Borges
Mirësia: virtyt si dikur apo dobësi si sot?

Mirësia: virtyt si dikur apo dobësi si sot?

Kjo është epoka kur të gjithë ankohen për mungesën e mirësisë. Mirësia nxit mosbesim dhe demonstrimet publike të bujarisë shpesh përshkruhen si moraliste dhe sentimentale. Përkujdesja për njëri-tjetrin, siç thoshte Jean-Jacques Rousseau, na bën thellësisht njerëzor. Një njeri pa lidhje emocionale ose gënjen, ose është i çmendur. Por shoqëria moderne perëndimore e refuzon këtë të vërtetë thelbësore, duke theksuar mbi të gjitha rëndësinë e individualizmit. Të jesh i mirë dhe të kesh nevojë për të tjerët, sot perceptohet si shenjë dobësie. Ama, jo gjithmonë ka qenë kështu.

Nga Adam Phillips dhe Barbara Taylor/ Mirësia, thoshte perandori dhe filozofi Mark Aureli, është kënaqësia më e madhe e njerëzimit. Në vazhdën e shekujve edhe shumë mendimtarë dhe shkrimtarë të tjerë kanë shprehur të njëjtën konsideratë. Ndërkohë sot pjesa më e madhe e njerëzve mendojnë se kjo ide ka pak gjasa të jetë e vërtetë, ose të paktën është goxha e dyshimtë. Në përfytyrimin që kemi për qeniet njerëzore, mirësia nuk bën pjesë tek instiktet natyrore: jemi të gjithë të çmendur, të këqinj, të rrezikshëm dhe shumë konkurrues me njëri-tjetrin. Egoizmi është ai që i vë në lëvizje njerëzit dhe shpërthimet janë forma të ruajtjes së identitetit.

Mirësia është kthyer në një kënaqësi të ndaluar. Në një farë mënyrë është gjithmonë e rrezikshme, sepse bazohet në ndjeshmërinë karshi të tjerëve dhe në aftësinë për t’u identifikuar me kënaqësitë dhe vuajtjet e tyre. Por edhe nëse mirësjellja është e rrezikshme, mbetet një ndër gjërat më përmbushëse që kemi.

Më 1741 filozofi skocez David Hume humbi durimin duke u përballur vazhdimisht me një shkollë filozofike që e konsideronte njerëzimin si tmerrësisht egoist. Kush është kaq i çmendur sa të mohojë ekzistencën e bujarisë, thoshte ai, ka humbur kontaktin me realitetin e vet emotiv. Përgjatë historisë së njerëzimit, personat kanë menduar se në gjendjen e tyre natyrale janë të sjellshëm. Heqja dorë nga mirësjellja i privon qeniet njerëzore nga një kënaqësi thelbësore për mirëqenien e tyre.

Sot termi “mirësi” përqafon një gamë të gjerë ndjenjash të përshkruara me fjalë të ndryshme: solidaritet, bujari, altruizëm, qëllime të mira, humanitet, mëshirë, empati. Në të shkuarën këto ndjenja njiheshin me fjalë të tjera: philantropia (dashuria  për njerëzimin) dhe caritas (dashuri për tjetrin). Kuptimi i saktë i këtyre termave ndryshon, por të gjithë të drejtojnë tek ajo që në epokën viktoriane quhej “zemër e hapur”, pra të kesh qëllime të mira ndaj të tjerëve. “Edhe më shumë e padiskriminuar dhe e përgjithësuar nga distanca mes njerëzve është dëshira për ta eliminuar atë”, shkruante filozofi gjerman Theodor Adorno duke iu referuar faktit se largësia nga të tjerët mund të na bëjë të ndihemi të sigurtë, por edhe mund të na bëjë të vuajmë.

