Blog
Kë të besojmë kur flitet për varfërinë?

Kë të besojmë kur flitet për varfërinë?

Nga Erjon Uka/Parrulla e përbashkët e të gjitha qeverive, e bazuar apo jo, ka qenë se varfëria në Shqipëri është ulur. Deri diku kjo gjë është e vërtetë, sepse të paktën gjatë “dekadës së artë” në ekonomi, në vitet 2000-2010, rreth 1 milionë shqiptarë dolën nga varfëria. Të paktën këtë thonë statistikat.

Problemi është se si i masim statistikat. Një shembull flagrant vjen nga presidenti Donald Trump, i cili në fillim të vitit 2018 u mburr se norma e papunësisë në SHBA kishte arritur nivelin më të ulët në histori. Por ishte po vetë Donald Trump, që gjatë fushatës elektorale thoshte se ka shumë probleme në mënyrën se si maten statistikat: sipas Zyrës së Statisikave të Punës, nëse dikush ka një punë me kohë të pjesshme, quhet i punësuar; nëse dikush punon dhe ka mbi një muaj që nuk merr pagën që i takon, sërish quhet i punësuar; nëse nuk punoni përkohësisht për shkak të kushteve të këqija të motit, quheni i punësuar edhe pse nuk paguheni.

Ky është një shembull se si statistikat e papunësisë mund të interpretohen në dy apo më shumë mënyra krejt të ndryshme, qoftë edhe nga i njëjti person. Dhe problemi nuk qëndron vetëm tek ata persona, por te përkufizimi që kemi për varfërinë. Aktualisht Shqipëria përdor standardet e Bankës Botërore, të cilat marrin në referencë të ardhurat në vendet afrikane të botës së tretë. Sipas këtij standardi, konsiderohen në varfëri ekstreme ata që jetojnë me më pak se 1,25 dollarë në ditë dhe 2 dollarë për varfërinë relative. Pra, mjaftoka të marrësh një pagë minimale që të mos quhesh i varfër?

Vetëm për të dhënë një ilustrim të trishtë, gjatë viteve të fundit në Shqipëri kanë vdekur disa persona nga i ftohti. Për ta është folur shumë pak. Dikush ka pasur fatin e keq të jetë i pastrehë, por të tjerët kanë ndërruar jetë nga i ftohti në vendin e punës, rrugës për në punë, apo në shtëpitë ku jetonin të vetmuar. Me siguri, sipas statistikave këta persona nuk janë konsideruar si të varfër për sa kohë kanë pasur një strehë apo një pagë minimale.

Nuk do të mendoja rreth kësaj çështjeje, sikur të mos kisha lexuar disa të dhëna të Eurostat, Institutit Europian të Statistikave, ku sipas të cilit Italia kishte numrin më të madh absolut të të varfërve. Si?! Në ekonominë e tretë të Europës, jetojnë 10,4 milionë të varfër? Por në fakt Eurostat, i cili e mat periodikisht varfërinë, ka përcaktuar edhe kriteret mbi të cilat i nxjerr këto shifra. Kur flitet për të varfër në Bashkimin Europian, bëhet fjalë për ata persona që kanë vështirësi të përballojnë shpenzime të papritura, kanë vështirësi ta kenë gjatë gjithë kohës shtëpinë e ngrohtë, nuk mund të blejnë të paktën dy palë këpucë të reja në vit, nuk rinovojnë garderobën apo vonojnë pagesat e qirasë.

Dhe pasi lexon këto kritere, mendon: Me të vërtetë ka rënë varfëria? Një sëmundje e papritur mund të zbrazë brenda natës të gjitha kursimet e një familjeje të mesme shqiptare; sipas anketës së cilësisë të Komisioni Europian, 40% jetojnë në kushtet e lagështisë në shtëpitë e tyre; nga njëra fushatë elektorale në tjetrën, të gjithë jemi dëshmitarë për ushqimet që shiten ende me listë, apo problemeve sociale që lindin prej vonesave në pagesat e qirave; të gjithë ata që jetojnë me asistencë sociale duhet t’ia dalin fundit të muajit me rreth 5000 lekë të reja.

Prandaj për të matur varfërinë nuk mjafton tejkalimi i kufirit 1,25 apo 2 dollarë, e nuk mjafton as të jesh duke vdekur për “bukën e gojës”, siç kryeministri mohon se njerëzit ndodhen në këtë gjendje. Do të jetë gjithmonë e vështirë të gjendet një përkufizim i gjithëpranuar, por ajo që është e rëndësishme është të vendosim se mbi cilat kritere diskutojmë për varfërinë. Statistikat nuk janë gjithçka, sidomos kur flasim për varfërinë. Mark Tuein thoshte se faktet janë kokëforta, ndërsa statistikat lehtësisht të përpunueshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.