Pse i nevojitet Kadaresë një çmim në Tiranë?
Mendoj se Ismail Kadare mund t’i shërbente këtij eventi dhe eventeve të ngjashme në Shqipëri në shumë mënyra të tjera, por jo më duke fituar një çmim. Çështja thelbësore është: Do t’i përdorim çmimet për të vlerësuar autorët, apo do të përdorim autorët për t’i dhënë vlerë çmimeve?
Nga Erjon Uka/ Çmimet letrare, përveçse vlerësim për krijuesit, kanë gjithmonë misionin që të kthejnë vëmendjen drejt shkrimit si proces, drejt letërsisë si art dhe drejt kulturës si domosdoshmëri. Në një kontekst të rrëmujshëm ku lajmi nuk i lë kohë lajmit që të kapërdihet, nuk mbetet rrugëzgjidhje tjetër për letërsinë veçse të bëhet pjesë e kësaj rutine. Prandaj çmimet e reja dhe ato tashmë të konsoliduara, çmimet e dhëna nga institucionet shtetërore dhe ato private, pa më të voglin dyshim që i shërbejnë këtij misioni.
I tillë ishte edhe eventi i fundit i Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2018. Një event i hijshëm, i mirëorganizuar dhe detajist. Dhe duke parë emrat e fituesve, nuk mund ta fsheh se u habita kur pashë se veprën më të mire eseistike të vitit e kishte fituar Ismail Kadare për sprovën “Kur sunduesit grinden”, rreth misterit të telefonimit mes Stalinit dhe nobelistit rus Boris Pasternak. Mendoja se Ismail Kadare mund të ishte i pranishëm në event si i ftuar nderi, si folës kryesor apo ndonjë prej çmimeve mund të kishte emrin e tij. Por jo, atij iu akordua një çmim. Dhe menjëherë pyetja që më erdhi ndër mend ishte: Për çfarë i duhet Ismail Kadaresë një çmim i tillë, aq më tepër në eseistikë?
Gjithmonë kam qenë një adhurues i romaneve të Kadaresë dhe për ta pasur në bibliotekë veprën në fjalë me një autograf të tij, m’u desh të prisja ndonjë orë të mirë në radhën e Panairit të Librit dy vite shkuar. Në gjykimin tim, që mbetet gjithmonë subjektiv, ky libër ishte një krijim shumë interesant, por pika më e fortë e Ismail Kadaresë nuk janë sprovat dhe esetë.
Megjithëse nuk e ka fituar, Kadare mbetet një shkrimtar në kalibrin e Nobelit. Pres me padurim hapjen e arkivave të Nobelit, sepse jam i sigurt se ashtu si Robert Frost, Borgesi, Benedetto Croce apo Aldous Huxley është nominuar disa herë për ta fituar çmimin e Akademisë Suedeze. Por ndërkohë ka fituar “Man Booker Prize” dhe “Princi i Asturias”, sikundër qindra çmime të tjera, përfshirë dy çmimet e fundit në Korenë e Jugut dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është tejet i vlerësuar edhe në Shqipëri, ku një çmim letrar mbart emrin e tij. Ndaj jo pa shkak pyetja që m’u faneps menjëherë ishte se sa i nevojshëm ishte ky çmim për Ismail Kadarenë në eseistikë dhe aq më tepër për një temë që tek krijimtaria e tij e pas viteve ’90 është përsëritur disa herë: marrëdhënia e shkrimtarit me diktatorin.
Unë mendoj që Ismail Kadare mund t’i shërbente këtij eventi dhe eventeve të ngjashme në Shqipëri në shumë mënyra të tjera, por jo më duke marrë një çmim. Në një moment kur të gjithë presim që ai të vlerësohet në Stokholm, duket disi butaforike që të marrë një vlerësim vjetor rutinë në Tiranën që prej kohësh e ka vlerësuar aq shumë. Në kontekstin në të cilin ndodhet letërsia shqipe, fatkeqësisht shpesh herë e nënvlerësuar nga lexuesit vendas karshi asaj ndërkombëtare, çmime të tilla duhet të promovojnë sa më shumë figura të reja. Dhe unë mendoj se ka shumë të tillë që meritojnë mbi të gjitha të lexohen, që librat e tyre të jenë në bibliotekat e secilit, e pastaj normalisht edhe të vlerësohen.
Çështja thelbësore është: Do t’i përdorim çmimet për të vlerësuar autorët, apo do të përdorim autorët për t’i dhënë vlerë çmimeve? Mendoj se e para është me dobishme, më e vlefshme dhe më e ndershme.