Historia na përball me shumë mënyra se si njerëzit kërkojnë një lidhje, që nga ajo klasikja e miqësisë te mësimet e krishtera mbi dashurinë dhe përkujdesjen e deri te filozofitë e nëntëqindës mbi mirëqenien. Gjithashtu na tregon deri në ç’pikë njerëzit janë të largët njëri nga tjetri dhe deri në ç’pikë aftësia për të dashur tjetrin frenohet nga frikëra dhe rivalitete të vjetra po aq sa mirësjellja.

“Mirësia frymëzon mosbesim dhe demonstrimet publike të bujarisë shpesh përshkruhen si moraliste dhe sentimentale.”

Në pjesën më të madhe të historisë perëndimore, mirësia është lidhur me krishtërimin, i cili i konsideron të shenjta instiktet e bujarisë dhe i vendos në një besim më universal. Për shekuj udhëheqësja ka qenë bamirësia e predikuar nga krishtërimi, e cila ka mbajtur të bashkuar individët në një shoqëri. Por pas vitit 1500 postulati i krishterë “duaje tjetrin si veten tënde” u sfidua nga individualizmi. Te “Leviatani” (1651), Thomas Hobbes e konsideron bujarinë kristiane si psikologjikisht absurde. Njerëzit, thoshte Hobbes, janë bisha egoiste të cilat mendojnë vetëm për mirëqenien e vet: ekzistenca është një “luftë kundër të gjithëve”. Në fund të shtatëqindës, pavarësisht përpjekjeve të Humes, këto teori u kthyen në ortodoksi.

Dyqind vjet më vonë jemi kthyer të gjithë në mbështetës të Hobbes, të bindur se nxitemi vetëm prej interesit vetjak. Mirësia frymëzon mosbesim dhe demonstrimet publike të bujarisë shpesh përshkruhen si moraliste dhe sentimentale. Ikonat popullore të solidaritetit – princeshë Diana, Nelson Mandela, Nënë Tereza – ose adhurohen si shenjtorë ose akuzohen si hipokritë.

“Shumica mendon se mirësia është virtyt i humbësve.”

Qëllimet e mira sot pranohen vetem në raportet mes prindit dhe fëmijës. Kapaciteti për t’u kujdesur për dobësitë e tjetrit, dhe natyrisht edhe për ato vetjaket, është kthyer në një shenjë dobësie. Askush nuk thotë se prindërit duhet të reshtin së kujdesuri për fëmijët, por shoqëritë tona kanë zhvilluar një fobi të përgjithshme për mirësinë dhe njerëzit refuzojnë të kryejnë gjeste dashamirësie duke artikuluar dhjetëra arsye për të justifikuar këtë refuzim. Shumica mendon se mirësia është virtyt i humbësve, por të arsyetosh në termat e fituesve dhe humbësve do të thotë të pranosh se e ke refuzuar mirësinë prej frikës.

Pak njerëz pyesin pse tentojmë të jemi të sjellshëm me të tjerët dhe pse bujaria na duket e rëndësishme. Ndryshe nga sa ndodh me një ideal abstrakt si drejtësia, bujarinë ne arrijmë ta ndjejmë në pjesën më të madhe të rasteve. Por pikërisht sepse e dimë se ç’është një gjest mirësie, jemi në gjendje për ta shmangur atë. Zakonisht e dimë se ç’mund të bëjmë për të qenë të sjellshëm dhe e vëmë re kur të tjerët shfaqin gjeste mirësie karshi nesh. Por thellë-thellë mirësia na bën të ndihemi keq, megjithëse është gjëja që na mungon më shumë se gjithçka. Kjo është epoka kur të gjithë ankohen për mungesën e mirësisë.

“Një indikator i shëndetit mendor”, shkruante Donald Winnicott më 1970, “është aftësia për të hyrë në mendimet, në ndjenjat, në shpresat dhe në frikërat e një personi tjetër. Dhe t’i lejosh tjetrit të bëjë të njëjtën gjë me ne”. Përkujdesja për njëri-tjetrin, siç thoshte Jean-Jacques Rousseau, na bën thellësisht njerëzor. Varemi nga njëri-tjetri jo vetëm për mbijetesën tonë, por edhe për vetë ekzistencën. Një njeri pa lidhje emocionale ose gënjen, ose është i çmendur.

Shoqëria moderne perëndimore e refuzon këtë të vërtetë thelbësore, duke theksuar mbi të gjitha rëndësinë e pavarësisë. Të kesh nevojë për të tjerët perceptohet si shenjë dobësie. Vetëm fëmijëve, të sëmurëve dhe të moshuarve u lejohet varësia nga njerëzit e tjerë: për gjithë të tjerët virtytet më të larta janë ato të vetëmjaftueshmërisë dhe autonomisë. Por ama të gjitha qeniet njerëzore janë të varura. Edhe stoikët – korifenjtë e besimit në vetvete – pranonin te njeriu nevojën e lindur për njerëz të tjerë, si përcjellës të ndjenjave të mirësisë.

Individualizmi është një fenomen shumë i vonë. Iluminizmi, që zakonisht konsiderohet si origjina e individualizmit perëndimor, mbronte “prirjet sociale” kundër “interesave privatë”. Në epokën viktoriane që është quajtur si koha e artë e individualizmit, janë përballur mbështetësit dhe kundërshtarët e individualizmit ekonomik. Në fillim të viteve ’80, historiani i krishterë Arnold Toynbee, nëpërmjet një serie konferencash sulmoi ashpër vizionin egoist të njeriut të përhapur nga profetët e kapitalizmit.

“Kjo është epoka kur të gjithë ankohen për mungesën e mirësisë.”

Në të njëjtat vite, trashendentalistët amerikanë sulmonin shpirtin e “konkurrencës egoiste” dhe themeluan komunitetin e “kooperativës vëllazërore”. Edhe Charles Darwin, beniamini i individualistëve modernë, e refuzonte mendimin se njerëzimi është egoist dhe hipotizonte për ekzistencën instikteve altruiste po aq të forta. Tendenca e solidaritetit është e lindur në qeniet njerëzore dhe përbën një faktor kyç për suksesin evolues të njerëzimit, thoshte ai në “Origjina e njeriut” më 1871.

Darwin mbronte mirësinë më shumë mbi baza shkencore se sa fetare. Gjithsesi, për pjesën më të madhe të bashkëkohësve të tij bamirësia e krishterë mishëronte përsosmërisht mirësinë. T’i shërbesh Zotit do të thotë t’i shërbesh të ngjashmëve të tu nëpërmjet një sërë organizimesh filantropike të mbështetura nga kisha. Edhe laikët e përqafuan këtë ide.

Mirësia viktoriane dënohet sot për vetëkënaqësinë morale, për prirjen klasiciste dhe për mentalitetin racist. Të gjithë janë dakort me Niçen që fliste për “ndërgjegjjen e pisët” të filantropëve të tetëqindës. Por edhe atëherë nuk mungonin zërat kundër: Oscar Wilde ushqente neveri për “zhargonin e sëmurë të detyrës”, ndërsa radikalët dhe socialistët ishin të vendosur për të zëvendësuar bamirësinë me drejtësinë, bujarinë e elitave me të drejtat universale. Tmerret e Luftës së Parë Botërore vunë në dukje retorikën boshe të sakrificës, ndërsa erozioni i hierarkive tradicionale shoqërore shkatërroi idealin e detyrës patriotike. Gratë, që për shumë kohë e kishin konsideruar mungesën e devotshmërisë ndaj të tjerëve si “detyra femërore”, nisën të vlerësonin përfitimet e barazisë.

Kur ngjitet në pushtet, mirësia degjeneron lehtësisht në tretje morale. William Beveridge, babai i shtetit të mirëqenies në Britani, ishte i ndërgjegjshëm për këtë rrezik. Hyrja e tij në jetën publike përkoi me perëndimin e filantropisë viktoriane e për këtë Beveridge refuzonte shpirtin e “të bërit gjëra për të tjerët”, që ishte tipik për bamirësitë e organizuara. Kërkonte të përballej me problemet sociale më shumë në mënyrë shkencore se sa emocionale: “Nuk kam asnjë besim në fuqinë shpëtimtare të kulturës, të misioneve dhe të ndjenjave pozitive”. Të gjitha veprimet njerëzore, thoshte ai, burojnë nga egoizmi.

Por nuk i qëndroi për një kohë shumë të gjatë kësaj ideje. Më 1942, plani i tij i jashtëzakonshëm ku u hodhën bazat e të ashtuquajturës welfare, u përshëndet nga mbështetësit e tij si një “dashamirësi e vërtetë”. Beveridge e nisi rrugëtimin e tij politik si liberal dhe e mbylli si socialist i angazhuar në mbrojtjen e vlerave altruiste që më parë i refuzonte, duke i thurur elozh “shpirtit të ndërgjegjjes sociale” si gur themeli i një shoqërie të mirë.

“Tendenca e solidaritetit është e lindur në qeniet njerëzore dhe përbën një faktor kyç për suksesin evolues të njerëzimit, thoshte Darwin”

Më 1979 fitorja e Margaret Thatcher në Britaninë e Madhe shënjoi humbjen e modelit të shoqërisë dashamirëse të Beveridge, Tawney dhe Titmuss. Edhe në Shtetet e Bashkuara ardhja e reganizmit shkaktoi një erozion të ngjashëm të vlerave të shtetit të mirëqenies.

Bujaria u kthye në flamurin e minorancës, e mirë vetëm për prindërit (veçanërisht për nënat), punonjësit e shërbimit social dhe bamirësit me sandale. Vitet nëntëdhjetë shënuan rikthimin e vlerave të solidaritetit, por kur fëmijët e epokës së Thatcher dhe Reagan u rritën aato vlera u kthyen vetëm në një slogan retorik. Me fitoren e Laburistëve të rinj në Britani më 1997 dhe zgjedhjen e George Bush më 2000 në Amerikë, individualizmi konkurrues u konfirmua si rregulli dominues. “Ndërvarësia” u bë edhe më shumë tabu dhe politikanët, sipërmarrësit dhe një sërë moralistësh u vunë në radhë për t’i mësuar të varfërve dhe të vobektëve vlerat e individualizmit. Kryeministri anglez Tony Blair thoshte se “Shteti i ri i mirëqenies duhet të nxisë punën, jo varësinë”.

Kapitalizmi nuk është një sistem për njerëzit me zemër të dobët. Edhe mbështetësit e tij thonë se e duan shoqërinë: nëse nuk pengohet, sipërmarrja e lirë kthehet në pasuri dhe lumturi për të gjithë. Por si çdo bindje utopike, edhe kjo është një iluzion. Paradoksi i madh i kapitalizmit modern, thotë filozofi ish-thatcherian John Gray, është se dobëson institucionet ku një herë e një kohë mbështetej: familjen, karrierën, komunitetin. Për shumë qytetarë britanikë dhe amerikanë, “kultura e sipërmarrjes” nënkupton një jetë të ngjeshur me punë, ankth dhe izolim. Ndërkohë një shoqëri konkurruese e ndarë të humbës dhe fitues, nxit armiqësinë dhe indiferencën.

Çfarë mund të bëhet? Asgjë, përgjigjet shumëkush. Qeniet njerëzore janë egoistë: duhet të jetojmë duke u përballur me këtë fakt. Gazetat na bombardojnë me prova shkencore në mbështetje të këtij fakti pesimist.

Megjithatë, mirësia vazhdon të jetë një eksperiencë pa të cilën nuk bëjmë dot. Mirësia është ajo që i bën jetët tona të denja për t’u jetuar. Çdo sulm kundër mirësisë, është sulm kundër shpresa tona./ Autorët e këtij shkrimi kanë shkruar librin “Elozh mirësisë”, një studim i shtrirë në kohë për sjelljen njerëzore dhe gjendjen natyrore të njeriut. Artikulli u perkthye nga Erjon Uka. Botuar edhe në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published.