Vetmia na tremb, sepse jemi shndërruar në analfabetë të mendimit
Ndihemi tmerrësisht të vetmuar, e në fakt jemi, ndaj kërkojmë strehim jo në një marrëdhënie shoqërore, por në iluzionin e të qenurit i pranishëm gjithmonë dhe kudo falë një pajisjeje që e paraqet veten tonë vetëm për vetëm me ne.
Nga Pier Aldo Rovatti/ Një nga poezitë më të njohura të Francesco Petrarkës nis me këto vargje: “I vetëm e i menduar përshkoj fushat e shkreta, sikur t’i mas me hapa të ngadaltë…” Ata të brezit tim e kanë mësuar përmendësh, ndaj këto vargje janë stampuar në mendjen tonë. Nuk di ç’të them për brezat e rinj, por megjithatë dyshoj se janë familjarë me këtë.
Duhet ta kthejmë shiritin e kohës rreth tetëqind vite prapa, për t’u kredhur edhe një herë në historinë e letërsisë dhe kulturës italiane, e të kuptojmë se këto rreshta vazhdojnë t’i bëjnë elozh vetmisë. Edhe sot, shumë filozofë të vetëdijshëm për terrenin e vështirë ku jeton njeriu modern, na ftojmë të mbajmë gjithnjë “një shkretëtirë në xhep”, e cila do të na ndihmojë për t’i dhënë orientimin e duhur jetëve tona. Pra, a janë ende vargjet e Petrarkës kaq aktuale?
Edhe po, edhe jo. Jo sepse tashmë vetmia është kthyer në një sëmundje endemike e cila prek thuajse gjithkënd dhe për të cilën mundohemi të mos mendojmë. Por edhe po, sepse jetojmë të shtypur nga trysnia e një shoqërie që ka gjithnjë e më pak kohë dhe hapësirë për të krijuar momente pushimi. Madje, pauzat me qëllim reflektimin konsiderohen shpesh herë të dëmshme dhe përhumbëse.
Nuk ka dyshim se sot vetmia jonë, ajo shkretëtirë artificiale, po realizohet nëpërmjet arratisjes nga zhurmat dhe ankthi përmes tërheqjes shpirtërore, në të cilën vetmia me kafshimet e saj na jep iluzionin e një shoqërizimi fantazmë. Ndihemi tmerrësisht të vetmuar, e në fakt jemi, ndaj kërkojmë strehim jo në një marrëdhënie shoqërore, por në iluzionin e të qenurit i pranishëm gjithmonë dhe kudo falë një pajisjeje që e paraqet veten tonë vetëm për vetëm me ne. Një rreth vicizoz.
Atyre që mund ta konsiderojnë këtë si një mendim të bazuar vetëm në pesimizëm, i kërkoj thjesht të vëzhgojnë se si është e ndërtuar përditshmëria jonë – të rritur, adoleshentë, fëmijë – ku dialogu është asfiksuar duke u kthyer në diçka jo fort tërheqëse dhe pushimet janë zëvendësuar nga kontakte virtuale, për të cilat mendojmë se janë relaksuese. Për të mbytur vetminë, po i hapemi pa shumë lodhje botës. Por duke ndenjur në vend, gjithsecili për hesap të vet, me një sjellje tërësisht vetmitare. A po i popullojmë apo po i shkretojmë jetët tona? Pyetja duket më shumë se retorike.
Ajo që ka ndodhur është se fjalë si “vetmi”, “shkretëtirë” apo “ngadalësi”, pra gjithë ato fjalë kyçe në vargjet e Petrarkës, tashmë kanë ndryshuar identitet dhe janë kthyer në të panjohura për realitetin ku jetojmë. Nuk e kërkojmë më vetminë, sepse nuk kemi më asnjë ide për të përpunuar. Madje edhe me keq, do të donim të arratiseshm nga burgu i vetmisë dhe mbi të gjitha nga qenia vetëm ballë për ballë me vetveten! Por mes vetmisë sonë, që nuk kemi guximin as ta shohim në sy sepse na mbush me frikë, dhe vetmisë që për shembull na flet Petrarka, ka një ndryshim shumë të madh të shënjuar mbi të gjitha nga zhdukja e mendueshmërisë. Jemi vetëm por pa mendim, të vetëm dhe të paaftë për të reflektuar.
Nuk di nëse ka kuptim të flasim për një vetmi të rreme, së cilës i kundërvihet ajo e “vërteta” që tashmë ka ikur nga horizonti ynë. Gjendja në të cilën jetojmë është në fakt një vetmi efektive, reale. Zakonisht nuk e vëmë re dhe gënjejmë veten duke thënë se nuk ekziston, apo se është thjesht një ndjenjë pas një dite të keqe. E pastaj bëhet fjalë për të vendosur nëse është më mirë të jetojmë në një gjendje somnambulizmi, apo të tentojmë të zgjohemi, ta shohim në sy gjendjen tonë, të shkundemi prej letargjisë së rehatshme në të cilën ndodhemi. Për të bërë një hap përpara këtij zgjimi të sikletshëm duhet të kryejmë një veprim të vështirë që quhet mendim. Së pari, duhet të bëhemi të vetëdijshëm se dita-ditës po humbasim aftësinë për të menduar dhe që të ndryshojmë rrugë nuk është e lehtë.
Por ama nuk është as e pamundur. Do të na duhej një ndryshim drejtimi, duke e lehtësuar veten tonë përmes pushimeve dhe krijimit të distancave. Me shumë mundësi këtu qëndron kuptimi i asaj vetmie që i kemi harruar kuptimi, që mbart në vetvete edhe idenë e “shkretëtirës” dhe kundërpërgjigjes nëpërmjet “ngadalësisë”.
Ajo ç’ka mësojmë, dhe nuk habitem fare, është se të menduarit korrespondon thuajse me një boshatisje. Ky është një gjest thuajse absurd për “ideologjinë e mbushjes” që na bombardon dhe po na kolonizon në çdo çast. Duhet të kuptojmë se nuk bëhet fjalë për të vrapuar e për të vrapuar gjithnjë e më shumë, përkundrazi, për të ngadalësuar hapat tanë dhe mbase edhe për t’u vonuar paksa. Por a nuk rrezikojmë që të shkojmë drejt dështimit? Varet nga mënyra se si e shohim suksesin. Nëse do të mund ta aplikojmë në jetën tonë këtë kundërlëvizje – gjë që nuk është aspak e lehtë – mund ta shpëtojmë mendimin nga mbytja, ose të paktën të zbulojmë sensin e “mendueshmërisë” që e kemi humbur.
Jemi kthyer në analfabetë të reflektimit. Për ta rigjetur këtë gjuhë që po e humbasim, nuk duhet ta mbushim thesin vetëm me “unë”, përkundrazi duhet ta zbrazim. Ky ndoshta është sekreti i vetmisë të cilën nuk jemi më në gjendje ta përdorim./I lindur më 1942, Pier Aldo Rovatti është pedagog dhe filozof italian. Kryesisht veprën e tij ia ka kushtuar mendimit, ndërsa është bashkëpunëtor me shumë revista dhe gazeta italiane, ndër të cilat “L’Espresso” dhe “La Repubblica”. Shkrimi u shqipërua nga Erjon Uka.