Qenka kaq e vështirë t’u besosh fakteve
Nga Erjon Uka/ Çdo vit e më tepër Shqipëria po bëhet pjesë e indekseve apo studimeve ndërkombëtare, të cilat japin të dhëna dhe ofrojnë fakte që mund të ndihmojnë këdo të kuptojë më mirë realitetin përreth, që nga sjelljet më banale e deri te politikat më komplekse. Por nga ana tjetër, duket se ka një rezistencë goxha te fortë përkundrejt këtyre fakteve.
Para pak kohësh, në një artikull bazuar në rezultatet e raportit të PISA-s, shkruaja se shkollat shqiptare, krahasuar me shumë vende të Europës dhe të rajonit, nuk formonin nxënës të shkëlqyer. Sigurisht që argumentoja se studentë të shkëlqyer ka, por falë punës së tyre personale dhe jo si nxitje e sistemit arsimor. I gjithë artikulli frymëzohej nga të dhënat e testit të PISA-s ku marrin pjesë shumë vende, por komentuesit në rrjet, pavarësisht në e kishin lexuar apo jo artikullin, e refuzonin këtë gjë duke shprehur indinjatë dhe duke thënë se “studentët shqiptarë shkëlqejnë kudo”, prandaj sistemi ynë arsimor është shumë cilësor. Pra një fakt i imi i bazuar në një raport ndërkombëtar luftonte kundër shumë opinioneve.
Ndërsa një javë më parë, një tjetër artikull interesant lidhej me mungesën e bujarisë te shqiptarët. Sipas Indeksit Botëror CAF vetëm 23% të shqiptarëve janë bujarë, ndërsa sa i përket dhurimit të kohës për vullnetarizëm, vetëm 9 % e tyre kanë dhuruar kohën për bamirësi ose ndonjë kauzë të ngjashme, duke u renditur në vendin e 107 në botë nga 140 shtete pjesëmarrëse.
E megjithëse është i disati vit radhazi që publikime të tilla i ofrohen publikut, sërish në biseda spontane nëse do të flitet për karakteristikat si popull do të renditet bujaria; dhe nëse do të flitet për cilësitë e nxënësve, do të thuhet se janë më të zgjuarit, pavarësisht se “zgjuarsia” në konceptin e përdorur rëndom nuk ka shumë lidhje me përgatitjen intelektuale që shërben për zgjidhjen e problematikave personale dhe profesionale në një treg global.
Natyrshëm të vjen pyetja: Pse qenka kaq e vështirë t’u besosh fakteve? Hans Rosling, autori i librit “Forca e Faktit” që siç titulli e tregon u kushtohet tërësisht fakteve, shkruante se bota nuk mund të kuptohet pa numrat, megjithëse vetëm numrat nuk mjaftojnë për të kuptuar botën. Qeniet njerëzore kanë një instikt gati-gati dramatik të të menduarit në mënyrë binare, pra duke i ndarë të gjitha gjërat në dy grupe pa hapësirë në mes. Rosling thoshte se ne e dashurojmë dikotominë: të mirën kundër të keqes, heronjtë kundër keqbërësve, vendin tonë kundrejt gjithë pjesës tjetër të botës. Arsyeja pse e quante dramatike? Sepse kjo mënyrë e të menduarit, të cilën ne e aplikojmë thuajse gjithmonë në mënyrë edhe të pavullnetshme, ndjell konflikte.
Por në vende të ndryshme, në kultura të ndryshme, ky konstatim është i vërtetë jo në nivele të njëjta për shkak të evolucionit të mendimeve. Për shembull në kulturën anglo-saksone njerëzit bazohen më shumë në fakte dhe në shifra, se sa në mendime subjektive. Jo më kot edhe filozofia analitike e Bertrand Russell gjeti zbatim dhe ithtarë në këtë hapësirë, përkundrejt traditës hegeliane të Europës kontinentale. Prandaj librat që na trondisin me fakte kryesisht vijnë nga kultura dhe nga universitetet anglo-saksone. Prandaj shoqëritë anglo-saksone, ndryshe nga shumica e shoqërive konservatore të Europës kontinentale si ato franceze, zvicerane, gjermane e holandeze, janë janë më mendjehapur ndaj “të huajit” si njeri dhe si koncept. Në filozofinë analitike rëndësi ka vepra dhe mesazhi, në atë kontinentale ka shumë rëndësi edhe kush fshihet pas asaj vepre dhe atij mesazhi.
Idetë e gabuara apo të rreme ekzistojnë në një kohë të gjatë sepse për to flitet vazhdimisht dhe për t’u rikthyer në kontekstin tonë lokal, Shqipëria është një vend me kulturë kolektiviste ku opinionet e tribuve kanë më shumë rëndësi se çdo gjë tjetër. Në këtë lloj shoqërie blerjet kryhen me rekomandim dhe jo nga analiza çmim-cilësi, punësimet bëhen me rekomandim dhe jo në bazë të kurrikulumit, e madje edhe martesat bëhen me mblesë e jo me dashuri. Ndër kushtet e domosdoshme që një ide të jetojë, është që të flitet për të dhe nëse është ide e re që rrëzon mitet e fortifikuara, për të duhet të luftohet. Heshtja simbolizon vdekjen e çdo mendimi, sidomos atyre të bazuara në fakte. Por rrëzimi i ideve të vjetra e të gabuara kërkon angazhim dhe një përpjekje intelektuale që shpesh herë shihet si diçka e tepërt.
Çdo ide e ndryshme nga idetë e të tjerëve që tenton të ndryshojë një vizion, do të shihet si e rrezikshme. James Clear shkruan se pikërisht për këtë shkak, vendi i duhur për të shpërfaqur një ide kërcënuese është në një mjedis jo kërcënues, si për shembull librat dhe studimet, jo debatet apo bisedat. Sepse në libra dhe në artikuj, nuk ekziston tensioni i ruajtjes së tonalitetit të zërit, rreziku i skuqjes së mollëzave, tendenca për të harruar shumë nga ato që planifikojmë të themi apo frika e ofendimit. Shkrimi të jep qetësinë për të dhënë qartësinë e mendimit, por fatkeqësisht jo të gjithë e kanë qetësinë e leximit.
Prandaj siç edhe Rosling thoshte, për të kuptuar botën nevojiten numrat, megjithëse të vetme nuk mjaftojnë. Drejtimi nga faktet na bën më të qartë për çdo gjë që duam të arrijmë. Po mitet? Le të ekzistojnë, për hir të ekuilibrit. Në fund të fundit duhen për të dhënë ca ngjyra në momente të zymta.