ballkanike detyroi Ismail Qemalin e bashkëpunëtorët e tij të mos prisnin ardhjen e të gjithë përfaqësuesve. Kështu që mbasditen e 28 nëntorit  Akti u nënshkrua nga  personalitete që përfaqësonin të gjitha krahinat. Më poshtë po rendis emrat e tyre me shpresë që një ditë kjo listë do të mësohet përmendësh në shkollat tona.

Ismail Qemal Vlora, Vehbi Agolli, dom Nikoll Kacorri, Elmaz Boce, Jorgji Karbunara (Babë Duda), Bedri Pejani, Veli Harxhi, Aristidh Ruci, Pandeli Cale, Mustafa Asim Kruja (Merlika), Luigj Gurakuqi, Xhelal Koprencka, Nuri Sojliu, Zihni Abaz Kanina (Hamzaraj), Dhimitër Zografi, Qemal Elbasani, Jani Minga, Dhimitër Mborja Emanoil, Abdi Toptani, Murat Toptani, Abaz Dilaver (Celkupa), Qazim Kokoshi, Mit-hat Frashëri, dr. H. Myrteza (Struga), Thanas Floqi, Spiro  T. Ilo, Salih Gjuka, Iljaz Vrioni, Rexhep Demi, Halit Cakrani, Shefqet Daiu, Nebi Sefa Lushnja, Zyhdi Ohria, Ymer Deliallisi, Lef Nosi, Dhimitër Berati, Ferit Vokopola, Xhemaledin Deliallisi dhe dy firma të palexueshme.

Erjon Uka: Cilat janë disa nga vështirësitë më të mëdha të shtetit të parë shqiptar dhe a arriti të qeverisë vërtetë Ismail Qemali? Kemi sot dokumente për vendime të caktuara të qeverisë?

Nevila Nika: Vështirësitë ishin të panumërta. Qeveria e kryesuar prej tij u përball që në ditët e para me problemin e njohjes nga Fuqitë e Mëdha , mbrojtjes nga depërtimi i ushtrive të mbretërive fqinje në territorin shqiptar, me mungesën e burimeve financiare, problematikën e ngritjes së administratës shqiptare; krizën e humanitare në krahinat e pushtuara, organizimin e ushtrisë e xhandarmërisë, pamundësinë për të bashkuar të 4 vilajetet shqiptare nën administrimin e saj, etj.

Duke pasur parasysh të gjitha ato që përmenda më sipër, por edhe mjaft vështirësi e problematika të tjera, duhet të pranojmë se falë përkushtimit e atdhedashurisë së të gjithë atyre që u gjendën të përfshirë në këtë ndërmarrje të jashtëzakonshme, ringritjen nga asgjëja të shtetit të pavarur shqiptar, qeveria e përkohshme e kryesuar nga Ismail Qemal Vlora ia doli të qeverisë edhe pse në një hapësirë të kufizuar, Vlorë, Berat, Fier, Elbasan, Lushnje, Peqin, Kavajë, Durrës e Tiranë.

Falë dokumenteve që i kanë shpëtuar furisë shkatërruese të pushtuesve të huaj dhe sidomos lëvizjes shkatërrimtare të Haxhi Qamilit e Musa Qazimit, por edhe një sasie  të konsiderueshme të dokumenteve zyrtare të kësaj administrate, të kopjuara nga Lef Nosi, ministër i Postë-Telegrafës dhe Ferit Vokopola, sekretar i Qeverisë, kemi mundësi të marrim të dhëna të mjaftueshme për veprimtarinë e zhvilluar në 14 muaj jetë të saj.

Erjon Uka: Si mori fund qeveria e Ismail Qemalit dhe cilat janë tezat kryesore për ndarjen e tij nga jeta në Itali?

Nevila Nika: Ismail Qemali dorëzoi drejtimin e qeverisë më 14 janar 1914. Mos gjetja e gjuhës së mirëkuptimit në gjirin e personaliteteve shqiptare për vazhdimin e përpjekjeve për forcimin e zgjerimin e administrimit në krejt vilajetet shqiptare e për tu njohur ndërkombëtarisht, por përkundrazi duke punuar në të kundërt të këtyre përpjekjeve u kurorëzua me cilësimin e vetë Ismail Qemalit si “tradhtar” me akuzën se ishte pjesë e një komploti antikombëtar. Me largimin  e tij, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit mori në dorëzimin qeverinë deri në ardhjen e Princ Vidit në mars 1914.

Majtas Hotel Pera Palace ku nisi udhëtimi i Ismail Qemalit më 1912. Djathtas, Hotel Brufani ku ndërroi jetë më 1919 në Peruggia.

I cilësuar si babai i Pavarësisë së Shqipërisë ai u shndërrua në një personazh të pakëndshëm dhe aspak komod për disa qarqe politike brenda e jashtë Shqipërisë. Stambolli zyrtar ende ishte në gjendje të kryente vrasje politike kundër të gjithë atyre personaliteteve që kishin punuar fort në interes të kombeve të tyre, por nuk përjashtohen edhe shërbimet e vendeve të tjera si ato serbe, greke, ruse apo edhe kundërshtarë të brendshëm si Esat Toptani.

Armiqtë e Shqipërisë nuk u mjaftuan me largimin e tij nga skena politike shqiptare. Ai edhe në mërgim nuk rreshti së punuari për atdheun e pikërisht për këtë në prag të nisjes së punimeve të Konferencës së Paqes, në mbarim të Luftës së Parë Botërore, ai u dënua “me vdekje” nga armiqtë e Shqipërisë. Në se ai do të përfshihej në punimet e Konferencës ndoshta do të kishim një tjetër rezultat? Askush nuk mundet ta dijë, por një gjë është e sigurt, personaliteti, emri i tij frikësonte të gjithë ata që kishin hartuar planet më ogurzeza për Shqipërinë.

Botuar edhe në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published.