Mendel
Teodor Keko në prozë

Teodor Keko në prozë

Mbi romanin “Shënimet e një gruaje”/ Duke lexuar romanin e Teodor Kekos njeh më mirë edhe botëkuptimin e tij social e politik, i cili natyrshëm është në anën e lirisë, që mbron individin përkundrejt turmës. Për Teodor Kekon pasuri është “uni”, jo kolektivi. Mbi të gjitha është ndjenja, jo logjika. Për të, dinjiteti, edhe në qoftë e vetmja gjë që i mbetet, është më i rëndësishmi. E shkroi në vepra, e zbatoi edhe në jetë.

Nga Erjon Uka/ Poezitë e Teodor Kekos gjenden thuajse kudo në rrjete sociale. Ato janë edhe tekste këngësh, që janë riprodhuar disa herë. Fjalimet e Teodor Kekos lexohen gjithashtu në disa gazeta online, ku herë pas here nostalgjikët i rikthehen qëndrimeve të tij dinjitoze apo parashikimeve të gjetura, ndoshta edhe për të bërë dallimin ndërmjet një kohe ku politika nxitej nga pasioni dhe një kohe ku pasioni për pushtet despotik të shtyn të bësh politikë.

Por nga Teodor Keko nuk kisha lexuar asnjë roman. Prandaj së bashku me “Lehtësia e padurueshme e qenies” të Milan Kunderës (i cili sipas rekomandimit që mora ishte libri i duhur për ditët e para të janarit, e që vërtetë u lexua me një frymë), përzgjodha romanin “Shënimet e një gruaje”. Ka raste që ndihem defiçitar me letërsinë shqipe, e ku më mirë se me Teodor Kekon mund të qetësoja ndërgjegjen.

Megjithëse nuk hyn te zakonet e mia të zgjedh librin nga titulli, “Shënimet e një gruaje” shkruar nga një burrë, ishte joshëse. Shkurtimisht, fabula e romanit lidhet me Anën, një vajzë 28-vjeçare e cila ka kaluar disa marrëdhënie të dështuara sentimentale, prè e dashurive të pamundura apo e meshkujve të dobët. Për këtë arsye ajo paragjykohet jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetin ku është transferuar të punojë. E quajnë “një ashtu”, e të gjithë janë kandisur se në shtëpinë e saj, në dhomën e gjumit, ndodhnin soje e sorollope dreqi e di ç’lapërdhi. Deri sa në shtëpi mbërrin Ema, një vajzë 24-vjeçare nga kryeqyteti që duhet të banojë me të. Edhe ajo kish menduar si të gjithë, edhe ajo e kishte quajtur “dava prostitute”, por arriti të shihte me sytë e saj se asgjë nuk ishte siç thuhej. E provoi vetë se një e pavërtetë edhe nëse thuhet nga një milionë njerëz, mbetet e pavërtetë. Prandaj pranon “të bëhet pis” vetëm për faktin se qëndron në shtëpi me “një ashtu” dhe në romanin e Teodor Kekos, Ema merr përsipër rolin e rrëfimtares.

“Shënimet e një gruaje” është një rrëfim për shoqëritë provinciale në mentalitet, një roman për “Tiranën ku ka aq shumë tiranë”, për të perifrazuar poezinë e Fatos Arapit, ku njerëz të dobët me gurë në trastë të vihen nga pas dhe të vënë përposhtë, nën buzëqeshjen e të tjerëve që shesin moral me okë, por nuk lëvizin as gishtin për të kuptuar të vërtetën pas thashethemeve. “Ku ma gjen t’i qëllosh me pushkë opinionet e rreme! Por nuk ka pushkë të tillë”, shkruan Keko nën zërin e Emës.  

Në një kuptim ekzistencial, njeriu është vetë përgjegjës për veten e tij, ai i jep esencën thelbit, është produkt i veprimeve dhe i kujtimeve të tij. Por deri në ç’masë? A mos gjer në vetëshkatërrim? Ndoshta. Është haraçi që duhet paguar për mungesën e harresës. Qyteti ku jeton Ana nuk harron, në qytetin e Anës gjithçka e tjetrit shihet me lupë, qyteti është një palimpsest gjigant ku sado të duash të fshish kujtimet e pakëndshme, gjurmët mbesin. E vogla imponohet, veprimet e shkujdesura mbizotërojnë, pasionet kthehen në krime dhe shpjegimet i ngjajnë mbrojtjes në një gjyq.

Ana tenton disa herë t’ia nisë nga fillimi, por nuk mundet. Mimika e njerëzve në rrugë, kthimi i shpinës nga të njohurit, gënjeshtrat që qarkullojnë, nuk ia lejojnë këtë gjë. Dështimet normale kthehen në damkë, të cilën shumëkush refuzon të kuptojë pse. Shënimeve të Emës i shkon më së mirë thënia e Carl Gustav Jung, se “Të mendosh është e vështirë, prandaj shumica e njerëzve thjesht gjykojnë”. Prandaj shfletimi i faqeve, mund të konsiderohet një rrugëtim psikologjik në jetën e dikujt prej nesh.

Duke lexuar romanin e Teodor Kekos njeh më mirë edhe botëkuptimin e tij social e politik, i cili natyrshëm është në anën e lirisë, që mbron individin përkundrejt turmës. Për Teodor Kekon pasuri është “uni”, jo kolektivi. Mbi të gjitha është ndjenja, jo logjika. Për të, dinjiteti, edhe në qoftë e vetmja gjë që i mbetet, është më i rëndësishmi. E shkroi në vepra, e zbatoi edhe në jetë. Por jo dinjitetin që lyp turma përmes klisheve moralizuese, dinjitet për të është të veprosh sipas bindjeve dhe ndjenjave, pa i bërë keq tjetrit. “Në një botë paqësore, njeriu vjen të jetojë si njeri e jo si ushtar. Vjen të dashurojë dhe jo të ruhet deri në çmenduri nga dashuria. Unë personalisht dua të jetoj, të punoj dhe të dashuroj. Por njeriu nuk i mësoka të gjitha menjëherë”, shkruan ai.

Përmes edhe një strukture me kohë të shprishura, që ngatërrohen dhe risillen herë pas here, “Shënimet e një gruaje” të ndez shkëndijat për t’u bërë pjesë e dialogjeve të Anës me Emën, të monologjeve të Salvadores apo e thashethemeve në kafene dhe në shtëpitë si kuti shkrepsesh. Për t’u mbyllur me disa rreshta, që mund të shërbejnë si epitaf i individit të shtypur nga paragjykimi, nga kolektivizmi, nga kornizat shoqërore, nga morali: 

“Teksa shkruaj, më mbushet mendja se kësaj pune unë vërtet i kam hyrë për të shpëtuar shpirtin tim, por ama edhe për tiu vënë gishtin ca të tjerë njerëzve me pamje e jetë të rregullt, me rregullsi tejet të rregullt, që kanë, megjithatë, plot ditë kriminelësh në jetën e tyre. Ja, Ana! Tani, mu përgjigjni, ju lutem: pse e vramë?”

Dhe romani, natyrisht i kushtohet Xhulit!

“Shënimet e një gruaje”, ribotuar në vitin 2014 nga shtëpia botuese “Dudaj”.

Botuar edhe në Tiranapost.al dhe Leximtari.al

0 thoughts on “Teodor Keko në prozë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *