Blog
Ajri i pastër, luksi që shitet

Ajri i pastër, luksi që shitet

Ajo që i shtyn njerëzit drejt parasë janë pikërisht shpenzimet që ata duhet të përballojnë për t’u mbrojtur nga shkatërrimi dhe degradimi jo vetëm i mjedisit, por edhe i marrëdhënieve mes njerëzve. Ne sot paguajmë për shumë gjëra që deri pak kohë më parë ishin falas.

Nga Erjon Uka/ Mes shumë artikujsh mbi zhvillimet në botë, njëri prej tyre më tërhoqi veçanërisht vëmendjen para pak kohësh. Kishte të bënte me një lokal në New Delhi në Indi, por nuk kishte lidhje me ndonjë ushqim tradicional, me ndonjë model të ri biznesi dhe jo e jo me ndonjë skandal mes punonjëse.

Në këtë lokal shitej oksigjen. Për 15 minuta, duke paguar rreth 4 dollarë sipas BBC, indianët mund të merrnin frymë lirisht, mund të thithnin ajër të pastër, të rigjeneroheshin. Duhet thënë se New Delhi është ndër qytetet më problematike në botë përsa i përket mjedisit, ku nivelet e ndotjes së ajrit janë 20 herë më të larta se norma e lejuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ky artikull të bënte të mendoje për shumë gjëra, që nga masakra që po i bëhet natyrës, deri te dhunimi i përditshëm i mushkërive të njerëzve. Dhe patjetër që nuk është një problem vetëm indian, por i përbotshëm. Edhe shqiptar gjithashtu. Gjithsesi, fakti i shitjes së oksigjenit tregon për nivelin e lartë të konsumerizmit që na ka përfshirë, për një mënyrë zhvillimi që si në rastin e Indisë prodhon rritje bindëse ekonomike, por siç duket jo mirëqenie për qytetarët e saj.

Në fakt, ekonomisti italian Stefano Bartolini në një prej librave të tij disa vite më parë, argumentonte se modeli i zhvillimit kapitalist NEG (Negative Endogenous Growth) që është gjerësisht i përhapur, mund të jetë brilant për të sjellë rritje ekonomike, por shkatërrues për marrëdhëniet njerëzore, duke dëmtuar për pasojë mirëqenien. Një prej hipotezave ku mbështetet modeli i rritjes endogjene negative është se rritja ekonomike na pakëson të mirat që mund t’i përdorim lirisht, pasi shkatërron kushtet mjedisore dhe marrëdhëniet njerëzore.

Thënë ndryshe, ne sot paguajmë për shumë gjëra që deri pak kohë më parë ishin falas. Mendoni për një moment për prindërit e rinj që duhet të paguajnë për argëtimin e fëmijëve të tyre. Deri pak dekada më parë, fëmijët mund të luanin lirisht në lulishte apo ne lagje, ndërsa sot urbanizim-betonizimi dhe ndotja i mbyllin fëmijët në cepa qendrash tregtare apo në parqe lojërash virtuale kundrejt një fature. E kështu me radhë, ku shërbimet për të cilat duhet të paguajmë po shtohen dita-ditës: duhet të paguajmë për një vend parkimi, të paguajmë kujdestaret për fëmijët pasi koha jashtë shtëpisë zgjat 12 deri në 14 orë, deri te pagesat për pak orë qetësi jashtë qytetit, për det të pastër apo për hapësira në plazh. Pra shërbimet dhe të mirat që ishin mëse normale dhe falas për brezat e mëparshëm, janë kthyer në të mira luksi për brezin tonë.

Për t’u rikthyer edhe një herë te koncepti i Bartolinit, modelet NEG na prezantojnë me individë të cilët janë shumë të interesuar për pará , pasi kanë bindjen se në shoqërinë tonë pa to nuk mund të bësh asnjë hap. Sipas kësaj ideje, ajo që i shtyn njerëzit drejt parasë janë pikërisht shpenzimet që ata duhet të përballojnë për t’u mbrojtur nga shkatërrimi dhe degradimi jo vetëm i mjedisit, por edhe i marrëdhënieve mes njerëzve.

Diku në një prej krijimeve të tij, Vladimir Nabokov shkruante: “…Në moshën tetë vjeç, ai i kishte thënë nënës së tij se donte të vizatonte ajrin…” Megjithëse ajrin (ndoshta) ende nuk mund ta vizatojmë, tashmë është fakt se duhet ta blejmë! A është ky modeli ku po shkojmë?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *